E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokuan rrugën, gjykata dënon me gjobë 5 minatorë të Bulqizës

DIBËR - Gjykata e Shkallës së Parë e Dibrës dje ka deklaruar fajtorë pesë minatorët e minierës së Bulqizës, të cilët gjatë protestave dhe grevës së urisë që u zhvillua gjatë verës që shkoi bllokuan rrugën nacionale në Qafë-Buall. 

Pas një sërë seancash gjyqësore, togat e zeza vendosën dënimin e minatorëve për veprat penale të "mosbindjes ndaj punonjësve të rendit publik", për "bllokimin e rrugës nacionale" si dhe për "organizmin e tubimeve të paligjshme". 

Masa e dënimit të dhënë për 5 sindikalistët nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër është 200 mijë lekë gjobë për secilin prej tyre. Ndërkohë, kanë reaguar ashpër minatorët e shpallur fajtorë. Sipas tyre, vendimi i marrë nga
gjykata është e papranueshme. "Ne kemi protestuar sipas ligjeve të shtetit shqiptar, për të drejtat e mohuara nga kompania 'ACR', e cila ka me koncesion minierën e Bulqizës", - u shprehën dje minatorët. 

Gjatë protestave dhe dy grevave të urisë, minatorët kërkuan rritjen e pagës, përmirësimin e kushteve teknike
të punës në minierë dhe ndërhyrjen me investime në nivelin e 16-të.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›