Bluetsuuger” në Zurich
Gjatë muajit shkurt, aktori kosovar Diar Xani ishte ftuar nga Schlachthaus Theater, në Bern, për të qenë pjesë e komedisë “Bluetsuuger”, në regji të Christina Rast. Dhe, kështu u bë. Ai mori njërin nga rolet kryesor në shfaqje.
Mirëpo, duket se komedia në fjalë do të ketë jetë të gjatë në skenë, ngaqë vazhdon të udhëtojë nga një teatër në tjetrin. Ajo është pritur shumë mirë në teatrot e Gjermanisë, dhe ka qenë e ndjekur edhe nga mediat e njohura gjermane.
Premiera e shfaqjes u dha në dërrasat e teatrit të Bernit, në datën 28 maj, për të vazhduar pastaj me repriza deri më datën 5 qershor. Kjo, me qëllim të përmbushjes së kërkesave të artdashësve gjermanë, por edhe të atyre shqiptarë.
Xani falënderon publikun shqiptar, duke theksuar se ishte prania e tyre ajo që e inkurajoi që të luante edhe më mirë dhe me më shumë vullnet.
“Ndjehesha krenar që m’u dha rasti të dëshmohesha edhe para bashkatdhetarëve të mi”, kujton Xani, teksa pohon se është ndier mjaft mirë duke parë se salla gjithmonë ishte e mbushur plot.
Ai shprehet i lumtur që e luajti rolin me sukses, pasi për të ishte një barrë e rëndë që të luante rolin kryesor, në mesin e edhe tre aktorëve tjerë, që të tre zviceranë dhe aktorë shumë të njohur.
“U gëzova pa masë që në pjesën teatrale arrita t’i fusja edhe disa fjalë shqipe, të cilat për publikun tingëlluan në mënyrë tepër interesante”.
Ndërkohë, shfaqja udhëtoi edhe për në Stuttgart, gjegjësisht në Theater Rampe, ku premiera e saj u dha më 11 korrik. Reprizat pastaj vazhduan deri më 16 korrik.
“Në Stuttgart jam ndier edhe më mirë. Aty kisha gjashtë repriza dhe ka qenë vendi ku më kanë vizituar shumë shqiptarë, familjarë dhe njerëz të Konsullatës së Kosovës. Në secilën shfaqje, kur e dija që në sallën e mbushur plot ka edhe shqiptarë, më shtynte që të kem dëshirën, emocionin dhe veprimin maksimal”, thotë ai.
Ndryshe, pas sukseseve të deritanishme shfaqja do të udhëtojë në Theater “Winkelwiese” në Zürich, ku do të shfaqet prej datës 25 tetor e deri më 10 nëntor.
Ky projekt ka karakter shëtitës, kështu që më vonë do të shfaqet edhe nëpër teatrot tjera të Zvicrës, për të vazhduar pastaj edhe jashtë saj.
“Bluetsuuger” është një shfaqje e zhanrit të komedisë dhe në të, përveç Xanit, luajnë edhe aktorët Anja Tobler, Grazia Pergoletti e Mathis Künzler.