E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi dhe kriza ideologjike e së majtës

BLEDAR KURTI

Ndër figurat kryesore të Partisë Socialiste që vazhdon të jetë në thelb i majtë, është Ben Blushi. Shkrimi/analizë i tij i kohëve të fundit meritonte vëmendjen e zemrave të majta në përgjithësi dhe kryetarit të opozitës në veçanti. Ashtu si edhe disa herë të tjera, Blushi vazhdon ti apelojë partisë së tij të drejtohet majtas, pasi, sipas tij, e konsideron veten të tillë vetëm për shkak se Berisha e konsideron veten të djathtë. Në shkrimin e tij Blushi ngre disa pyetje me vend, si: A duhet e majta? A jemi të majtë? Si mund të jemi të majtë? Dhe në fund e mbyll me një pyetje duke iu drejtuar lexuesve, por edhe vetë socialistëve: A ia vlen të fusësh elefantin në shishe? Pa dyshim. Por kjo nuk do të thotë të ndërrosh shishen. Do të thotë të ndërrosh elefantin.
Si shkrimtar i rafinuar, Blushi lë hapësirë për interpretim, duke lënë të kuptojë se elefanti mund të jetë ideologjia, ambiciet, moskoherenca e spektrit dhe emrit të partisë, drejtimi i gabuar etj., por elefanti mund të jetë edhe vetë kryetari Rama.
Pas tezës së Blushit mbi shtresën e mesme duket se nisi edhe interesi i analistëve dhe politikanëve për këtë shtresë së shoqërisë. Ky fakt, përveçse i shton kredite Blushit për nuhatje dhe racionalizëm të mprehtë politik, ka sjellë më në fund në qendër të opinionit publik dhe mediatik çështjen tejet delikate, gjer tani të injoruar qëllimisht, shtresën e mesme. Them qëllimisht, pasi duhet të kujtojmë se kjo shtresë është armikja numër një e politikës dhe, si e tillë, është mbajtur larg politikës. Shtresa e mesme është ajo që kritikon qeverinë, opozitën, politikën në përgjithësi, denoncon të padrejtën, korrupsionin etj., dhe e bën këtë pasi arrin ta dallojë, di si ta ngrejë zërin, dhe ka gjithmonë pretendime për standarde më të mira, qofshin këto politike, sociale dhe ekonomike. Mbi të gjitha, kjo shtresë është antikomformiste. Nëse të pasurit diktojnë politika dhe të varfrit diktohen nga politika, më e vështira për tu manipuluar apo diktuar është shtresa e mesme.
Por, pavarësisht injorimit dhe mënjanimit që i është bërë kësaj shtrese gjatë këtyre dy dekadave, është kuptuar tashmë nga të gjithë se politika, në mënyrë që të fitojë dinjitetin e munguar, duhet të rindërtojë marrëdhëniet e saj me këtë shtresë. Maxhoranca promovon taksën e sheshtë si urë e kësaj marrëdhënieje, ndërsa PS propozon se kjo mund të arrihet me anë të taksës progresive. Mendoj se të dyja palët duhet të rishikojnë sistemin e tyre të taksave, pasi njëra e dëmton shtresën e ulët, ndërsa tjera, progresivja, dënon më shumë pikërisht atë të cilën kërkon të promovojë, shtresën e mesme, dhe për më tepër, nuk inkurajon konkurrencën, mundësinë e dypunësimit, rëndësinë e edukimit dhe shtysën që duhet të ketë një individ për të punuar më shumë që të fitojë më shumë. Megjithatë, teza e Blushit dhe debati që po e pason është një e mirë që i shërben jo vetëm PS, por edhe të gjithë opinionit publik.
Gjatë shtatë viteve të fundit, PS ka kaluar një krizë të dukshme identiteti. Që nga viti 2005 gjer në vitin 2009, qëndrimi i PS si parti anti-Berishë nuk justifikohej politikisht dhe akademikisht, por edhe mund të pranohej nga zemrat e majta. Por pas vitit 2009 kjo parti nuk ka asnjë arsye të vazhdojë si e tillë, pasi jo vetëm që bëhet e lexueshme, e parashikueshme dhe aspak dinjitoze, por duke ndjekur Berishën nga pas do të hyjë (në fakt ka hyrë) në labirinte prej të cilave nuk mund të dalë dot. Edhe eksperimentet e politikës së re dhe politikës së vjetër, apo përtej së majtës dhe së djathtës mund të pranoheshin gjer në vitin 2009, por tani, një vit nga dita e rilindjes apo e humbjes së radhës, PS duhet të kthehet majtas. Dhe kjo jo vetëm sepse i shërben asaj për të ardhur në pushtet, por sepse i bën mirë edhe të gjithë shoqërisë në përgjithësi, e cila e ka të nevojshme një opozitë të majtë.
Sot PS është e ndarë në tri grupime: në të rinjtë e PS ku hyn vetë kryetari dhe prurjet e reja nga bashkia, Mjaft dhe G99, të cilët po ndjekin një linjë politike liberale të papërkushtuar në një ideologji të caktuar; grupi i të vjetërve, të cilët pavarësisht se janë të majtë në thelb, zgjedhin të ndjekin grupin e parë duke shpresuar te fitorja e zgjedhjeve të ardhshme dhe duke iu frikësuar heqjes së emrit në listën e ardhshme të deputetëve; dhe grupi i rebelëve, ose antikomformistëve, ku mund të përmenden Blushi, Malaj, Harasani, Bello e disa të tjerë. Ndërsa grupimi i parë mendon se shqiptarët do të sjellin PS në pushtet pasi janë të zhgënjyer me Berishën, grupimi i tretë mendon se shqiptarët duhet ta votojnë PS si parti e majtë, e cila sjell alternativa të reja dhe më të mira; për këtë arsye kërkojnë një identitet të qartë politik dhe një program të detajuar, i cili u shpjegon shqiptarëve se si do qeveriset vendi nesër.
Shkrimi i Blushit, fatkeqësisht, u botua kur kryetari Rama ishte në SHBA. Në daljen televizive në Top Story, kryetari i opozitës deklaroi se është shkruar nën frymën e Rilindjes duke lënë të kuptohet se ishte shumë mirë në dijeni të shkrimit të Blushit, megjithatë, z. Rama duhet ta lexojë dhe të meditojë mbi mendimet, analizat dhe sugjerimet e anëtarit të Kryesisë së PS, pasi nuk është akoma vonë që zemrat e majta të vazhdojnë të rrahin sërish majtas.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›