Përshëndetje nga Gjibraltari
Gjibraltari pranohet me 28 mijë banorë në UEFA e Kosova vazhdon të flejë në gjumin e thellë. Një gjë tani është bërë e qartë dhe nuk do t’i hedhet hi syve opinionit goxha masiv futbolldashës në Kosovë. Pas vendimit në mbledhjen e Stambollit për t’u pranuar ky vend i vogël, i cili nuk njihet nga askush në botë si shtet, dëshmon më së miri se FFK-ja nuk i ka kryer punët mirë. Ose më mirë të thuhet ka punuar krejt gabimisht, apo ndoshta edhe nuk di se si duhet t’i qaset problemit. Gjibraltari nuk është pranuar brenda 24 orësh, por pas punës së palodhur që ka bërë. Gjatë viteve të mëparshme ai vend sado i vogël ka punuar duke angazhuar avokatë sportiv, të cilët e njohin punën dhe e dinë shumë mirë se cili ishte dokumentacioni i duhur për t’u dërguar në UEFA. Në ato dokumente paraqitet gjendja faktike e futbollit të atij vendi dhe pas rishqyrtimit të tyre, në fund shtëpia kryesore e futbollit evropian vendosi në dobi të anëtarit më të ri. E te ne administrata aktuale e FFK-së nuk është në gjendje të përballojë punën as në terrenet lokale. Është Federatë e dobët financiarisht, e cila nuk ka gjasa të angazhojë avokatët sportivë nga jashtë, ngase ata kushtojnë. Te ne nuk ka të tillë të specializuar dhe gjasat janë të mëdha që të mbetemi jashtë sistemit edhe për shumë vjet, edhe atëherë kur të pranohemi në OKB. Fajin për këtë gjendje në të cilën ndodhet futbolli kosovar e ka qe 13 vjet kryekëput FFK-ja. Është cekur edhe në kolumnet e kaluara se FFK-ja duhet të udhëhiqet nga një biznesmen i fuqishëm. Shteti nuk e ndihmon financiarisht FFK-në dhe as që duhet ta ndihmojë ngase federatat e futbollit në tërë Evropën janë totalisht të pavarura.
Po të investonte dhe t’i lirohej rruga në federatë një biznesmeni serioz gjërat do të ndryshonin ngase vetëm një biznesmen i fortë do të arrinte të paguante avokatët sportivë pa të cilët nuk ka shanse të bëhet as hapi i parë drejt ndërkombëtarizimit. Të gjithë besojmë se ka njerëz të interesuar që të çojnë përpara proceset, por ata duhet të jenë njerëz të rinj dhe me vizion brenda FFK-së. Me këta që aktualisht janë do të depërtohet shumë vështirë. Në fund të fundit është shumë e çuditshme se si FFK-ja edhe këtë herë jo që nuk kishte informata për pranimin e Gjibraltarit, por nuk pati informata se a do të flitet apo jo qoftë vetëm edhe një fjalë për futbollin e Kosovës në mbledhjen e zhvilluar në Stamboll. Dhe si zakonisht të gjithë u befasuan.