E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blofi është lojë me zjarrin, apo me suksesin?

Në tubimin e radhës në Lezhë, të gjithë e pamë dhe e dëgjuam se si Berisha deklaroi buzagaz, me një siguri profetike, se populli ynë krenar dhe liriedemokracidashës nuk do t’i japë atij vetëm mandatin e tretë, po edhe tri mandate të tjera, pra do ta detyrojë të qëndrojë edhe dymbëdhjetë vite në pushtet. Këto “edhe tri mandate të tjera”, të siguruara e të garantuara paraprakisht, më troç: të dhëna nga ne qytetarët si kapar qeverisës, sigurisht që, sipas tij, nuk kanë lidhje me mënyrën se si ka qeverisur, se si do të qeverisë nesër, se si do të bëhen fushatat e zgjedhjeve të pritshme, se kush është e kush do të jetë nesër në opozitë, se si do të jetë KQZ-ja e nesërme, se si do ta gjykojnë votuesit, apo edhe si do të jetë shëndeti fizik dhe mendor i udhëheqësit tonë historik. Jo, jo, kapari, sipas traditës sonë tribale të besëlidhjes partiake, ka për të mbetur kapar, një borxh i përjetshëm dhe i pashlyeshëm ndaj tij. 

Po përse luhet e përse i lipset atij ky blof? Se, që është blof, kjo, besoj, nuk diskutohet. Atëherë përse kryeministri luan kësisoj me zjarrin, nëse është blof? Nuk mendon ai se një deklaratë e tillë do të bëjë bumerang, do t’i kthehet kundër, duke ia shkatërruar fushatën, ende pa nisur mirë? Sepse në çdo vend e në një shoqëri normale, një deklaratë e tillë do të përjashtonte atë bashkë me shpurën e tij automatikisht dhe përjetësisht nga zgjedhjet e nga politika... E me siguri që jo vetëm përditshmëria, po edhe historia dhe kujtesa popullore do ta mbulonte përjetësisht me turp, duke e treguar me gisht, edhe nëse deklaruesi i një blofi të tillë do të kishte pas qenë një diktator ose monark. 

Prandaj hulumtimi në këtë rast nuk të ngjall humor, por merr vetiu ngjyresë dramatike. Sepse çdo votues i përgjegjshëm dhe sadopak i arsyeshëm, teksa e dëgjon këtë deklaratë, duhet të pyesë më së pari veten: Ky Berisha mos po tallet me ne, me aftësinë tonë të mangët e të cekët për të gjykuar mëvetësisht dhe demokratikisht në ditën e zgjedhjeve, apo vërtet beson se ne kemi qenë dhe kemi mbetur një popull-tribu, i paqytetëruar, i pakulturuar, i cili mund të gënjehet e tërhiqet për hunde, duke i bërë yshtje dhe magjira, si u janë bërë dikur fiseve primitive të indianëve? Apo mos vallë kjo sjellje është tregues i pastër i delirit, është siguria e pashërueshme e “të përjetshmit”, është paranojë e një pushtetari që rri gjatë në pushtet, është bindje se përnjimend shqiptarët e adhurojnë dhe e konsiderojnë një “Skënderbe të dytë”, ndaj në asnjë mënyrë nuk do të pranojnë të ndahen prej tij (kësaj here me vota, jo me dhunë!) edhe 12 vjet të tjera pas  22 viteve, sa janë bërë deri tani?
***
Në qoftë se Berisha e ka seriozisht këtë synim, ky është problem i tij, jo dhe aq i yni, si qytetarë. Shumë-shumë kjo do të thotë se ai beson e kujton se do të qëndrojë në pushtet për gati-gati gjysmë shekulli. Ky, me sa duket, është “kapari” që ai pretendon t’i jepet nga ne më 23 qershor... Ndoshta kësisoj shpreson se do të thyejë një rekord botëror në “murin kinez” të politikës, pasi as Skënderbeu, as Bonaparti, as Hitleri, as Hoxha, as Zogu, as Mao, duke përjashtuar vetëm Kastron, nuk kanë qëndruar kaq gjatë në pushtet. Aq më tepër pse nuk ka mundësi praktike e juridike (ndoshta duhet thënë: hë për hë!) që të mbajë pushtetin me një diktaturë të shpallur, si të lartpërmendurit, por me “vota të lira dhe demokratike”, gjë që e bën risinë e tij akoma edhe më të pashembullt e më të padëgjuar në mbarë historinë botërore! A thua nuk e kupton Berisha talljen që ai i bën sistemit demokratik? 

Tekefundit, për t’i shkuar kësaj pandehme deri në fund, pra po qe kështu, dmth nëse Berisha sinqerisht e beson këtë thagmë, - që ne jemi një popull që e duam dhe e ndjekim udhëheqësin deri në vdekje, sido që të sillet ai, e që, vetëm pas vdekjes së tij, e përmbysim, - atëherë del se ky është më shumë problemi ynë si shoqëri, si qytetarë, se sa i tij! Cila nga këto dy arsyetime logjike qëndron më pranë së vërtetës? Ky është përfundimi që duhet të nxjerrim.   

E po të kujtohet se ky lloj “blofi” tipik sulltanor nuk është i pari dhe as i fundit (Berisha e ka përsëritur disa herë se do të qëndrojë në pushtet sa kohë “t’i japë ymër Allahu, i plotfuqishmi”), del se ky synim i tij nuk besoj se artikulohet prej gojës së tij vetëm prej nevojave të ngutshme elektorale, dmth për të yshtur, indoktrinuar, gënjyer dhe ushqyer militantët me propagandë... Mund të hamendësohet, pa frikë se po gabojmë, se kryeministri aktual duhet të jetë i bindur se shumica e popullit, - pra jo vetëm ajo pjesë që voton për të, por edhe ata që nuk e duan e që nuk e votojnë - janë nën nivelin mesatar të qytetarisë evropiane; pra ne qenkemi, - gjithnjë sipas gjykimit të tij, - një lloj qytetari-katundarie primitive e biçimsëze, së cilës i mungokëka aftësia gjenetike për të arsyetuar mëvetësisht, bashkë me përgjegjësinë minimale për votën, për demokracinë dhe mirëqeverisjen... 

Sipas kësaj “llogarie elektorale”, ky lloj “populli i pagdhendur” dhe “pa kulturë të mjaftueshme demokratike” e meriton të trajtohet si kope, ndaj do të detyrohet të gjykojë medemek kështu: derisa Berisha, para kamerave e para syve të botës del e thotë zëplotë e me një siguri të padiskutueshme se ka për të qëndruar edhe 12 vjet të tjera në pushtet, pra 34 vjet gjithsej, atëherë përse të mos e votoj edhe unë?
*** 
Për hir të së vërtetës nuk është vetëm Berisha që e luan këtë blof poshtërues ndaj qytetarëve, këtë lojë të rrezikshme me zjarrin, i cili besohet se mund të sjellë automatikisht sukses (me gjasë do t’ia shtojë votat atij që di ta luajë përbukuri blofin!) për hir të mefshtësisë, trushpëlarjes dhe cektësisë së presupozuar të votuesve... 

Para disa ditësh e njëjta mendësi e shtyu edhe një deputet të LSI-së të shpallte me ngut një tjetër emër kryeministri, përveç atij të Ramës. Fushata në fakt dita-ditës po degradon në një lojë kukamçefti mes kandidatësh të vetëshpallur për kryeministër, edhe pse ne jemi një muaj larg zgjedhjeve e nuk ka sondazh që mund të parashikojë me saktësi se kush do të fitojë nesër... Aq më tepër që ende quhemi, së paku ligjërisht, Republikë Parlamentare dhe zgjedhjet nuk bëhen, si në SHBA dhe në Francë, për të zgjedhur me votë direkte presidentin (në rastin tonë kryeministrin), por, qoftë edhe formalisht (nga listat) 140 deputetë, të cilët kanë të drejtë, me shumicën 70 + 1, të përcaktojnë se kush do të jetë kryeministri i nesërm... E pra, duke qënë e përcaktuar kësisoj me Kushtetutë, përse bëhen të tilla blofe, kaq primitive dhe vulgare për emrin e kryeministrit, duke shmangur ballafaqimin e ideve dhe alternativave?! 

Në të vërtetë rasti i deputetit të Beratit nuk ishte një blof i mirëfilltë, por më së shumti një lojë me zjarrin, një gur i hedhur në lumë për të ndjellë e për të mbjellë paraprakisht përçarje e grindje (si u komentua nga jo pak analistë), por edhe si një taktikë e llogaritur, sipas mendësisë së mësipërme: ashtu si në rrugë e në lagje, edhe në politikë, fiton vetëm më “i forti”. Me sa duket krerët e sotëm partiakë vazhdojnë t’i konsiderojnë votuesit shqiptarë si mercenarë e, ndoshta, për këtë shkak, edhe kollaj të manipulueshëm e të gatshëm të blihen, të shiten, të tjetërsohen, të gënjehen, dmth të gatshëm të hanë sapunin për marmalatë, ngaqë janë të prirur të shkojnë pas berihajit, pas më të fortit, pas atij që e ka, ose që do ta marrë nesër pushtetin. A është kjo e vërtetë? 

Sigurisht, si te çdo popull edhe tek ne ka të tillë qytetarë, por ata kurrsesi nuk janë shumicë. Nuk e përcaktojnë të tillët fatin e zgjedhjeve e të kombit. Se, po të ishte kështu, atëherë nuk do të ndihej nevoja të përmbysej edhe tek ne diktatura dhe diktatori i djeshëm, të kërkohej pluralizmi dhe demokracia, vota e lirë dhe barazia në liri. 

Prandaj ky “blof” duhet vlerësuar si një tjetër lojë me zjarrin që bëjnë autokratët tanë të pandreqshëm dhe aspak si një çelës kopil “demokratik” për një tjetër sukses të pamerituar të tyre.  
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›