E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Blloku anti-Tabak” i profesorit

07-01-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Së voni, në  Kosovë, u vendos shtatorja e Hasan Prishtinës. Ato ditë, Radiotelevizioni  i Kosovës kishte transmetuar një dokumentar të hershëm,  të  vitit 1977, për sjelljen nga Selaniku i Greqisë, të  eshtrave të  këtij  personaliteti  nga më të shquarit e kombit. Gazetari Behar Zogiani, me një telefonatë të menjëhershme, pasi e kishte ndjekur dokumentarin në ekranin e televizorit, më ndërmendi atë vit të largët, dhe një qendrim  gati dy ditësh, me tre burra ndër 31 vetë sa ishin atje së bashku, nga më të zotët në fushën e  vet - Piktori i Popullit Abdyrrahim  Buza, Profesor Avni Zajmi dhe ekonomisti Dervish Morina. Qendrimi me ta, gjatë udhëtimit dhe bujtjen në hotel turizmin e Korçës, mbeti për të mos u harruar.
Ata qenë shumë miq mes tyre. Silleshin të barabartë me njëri -tjetrin, por, edhe pse kjo qe e vërteta, Buza  dhe Morina ia kthenin  nderimin ca më shumë. Dhe, kjo duhet të vinte prej diferences së moshës. Që të tre qenë të moshuar: Piktori Abdyrrahim Buza i kishte mbushur 72 vjeç. Profesor Avni Zajmi qe shumë e shumë vite më i madh aq sa, po ta  pyesje sa vjeç je, nuk të tregonte, por njerëzit që e njihnin, ca thoshin se qe 93, ca e zbrisnin deri në 90, por nuk qe hiç më pak se aq. Ekonomisti Dervish Morina qe  pak më i ri se Buza. Dy prej tyre ishin të shkolluar në qytete të famshëm: Profesor Zajmi kishte studiuar në Paris të Francës. Qe kthyer menjëherë në atdhe dhe dha  një kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin fizik të shumë brezave, gjë për të cilën ka shkruar gazetari i shquar sportiv dhe historian i sportit shqiptar, Besnik Dizdari. Ai njeri  i ditur, me një  vetdisiplinim të pashoq profesional dhe stil jetese, ishte ngritur ku e ku mbi mësuesin - ai  qe kthyer në misionar të disiplinës në të cilën qe shkolluar dhe i  kushtoi  gjithë energjitë e jetës së vet, i mbrujtur me dhuntitë e një konservatori të edukuar cilësisht. Ndërsa Piktori Abdyrrahim Buza gjatë një viti kishte studuar për Arte të Bukura në Torino të Italisë e më pas qe zhvendosur në Akademinë e Arteve të Bukura të Firences së  famshme.
Abdyrrahim Buzën  kisha rastisur ta njihja drejtpërdrejtë në vitin 1976, kur ishte rreth 71 vjeç, në kohën që shkruaja librin për luftëtarin e Spanjës Asim Vokshi, të cilin ai e kishte pasur mik. Atë ditë Buza më njohu me studion  në shtëpinë e vet, e cila ishte një galeri e vërtetë që mund ta çonte deri në hutim edhe një piktor. Me një përkujdesje të patregueshme për gjithsa biseduam, nxori nga skutat e ruajtjeve të tij të  rralla, dhe më fali një skicë që Buza i kishte bërë Asim Vokshit  i cili studionte për art ushtarak në Modena. Ai  vizatim u përdor për ilustrim në libër.
Kurse Dervish Morina, për ata që nuk e njihnin dhe biseda shkiste kah shëndeti i njeriut, do ta merrnin për mjek, aq të shumta i kishte njohuritë. Ai tha se qysh fëmijë erdhi shume shëndetlig, por dikur kuptoi se për të përballuar luftën e ashpër të jetës, duheshin njohuri për kujdesin shëndetësor dhe i ishte futur leximeve pa ndalim.  Sikur të mos dija si ruhet shëndeti, do të kisha vdekur me kohë, tha. Vetkontrolli shembullor, përpikmëria gati numerike si natyrë dhe njohuritë e mjafta e kishin çuar të rrokte edhe moshëm e katërt.
Dhe, këta tre burra të zotë, saç bisedonin seriozisht  me dijet që zotëronin, po  aq nuk mungonte mes tyre humori, sidomos i Buzës, i cili qe natyrë me tipare më liberale, ndoshta edhe duke qënë mjeshtër i madh në fushën e artit pamor. Të kishe një pikturë të tij asokohe, por edhe në këto kohëra, do të thoshte  të  zotëroje  një  vlerë.
Atë  ditë, pasi drekuam së bashku, u zhvendosëm  në kafeterinë e hotel  turizmit, në pritje për të udhëtuar deri në Kapshticë. Nën evokimin që ata i bënin njeriut të madh Hasan Prishtina, i cili kishte thënë në kohën e tij se nuk do ta nënshtronte as ari i gjithë botës në luftë për çështjen kombëtare shqiptare, ndërkalla këtë pyetje: “A do të çlirohet Kosova ndonjëherë, dhe kur mund të ndodhë kjo nëse do të ndodhë?”
Të tre u vunë në mendime, por Dervish Morina dha një parashikim thuajse profetik: “Kosova do të çlirohet  pasi të vdes Tito, para vitit 2000 dhe me luftë shumë të përgjakshme”. Ajo ditë ishte në fillim të verës të vitit 1977, ndërsa vërtetimi ndodhi në fillim të verës 1999, pas 22 vitesh.
Ndërsa kamarieri solli kafenë mbi tavolinë, Buza kontrolloi  xhepat duke i prekur me  shuplaka. Dhe vërejti që diçka i mungonte për të shijuar kafenë. I bëri kamarierit shenjë me dorë të avitej.
-A mundesh me shkue me mi ble dy paketa “Diamant” atje përjashtë?
Djali i mori lekët, shkoi, u kthye, i vuri mbi tavolinë paketat dhe mbi to tepricën e parave.
Buza që e pinte duhanin shumë, e hapi kutinë e cigareve me lëvizje të kursyera e të përpikta si njëherë - njëherë, e vuri në buzë, e kalli me shkrepse, e thithi fort, nxori një shtëllungë tymi  të kaltër nga mushkritë dhe atëherë iu kthye filxhanit të kafesë ta hurbte.
-Profesor Buza, - ngacmoi Profesor Zajmi, - ti e di si ka thënë  turku: Ai që e pi duhanin, paret ia jep dyqanxhiut, tymin qiellit, dëmin vetes.
Profesor Zajmi u kthye kah unë:
-Çun, çun, po ti a e pi duhanin?
-Jo, jo, nuk e pi.
-Shumë mirë, shumë mirë. A pranon të futesh në Shoqërinë Anti-tabak?
Kjo pyetje të linte të habitur, sepse atëherë nuk kishte kurrëfarë reklame kundër duhanit, nuk njihej e dihej në Shqipëri se kishte një ditë botërore kundër duhanit.
-Unë jam në Shoqërinë Anti-tabak përderisa e neveris pirjen e duhanit.
-Shumë mirë çun, shumë mirë çun, - tha dhe futi dorën në një xhep të brendshëm në fund të palës së majtë të xhaketës. Prej aty  nxori një bllok të vogël, pak më i madh se një kuti shkrepse.
-Si e ke emrin çun?
Ia thashë dhe e shkroi, për t’ia shtuar më pas një liste të gjatë emrash që ai e mbante. Ai qe kthyer në një misionar të papaguar të edukimit fizik dhe shëndetësor të njeriut.
Buza, duke e thithur cigaren me endje pas drekimit, Zajmi në mision të paepur për  të kundërshtuar pirjen e duhanit, Morina një urryes i vesit të duhanpirjes - ndërkaq ishin miq të mëdhenj.
Buza ia ktheu Zajmit  me humor:
-Profesor, ti pa duhan,  unë me duhan, njëlloj do të rrojmë.
Zajmi  iu përgjigj  me një humor horror: “Ata që e pinë duhanin, edhe mbi varr do t’u dalë përpjetë një fjollë tymi.”
Ndërkohë, dikush lajmëroi: erdhi koha të nisemi.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›