Gjykata pushon akuzën ndaj Mediut, Topi e dekreton: E ka Berisha përgjegjësinë
Armand Bajrami
Gjykata e Lartë rrëzoi përfundimisht dje akuzat e Prokurorisë në adresë të Fatmir Mediut në procesin për tragjedinë e Gërdecit. Kolegji Penal vendosi pushimin e procesit gjyqësor në ngarkim të Mediut, aktualisht ministër i Mjedisit, për akuzën e ngritur ndaj tij “shpërdorim detyre”, lidhur me shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Sipas togave të zeza të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, fakti që Mediu është një nga deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti, i jep atij mandat të ri imuniteti, i cili e bën të pamundur vazhdimin e gjykimit pa një autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë u prit me reagime të forta në sallë nga familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit.
SEANCA
Në orën 10:02 minuta, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk kishte firmosur ende dekretimin e qeverisë së re të formuar pas zgjedhjeve të qershorit, kur në Gjykatën e Lartë u hap seanca në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Mediu, i vetmi i pandehur i dosjes “Gërdeci” që u gjykua në Gjykatën e Lartë, nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa interesat e tij përfaqësoheshin nga avokatët mbrojtës. Pasi gjykata njohu palët me anëtarin e ri të trupës gjykuese, gjyqtarin Ardian Nuni, i cili zëvendësoi gjyqtaren Irma Bala, të larguar nga kjo çështje për arsye shëndetësore, mbrojtësit parashtruan kërkesën e tyre. Sipas avokatit Ardian Visha, klienti i tij, Fatmir Mediu, ishte zgjedhur deputet në zgjedhjet e 28 qershorit dhe bashkë me të ai ka fituar mandat të ri imuniteti. “Marrja e mandatit të deputetit kushtëzon gjykimin ndaj tij”, tha avokati Vishaj, duke vijuar me interpretimin e nenit 73/2 të Kushtetutës, që përcakton mënyrën e ndjekjes penale të një deputeti. Reagimi i palës së akuzës erdhi pas një pushimi të kërkuar nga trupa e prokurorëve. Pas rifillimit të seancës, kreu i grupit hetimor, prokurori Sokol Stojani kundërshtoi kërkesën e mbrojtjes si të pabazuar në ligj, duke u shprehur se heqja e imunitetit është miratuar njëherë nga parlamenti që kur nisi ndjekja penale për ish-ministrin e Mbrojtjes, Mediu. Sipas Stojanit, Parlamenti e ka marrë një vendim dhe se imuniteti me të cilin Mediu është “veshur” pas rizgjedhjes si deputetet është për veprat e reja penale për të cilat ai nuk është proceduar më parë ose për vepra penale që mund të kryejë në të ardhmen.
Pesë anëtarët e trupit gjykues u tërhoqën për të marrë një vendim pas kërkesave të palëve në proces. Kolegji Penal kryesuar nga gjyqtari Besnik Imeraj vendosi më pas pushimin e çështjes.
Visha: Paaftësi e Prokurorisë
Avokati i Mediut, Ardian Visha, e cilësoi paaftësi të Prokurorisë situatën juridike të krijuar dje, e cila shkaktoi marrjen e vendimit për pushimin e çështjes ndaj klientit të tij. “Gjykoj se rezultati i procesit tregon paaftësinë e Prokurorisë. Për shkak të paaftësisë së tyre erdhi deri këtu kjo çështje”, u shpreh Visha për mediat pas përfundimit të seancës. Sipas tij, një nga mënyrat ishte që organi i akuzës duhet të mos e kishte dërguar çështjen për gjykim para se të bëheshin zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë që avokati u shpreh se ata do të donin që gjykimi të kishte vijuar, në mënyrë që të përballeshin në gjyq me Prokurorinë.
Zamira Durda: Vetëgjyqësi, djali im nuk shkoi në shkollë sot
TIRANE – Pushimi i çështjes në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ra “si bombë” për veshët e familjarëve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit. Disa prej tyre, të pranishëm në sallën e gjyqit, nuk i kursyen thirrjet negative deri në mallkime në drejtim të trupës gjykuese, para se kjo e fundit të largohej nga salla. Situata vijoi edhe jashtë ambienteve të gjykatës, ku familjarët u ndanë “për një qime” nga konfrontimi fizik me avokatët mbrojtës të ish-ministrit Mediu. Deklaratat në gjaknxehtësi e sipër shkonin deri në kufijtë e vetëgjyqësisë nga ana e familjarëve të viktimave. Zamira Durda, nëna e Edison Durdës, 7-vjeçarit që humbi jetën në tragjedinë e Gërdecit, akuzoi Gjykatën e Lartë se po bën një krim dhe se po i vret këta njerëz për herë të dytë. “Do të kalojmë në vetëgjyqësi. Do të bëhem unë kamikaze, se nuk kam rrugë tjetër. Përse fëmija im nuk jeton? Dua një përgjigje të më thonë. Të më bindin përse fëmija im nuk jeton? Përse fëmija im nuk shkon në klasën e tretë sot në ditën e parë të shkollës”, u shpreh ajo. ar.ba
Vendimi i Gjykatës së Lartë
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi mbrojtësit e të pandehurit Fatmir Mediu, që pretenduan faktin e zgjedhjes deputet të të mbrojturit prej tyre, fakt që sipas tyre kushtëzon vazhdimin e ndjekjes penale dhe përfaqësuesit e organit të akuzës që kërkuan vazhdimin e gjykimit, vërejtën se; në bazë të vendimit nr. 602, dt. 01.08.2009 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se i pandehuri Fatmir Mediu është zgjedhur deputet i legjislaturës së 18 të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo rrethanë nuk lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij për aq sa nuk ka një autorizim për ndjekje penale të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë mbas marrjes prej tij të mandatit të deputetit. Për këto arsye, mbështetur në nenin 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenet 290/e dhe 387/1 të Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi: Pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mund të vazhdojë.
Neni 73
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.
3. Deputeti nuk mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, Prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim vendos për heqjen e masës.
4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni Kuvendi vendos me votim të fshehtë.
Tahiri: Vendim turpi i Gjykatës,“Gërdeci” të hetohet deri në fund
Partia Socialiste kërkon nga organet e sistemit të drejtësisë që të hetohet deri në fund tragjedia e Gërdecit. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, reagoi pas vendimit të Gjykatës së Lartë për pushimin e hetimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për shkak të rifitimit të imunitetit parlamentar. Socialistët kërkojnë nga Prokuroria që të rikërkojë heqjen e imunitetit të kreut të PR-së. “Ky është një vendim turpi që nuk jep drejtësi, por fsheh kriminelët dhe hajdutët shtetëror, që për hir të interesave korruptive, shkaktuan 26 viktima dhe lanë në mëshirë të fatit familjarët e tyre. Ky vendim nuk do e bëjë kurrë të pafajshëm Fatmir Mediun dhe shefat e tij”, tha Tahiri. Zëdhënësi i PS-së theksoi se “nxit institucionet përkatëse të vazhdojnë përpjekjet ligjore për të materializuar çdo iniciativë që lejon legjislacioni në fuqi për të zhveshur edhe një herë Fatmir Mediun nga imuniteti parlamentar dhe për t’i dhënë rrugë veprimit ligjor që do nxjerrin”. Ndërsa nuk ka ngurruar që të akuzojë kreun e qeverisë, Berisha, për ushtrim presioni ndaj sistemit të drejtësisë. “Pasi thuri planin institucional dhe ligjor për instalimin e fabrikës korruptive, që i mori jetën 26 viktimave të pafajshme, pasi refuzoi të hiqte imunitetin e Fatmir Mediut, pasi kërcënoi në mënyrë të përsëritur Prokurorinë e Përgjithshme, maxhoranca e Sali e Shkëlzen Berishës, Fatmir Mediut, Fahri Balliut, Aldo Bumçit, Mihal Delijorgjit dhe e të gjithë shërbëtorëve të tjerë, që me zell të verbër gatuan tragjedinë e shekullit, ushtroi presion të gjithanshëm, për të bërë të mundur shmangien e fajësisë nga e vërteta dhe nga dënimi që meriton”, theksoi Tahiri.
Topi dekreton qeverinë e re
BLEDAR HOTI
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekreton emrat e 15 ministrave të kabinetit “Berisha 2”. Dje në drekë, kreu i shtetit ka hedhur firmën e tij mbi dekretin numër 6244, duke marrë njëkohësisht për emërimin e Këshillit të Ministrave, mbi bazën e kompentecave të përcaktuar në nenet 93, 96 dhe 98 të Kushtetutës së Shqipërisë. Firma e kreut të shtetit mbi përbërjen e qeverisë së re erdhi pesë ditë pasi i dekretuari për postin e Kryeministrit Sali Berisha paraqiti listën e plotë me 15 ministrat. Në bazë të Kushtetutës, Presidenti ka shtatë ditë afat për dekretimin e emrave të rinj të Këshillit të Ministrave. Pas këtij vendimi, sfida e radhës e Kryeministrit është betimi në Kuvend, i tij dhe 15 ministrave të ardhshëm. Përpara hedhjes së firmës, gjatë paradites, kreu i shtetit është pyetur nga media nëse do të kenë fatin e dekretimit duke e lidhur me rastin e propozimit të kreut të PR-së, Fatmir Mediu, si Ministër të Mjedisit. Në reagimin e tij, Topi ka hedhur poshtë çdo hamendesim për ndonjë kthim dekreti, por ka theksuar se përgjegjësia morale dhe politike i përket propozuesit, pra Kryeministrit Berisha. “Natyrisht ju e dini që në Shqipëri pushtetet janë të ndara. Sikurse jam shprehur edhe në shumë momente të tjera, preokupimi im kryesor është që të mos devijoj për asnjë çast nga zbatimi i neneve të Kushtetutës, i gjithë kuadrit ligjor që rregullon aktivitetin e Presidentit në raport edhe më çështjen në fjalë. Ç’ka do të thotë që në të gjithë procesin tim të dekretimit, unë i referohem në mënyrë shumë rigoroze detyrimit kushtetues, ndërsa për sa i përket çështjes së këndvështrimit politik edhe moral, natyrisht që ky është një ekskluzivitet i propozuesit, që në rastin konkret është Kryeministri”, deklaroi Topi. Ndërsa ka shtuar se në ushtrimin e kompetencës së tij nuk ecën me precedentë. “Në punën time, nuk eci me precedentë, ç’është e vërteta. Unë eci me atë kuadër kushtetues e ligjor që unë kam në punën time. Por jam shumë i kujdesshëm. Në punën time, jam shumë i ftohtë, jam pa emocione. Dikur kam qenë edhe unë në politikë dhe jo në pak raste kam folur edhe me emocione. Morali politik është diku tjetër, aty ku bëhet politika. Presidenti ecën me ligjin dhe me kuadrin kushtetues. Kjo është e gjitha”, theksoi kreu i shtetit.
Berisha: S’ka imunitet për anëtarët e kësaj maxhorance
Kryeministri ka reaguar në lidhje me vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për të pushuar çështjen penale ndaj Deputetit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke u shprehur se asnjë prej ministrave apo deputetëve të tij nuk mbrohet nga imuniteti i fituar. “Duke mos ndërhyrë në vendimet dhe pavarësinë e gjykatës, si Kryeministër dhe si Kryetar i kësaj maxhorance, rikonfirmoj edhe një herë qëndrimin tim të prerë se, për qeverinë time dhe deputetët e maxhorancës, sikundër edhe gjatë mandatit të shkuar, edhe gjatë këtij mandati, nuk ka dhe nuk do të ketë imunitet, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj pengese për institucionet e akuzës dhe organet gjyqësore për hetimin dhe penalizimin e deputetëve apo ministrave, njëlloj si qytetarët e thjeshtë të këtij vendi”, thuhet në deklaratën për shtyp të Kryeministrit. Vetë Berisha, në komentin e raportit të ODIHR, duke trajtuar çështjen “Mediu”, theksoi se “nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj pengese për institucionet e akuzës dhe organet gjyqësore për hetimin dhe penalizimin e deputetëve apo ministrave, njëlloj si qytetarët e thjeshtë të këtij vendi”. Vetë ministri Mediu ka reaguar për mediat, duke u shprehur i gatshëm për hetim dhe duke mos i njohur vetes asnjë lloj imuniteti për këtë çështje. Ish-ministri i Mbrojtjes shprehet se ka “qenë dhe është i bindur se vendimi më i drejtë është hetimi dhe gjykimi i kësaj çështje deri në fund”. Mediu shton se me kërkesën e tij, përfaqësuesit ligjorë, pavarësisht nga kushtet e reja procedurale, kërkuan vazhdimin e gjykimit. Ish-ministri i Mbrojtjes përsërit se “ai ka kërkuar zbardhje dhe transparencë të plotë për tragjedinë e Gërdecit, duke e lidhur këtë me dorëheqjen që dha nga detyra e ministrit”. Pavarësisht se Gjykata e Lartë në vendimin e saj shprehet se pezullon hetimin ndaj Mediut, për shkak të rifitimit të imunitetit parlamentar, kreu i PR-së deklaron se “është i gatshëm për hetim, duke mos i njohur vetes asnjë lloj imuniteti për këtë çështje”.