E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vit pa Profesor Ilir Gjylbegun

ORION GLIOZHENI

Sot mbushet një vit prej ndarjes nga jeta të prof. Ilir Gjylbegut. Dëshiroj që me ketë rast të shkruaj disa rreshta në kujtim të figurës së tij të ndritur dhe në respekt të profesorit tim të dashur. E gjej të udhës që për mësuesit e mi të kem gjithmonë mirënjohjen dhe respektin e merituar. Prof. Ilir Gjylbegu ishte një mjek i shquar, pjesë e plejadës së mjekëve që me vetëmohim, ndërgjegje, humanizëm e sakrifica bënë të mundur ruajtjen e shëndetit të grave e fëmijëve shqiptarë në ato vite të vështira. Ai ishte një njeri i thjeshtë dhe pedagog i shkëlqyer, që përveç profesionit, na edukoi edhe me ndjenjën e respektit për njerëzit dhe për vendin tonë.
Unë kam pasur fatin ta njoh dr. Ilirin (kështu e thërrisnin të gjithë) që kur isha fëmijë, për hir edhe të lidhjeve që unë kisha me maternitetin nëpërmjet tim ati. Në kujtimet e mia të fëmijërisë e kujtoj si një njeri punëtor të palodhur, me një mendje të mprehtë, me një humor të hollë dhe një shpirt të madh. Më pas, gjatë viteve që pata fatin të punoj me të, e vlerësova si një profesionist të talentuar, të sinqertë, gojëmbël, tepër të dashur e të afërt me pacientët, studentët, kolegët dhe mjekët e rinj, njeri me një zemër të madhe dhe me energji të pasosur.
Është e vështirë të jesh një mjek i vërtetë, me shpirt humanist për ti shërbyer me ndërgjegje të plotë popullit tënd, pa menduar për përfitim personal; por pikërisht kjo e bëri prof. Ilirin një figurë të nderuar e të respektuar nga të gjithë. Për botën ai ishte vetëm një person, por për shumë gra ai ishte gjithë bota.
Ai ishte një njeri i thjeshtë dhe zotëronte një mënyrë të veçantë komunikimi me njerëzit, studentët e kolegët. Shpirti i tij i thjeshtë e ka bërë kurdoherë të përshtatet në mënyrë perfekte me çdo ambient, me çdo njeri, me çdo situatë, duke u bërë i mirëpritur nga të gjithë. Nga ana tjetër, mbetet kompleks në figurën e njeriut dhe mjekut, të interesave dhe të veprimeve. Pikërisht për këto arsye unë e vlerësoj si një personazh emblematik, karizmatik, dinjitoz dhe largpamës.
Aftësia edukuese është një tjetër virtyt i çmuar i prof. Ilirit, një dhunti e lindur dhe që vlerësohet me siguri nga të gjithë ne që kemi qenë nxënësit e tij. I pajisur me një inteligjencë perfekte, operativitet të përkryer, vullnet të fortë, fantazi të pasur, ai do të mbetet simboli i mësuesit të përkushtuar, edukatorit shembullor dhe njeriut që diti të transmetojë në mënyrë perfekte dijet dhe eksperiencën e tij të çmuar te nxënësit dhe kolegët e tij.
Vitet e tij të punës nuk ishin të lehta dhe mjekët obstetër-gjinekologë në atë kohë ishin të paktë në numër. Rastet e vështira dërgoheshin gjithmonë në Maternitetin e Tiranës. Me fillimin e formimit e specialistëve të parë, orientimi i Katedrës ishte që këta mjekë të rinj të ndihmoheshin edhe në rrethet e tyre, me qëllim që të krijonin edhe ata përvojën e punës në këtë specialitet. Prof. Iliri ka qenë nga ata mjekë që kanë shëtitur në të gjitha rrethet e vendit, duke ndihmuar kështu jo vetëm pacientët, por edhe mjekët përkatës të këtyre rretheve (të cilët sot e falënderojnë nga zemra). Ai mbante mbi shpatulla edhe peshën e përgjegjësisë morale e ligjore, jo fort të lehtë në ato kohëra. Ishin të paktë ata mjekë që mund të mbanin mbi supet e tyre ngarkesa të këtij lloji dhe vetëm mjekët e vjetër që kanë jetuar atë kohë mund ta kuptojnë rëndësinë e një fjale, konkluzioni apo raporti mbi një rast të caktuar që mbante poshtë firmën e prof. Gjylbegut. Pak mjekë në atë kohë kishin Voce in capitulum për të mbyllur një problem teknik, që fare lehtë mund të transformohej në një problem politik dhe dr. Iliri ishte një nga ata që bëhej mburojë për nxënësit e tij. Ai reflektonte gjithmonë mirësi në shpirt e dashuri në dhënien e profesionit. Kështu e kujtoj unë dr. Ilirin, njeri të ndershëm, të aftë, punëtor të palodhur, njeri që nuk mërzitej dhe që vazhdimisht i ka vënë njohuritë e tij të pasura profesionale në shërbim të njerëzve dhe të kolegëve.
Ai ka qenë autor i disa librave, i dhjetëra referateve e punimeve shkencore dhe novator në futjen e teknikave të reja kirurgjikale në gjinekologji. Ai vazhdoi të ishte pranë nesh edhe për shumë vite pas daljes në pension, deri në ditët e fundit të jetës së tij dhe jo vetëm në spital, por edhe në të gjitha aktivitetet shkencore e shoqërore që ne organizonim. E konsideronim të gjithë si një ikonë të Maternitetit dhe mungesën e tij e ndiejmë sot, por dhe në vitet që do të vijnë.
Prof. Ilir Gjylbegu është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit me Urdhrin Naim Frashëri I dhe nga Presidenti i Republikës me Urdhrin Mjeshtër i madh i punës.
Të gjitha këto janë shumë pak për të përmbledhur figurën komplekse të dr. Ilirit. Ndoshta do të duhet të mblidhen kujtimet e mijëra grave, të qindra mjekëve dhe të familjarëve të tij për të shkruar më pas një libër për jetën dhe veprën e këtij njeriu të madh.
Mendoj se është shumë e rëndësishme për të gjithë ne të njohim historinë e kombit tonë, sepse pa njohur atë, nuk mund të njohim as veten; ai që nuk respekton të kaluarën, nuk është i vlefshëm as për të tashmen. Duke qenë në profesionin e mjekut është e domosdoshme të njohim dhe respektojmë historinë e paraardhësve dhe mësuesve tanë, të armatës se mjekësisë shqiptare që ka lënë gjurmët e saj në brezin e sotëm dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Vepra e tyre në dobi të njerëzve është krenari për kombin dhe unë përpara veprës së prof. Gjylbegut përulem me respekt, dashuri e mirënjohje. Ajo që lëmë pas nga jeta jonë, në pastë vlerë e rëndësi, kjo është e të tjerëve që vijnë pas nesh.
Mësuesit janë si qiriri, ata konsumojnë vetveten për ti dhënë dritë jetës së të tjerëve. Kontributi i mësuesve dhe mjekëve jeton shumë gjatë, edhe pasi ata ndahen nga jeta. Frytet e punës së tyre vazhdojnë të jetojnë në studentët dhe pacientët e tyre. Ajo çka  kemi bërë për vetveten vdes bashkë me ne; ajo çka kemi bërë për të tjerët mbetet dhe është e pavdekshme. Në këtë kontekst, fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen ndaj punës dhe veprës së prof. Ilir Gjylbegut.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›