KFOR-i përkrah EULEX-in në kërkim të kriminelëve

Trupat e KFOR-it për tri ditë radhazi janë duke përkrahur EULEX-in në hetimet e krimeve të kryera gjatë javëve të fundit dhe duke kërkuar të dyshuarit e përfshirë në aktivitetet kriminale, sidomos për vrasjen e policit të Policisë së Kosovës, më 26 korrik në rajonin e Zubin Potokut.
KFOR-i ka zbarkuar njësite përforcuese në Zupç dhe Zubin Potok, në mënyrë që t’iu ofrojë hetuesve dhe policëve të EULEX-it një ambient të qetë dhe të sigurt për të kryer punën. Kërkimi do të vazhdojë derisa personat përgjegjës do të përballen me drejtësinë, në mënyrë që në mbarë Kosovën të sigurohet rendi dhe ligji, thuhet në komunikatë.
Me këtë rast KFOR-i shpreh përkushtimin për mbrojtjen e popullatës paqësore nga dorasit dhe radikalët, të cilët janë përgjegjës për trazira dhe krimet e kryera, ndërsa u bën thirrje njerëzve të ndershëm dhe paqësorë të bashkëpunojnë me hetuesit e EULEX-it dhe ushtarët që interesohen për sigurinë dhe rendin publik.
“Nga njerëzit në veri kërkohet që të mbështesin forcat e sigurisë duke i informuar ata për vendndodhjen e vrasësve të pretenduar dhe kriminelëve”, përfundon komunikata e KFOR-it.