E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rritja ekonomike garanton stabilitetin dhe shmang efektet e recesionit global”

07-01-2012 / Gazeta 55

Banka Botërore konfirmon mbështetjen ndaj qeverisë shqiptare për reformat e pritshme

Banka Botërore do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor për të zbutur efektet e krizës së eurozonës. Institucioni financiar ndërkombëtar deklaron se objektivi kryesor i rritjes së portofolit të financimit me kredi është që t’i ndihmojë vendet ballkanike që të përgatiten dhe t’iu përgjigjen në mënyrë të efektshme goditjeve të jashtme, nisur nga kriza e rëndë e fqinjëve të Eurozonës

Një grup ekspertësh të Bankës Botërore do të vizitojë Shqipërinë javën e ardhshme për të diskutuar dhe identifikuar me partnerët e qeverisë fushat specifike për zgjerimin e mbështetjes për reformat ekonomike, përgatitjen për goditjet e jashtme, stabilitetin dhe rritjen ekonomike.
“Banka Botërore është angazhuar me qeverinë shqiptare në përgatitjen e një kredie për mbështetjen e politikave të zhvillimit, që lidhen me qeverisjen dhe konkurrueshmërinë, duke përdorur financime shtesë për të forcuar programin e reformave ekonomike”, deklaruan dje burimet zyrtare të Bankës Botërore.
Aktualisht, Banka Botërore dhe Qeveria Shqiptare janë në fazën fillestare të diskutimit mbi përdorimin e portofolit të rritur të financimit.
Sipas burimeve të BB-së, Qeveria shqiptare do të jetë në gjendje të përdorë mbështetjen shtesë nga Banka Botërore për të reduktuar dobësitë fiskale, për të ruajtur stabilitetin fiskal dhe makroekonomik, vijueshmërinë e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Kjo vizitë vjen si ndihmë për qeverinë shqiptare në kushtet kur rritja ekonomike globale u ngadalësua në 2011.
Perspektivat ekonomike për Evropën janë përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme pas thellimit të krizës në Eurozonë e për pasojë, rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë i ndjeshëm ndaj rritjes ekonomike të BE-së, pasi është partneri i tij tregtar më i madh. Por BB vëren se Ballkani është i rrezikuar edhe ndaj ndryshimeve të kushteve monetare dhe financiare në vendet e BE-së, pasi bankat e tyre janë poseduesit kryesorë të aseteve në vendet e Ballkanit Perëndimor.
BB njofton se fluksi i remitancave për Shqipërinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën është sa rreth 10 për qind e PBB-së dhe mund të ndikohet thellësisht nga një ngadalësim i rritjes ekonomike të Eurozonës.
Në një mjedis të rritjes së risqeve të jashtme dhe pasigurive ekonomike, Banka Botërore po rrit financimin e disponueshëm për disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, Ballkanit Perëndimor, Kaukazit dhe Turqisë.
Banka Botërore mund të ofrojë përgjatë dy viteve 2012-2013 një mbështetje më të madhe financiare për këto vende nga sa ishte parashikuar në portofolat aktuale të strategjive të partneritetit me to, thanë burimet e saj.
Objektivi kryesor i BB për rritjen e portofolit të financimit me kredi për vendet e Ballkanit Perëndimor, synon t’i ndihmojë që ato të përgatiten dhe t’u përgjigjen në mënyrë të efektshme goditjeve të jashtme, duke ruajtur fokusin në reformat strukturore dhe rrjetin e sigurisë sociale, mjaft të rëndësishme për ruajtjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›