Blomeyer: Rrota e historisë s’kthehet prapa

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Peter Blomeyer ka thënë se Platforma e Serbisë nuk është relevante.
“Kjo platformë nuk është miratuar ende. Dialogu është duke u zhvilluar në Bruksel. Temat në këtë dialog janë caktuar nga Baronesha Ashton. Po ashtu, për atë se si procedohet ky dialog, këtë e përcakton Baronesha Ashton. Kështu që besoj që Platforma e Serbisë nuk është relevante” ka thënë Blomeyer për “Epokën e Re”.
Ai ka thënë se duhet të përqendrohemi që edhe në të ardhmen, Kosova dhe Serbia të dialogojnë sipas agjendës së Baroneshës Ashton dhe të mos përqendrohemi në idetë dhe mendimet e ndryshme që vijnë nga kushdo.
Ambasadori gjerman edhe njëherë ka përsëritur mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën.
“Gjermania i mbështet pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të saj, për faktin se rrota e historisë nuk mund të kthehet prapa” ka thënë Blomeyer./Indeksonline/