Topi-Rama: Politika, larg Prokurorisë
Në takimin me prokurorët, kreu i Shtetit u ka bërë thirrje pushtetarëve të heqin dorë nga ndikimi në hetime
Presidenti merr në “mbrojtje” organin e akuzës, përballë ndikimit politik. “S’mund të ketë prokurori politike”
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, merr “në mbrojtje” Prokurorinë, në betejën e saj me politikën. I pranishëm në Konferencën e Prokurorëve, Topi u ka kërkuar njerëzve të akuzës që të shpëtojnë nga ndikimi i politikës, duke i dhënë mbështetjen e tij publike kryeprokurores Ina Rama. “Politika mund të flasë nga ora shtatë e ditës së sotme deri në orën shtatë të ditës së nesërme. Politika është aktive, flet shumë, mburret shumë, bën shumë, sigurisht, edhe akuzon shumë. Ju keni një detyrë tjetër. Ju vërtet vareni nga institucionet që prodhon politika, ju buroni nga të gjitha varësitë kushtetuese institucionale, por ju keni në qendër të aktivitetit tuaj, karrierën profesionale në funksion të ligjit. Ju keni një detyrë të cilën dita ditës duhet ta forconi, duhet të bëheni të ndërgjegjshëm që nuk mund të ketë më prokurori politike, nuk mund të ketë më influenca politike. Një erë e re ka filluar të fryjë për Prokurorinë”,-tha presidenti përballë prokurorëve.
***
Në kohën që prokuroria ka në duar imunitetet e disa ministrave, kreu i Shtetit ka bërë thirrje që prokurorët duhet të fokusohen në rifitimin e besimit të qytetarëve shqiptarë. “Dëshirojmë të promovojmë figura, të cilat nuk tentojnë të gjejnë lidhje të shkurtra të influencës dhe të politikës, por bazohen mbi staturën e vet”,-theksoi Presidenti i Republikës, në konferencën për përzgjedhjen e prokurorëve, duke përmendur një tjetër handikap të sistemit tonë të drejtësisë, ku dikush burgoset me vite për vjedhjen e një celulari, ndërsa të tjerë që mund të kenë bërë vepra kriminale lëvizin të lirë. “Zaptues pronash lëvizin të lirë, i zhvillojnë ato prona, i implikojnë në procese të deformimit të pronave edhe punonjësit shtetërorë, i implikojnë edhe njerëz të cilët mund t’i kenë emëruar”,-tha presidenti Topi, duke shprehur mbështetjen për të ndërtuar një organ akuze pikërisht në standardet e shtetit ligjor.
***
Nga ana e saj, kryeprokurorja Ina Rama e vuri theksin tek çështjet teknike të hetimit, ku kërkoi me këmbëngulje angazhimin maksimal të prokurorëve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Jemi të vetëdijshëm që sfida që mbart shoqëria shqiptare është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sfidë kjo që na shoqëron në gjithë procesin tonë për anëtarësimin në strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe roli i prokurorisë në drejtim të rritjes se efikasitetit të kësaj lufte është vendimtar”,-tha kryeprokurorja Rama. Ajo kritikoi prokurorët se në disa raste, nuk kanë respektuar Procedurën Penale, duke harruar edhe të arrestuar në qeli. “Duhet të jeni shumë të kujdesshëm dhe të përkushtuar në shqyrtimin e vlerësimin e kallëzimeve penale dhe referimet e veprave penale, duke verifikuar me hollësi në lidhje me këto kallëzime dhe formulimi më pas i akuzave të jetë i provuar me prova. Duhet të jeni më të shpejtë në hetimin e çështjes dhe jo ta harroni të arrestuarin në qeli”,-tha kryeprokurorja Rama, duke kërkuar një përfaqësim sa më dinjitoz të akuzës në proceset gjyqësore dhe një rol më aktiv të tyre në gjykimin e çështjes para Gjykatës.
PRESIDENTI
“Ju keni një detyrë të cilën dita ditës duhet ta forconi, duhet të bëheni të ndërgjegjshëm që nuk mund të ketë më prokurori politike, nuk mund të ketë më influenca politike. Një erë e re ka filluar të fryjë për Prokurorinë”
KRYEPROKURORJA
“Duhet të jeni shumë të kujdesshëm dhe të përkushtuar në shqyrtimin e vlerësimin e kallëzimeve penale. Duhet të jeni më të shpejtë në hetimin e çështjes dhe jo ta harroni të arrestuarin në qeli”
VOTIMI
Të zgjedhurit e Këshillit të Prokurorisë
TIRANË- Rreth 300 prokurorë u mblodhën mëngjesin e djeshëm në Konferencën e Përgjithshme, për të zgjedhur me votim të fshehtë tre anëtarët e rinj të Këshillit të Prokurorisë Shqiptare. Në përfundim të procesit zgjedhor, i cili filloi paraditen e djeshme me prezantimin e 12 kandidaturave dhe përfundoi pasdite me shpalljen e fituesve, Përparim Kulluri, Olsian Çela dhe Sokol Stojani ishin të përzgjedhurit prej kolegëve të tyre. Tre prokurorët e shpallur fitues do të zëvendësojnë në detyrën e anëtarit të Këshillit të Prokurorisë, prokurorët Adnand Kosova, Arqile Koca dhe Arjan Madani, të cilëve u mbaroi mandati 3-vjeçar në ushtrimin e kësaj detyre, vetëm pak ditë më parë. Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme përbëhet nga 7 anëtarë, 5 prokurorë dhe dy përfaqësues, njëri nga Presidenca dhe tjetri nga Ministria e Drejtësisë. Këshilli i Prokurorisë organizon konkursin për kandidatët për prokurorë dhe të atyre që do të ngrihen në detyrë, shqyrton vlerësimin e punës, si dhe jep mendim për shkelje disiplinore të kryera nga prokurorët, për të cilat Prokurori i Përgjithshëm i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin nga detyra. Këshilli i Prokurorisë ka funksion këshillimor dhe ia paraqet në çdo rast mendimin e vet Prokurorit të Përgjithshëm. F.Vezaj
FITUESIT
Përparim Kulluri me 122 vota, Prokuror Rrethi në Shkodër
Olsian Çela me 108 vota, prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda
Sokol Stojani me 102 vota, prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme
KANDIDATËT E TJERË
Naim Tota, prokuror i Rrethit Gjyqësor Burrel
Anton Martini, prokuror i Krimeve të Rënda, Tiranë
Petrit Fusha, prokuror i Rrethit Gjyqësor Tiranë
Adnan Xhelili, prokuror i Rrethit Gjyqësor Tiranë
Albert Demirel, prokuror i Rrethit Gjyqësor Tiranë
Dritan Gina, prokuror i Rrethit Gjyqësor Durrës
Rajmonda Berisha, prokurore e Rrethit Gjyqësor Elbasan
Ermonela Felaj, prokurore e Rrethit Gjyqësor Berat, dhe
Xhemajl Salia, Prokuror Rrethi në Berat