E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gloria nuk kërkon lavdi

EDMOND TUPJA

Po, kështu është, kjo zonjë që, me sa di unë, po u afrohet të tetëdhjetave, vërtet nuk kërkon lavdi. Lavdia nuk bën pjesë në aspiratat e saj, tashmë fare të pakta, në mos të munguara. Lavdinë ajo ua ka lënë politikanëve, në pushtet apo në opozitë qofshin ata. Lavdinë ua ka lënë biznesmenëve të pasur, gazetarëve të mirënjohur, opinionistëve mendjendritur, analistëve të paarritshëm, artistëve e sportistëve të famshëm, gjykatësve e prokurorëve hijerëndë etj., etj. Lavdinë ua ka lënë gjithë ambiciozëve të këtij vendi, tërë atyre që e shohin veten në ëndërr të mbuluar me dafina, diploma, çmime, medalje e tituj nga më të ndryshmit në nivel kombëtar e ndërkombëtar.  Gloria jeton vetëm me të birin, Maqon, që mbushi 55 vjeç para dy ditëve. Atij ia ka kushtuar gjithë jetën deri më sot e do tia kushtojë derisa të mbyllë sytë. Por për çka ka nevojë ajo? Vetëm për një gjë: tia lënë të qetë të birin. Të birin e vetëm. Të birin që, pavarësisht moshës, ka mbetur një fëmijë i dëlirë, i padjallëzuar. Me handikap, siç thuhet e shkruhet sot. Të cilit i pëlqen të dalë e të shëtisë i vetmuar nëpër Tiranë. Pa praninë e së ëmës, e cila as ka më fuqi ta ndjekë. Ai ndihet mirë kur shëtit. Nuk bezdis asnjeri, as të madh, as të vogël. Mirëpo të tjerët nuk sillen të gjithë njësoj me të: Të tjerët, në sytë e në zemrën e tij fëminore, ndahen në tri kategori: 1) të mirët, por, mjerisht, më të paktit, ata që i thonë një fjalë të ëmbël, të sinqertë. Çka mjafton për ta bërë atë të ndihet i qetë; 2) indiferentët, ata që nuk e vënë re ose që bëjnë sikur nuk e vënë re dhe që, për të, janë thjesht kalimtarë; 3) të këqijtë, ata që zbaviten duke e ngacmuar me fjalë, duke i gjuajtur me ndonjë shuk letre, ndonjë gur të vogël, madje duke e shtyrë apo edhe duke e rrëzuar,  derisa ia prishin humorin e brishtë dhe dikush që e njeh se cili është, e kthen në shtëpi të nervozuar, të tronditur deri në krizë: atëherë, Glorias, së ëmës së dhembshur e të vuajtur, i duhen orë të tëra, madje jo rrallë një natë e plotë për ta qetësuar, derisa vjen dita dhe ai kërkon përsëri të dalë të shëtisë ngaqë i pëlqejnë gjërat e thjeshta të jetës së përditshme: një copë qiell blu, një vesë shi, një cicërimë zogu, një vitrinë dyqani, një muzikë që ushton diku, një grup fëmijësh që luajnë me top…
Gloria nuk kërkon lavdi. Ajo, zemërdridhur sa herë i biri del shëtitje, uron vetëm që të mos ia ngacmojë njeri, që ai të kthehet në shtëpi me humor të paprishur. Ndodh që kjo dëshirë ti realizohet. Por më shpesh ndodh e kundërta. Me sa duket, në shoqërinë tonë, sadizmi nuk ka brirë: ata që ia ngacmojnë të birin, të tillë janë, sadistë, individë me ndërgjegje të përdalë e shpirtin katran (në paçin shpirt), pa pikë dhembshurie, pa kurrfarë empatie. Gjithsesi, faji nuk është krejtësisht i tyre, ai është edhe i tërë sistemit tonë edukativ, i tërë hallkave të tij: i familjes, i strukturave të arsimit parashkollor e shkollor, i komunitetit, i shtetit, i mbarë shoqërisë sonë, që, brez pas brezi, i ndan pjesëtarët e saj në normalë e anormalë pa këmbëngulur në faktin që anormalët, handikapatët, të vonuarit apo të prapambeturit mendorë, autikët e të prekurit nga sindroma e Daunit janë njerëz të brishtë që duhen mbrojtur dhe jo të shërbejnë si pika shkarkimi për energjitë negative të një numri individësh të neveritshëm, të cilët argëtohen duke u tallur publikisht me këta fatkëqij, duke ua nxirë edhe më keq jetën e sterrosur atyre që, si Gloria sot e si unë nesër, nuk do të jenë më në gjendje ti mbrojnë fëmijët e tyre të pafajshëm (të goditur nga Natyra, Rastësia, Fati, Perëndia?) në jetën e përditshme e aq më pak pas vdekjes së tyre, kur ata shohin veten mirëfilli jetimë. Gloria nuk kërkon lavdi. Ajo nuk merret as me politikë, as me biznes, as me art, as me sport, as me spiritizëm, as me thashetheme etj., etj. Ajo, prej dekadash, nuk thur më ëndrra. Ajo nuk shpreson më asgjë. Ajo bluan brenda vetes fatkeqësinë e saj dhe të të birit. Ajo nuk ankohet, nuk mallkon, nuk shkon më në organet kompetente për të kërkuar drejtësi. Ajo nuk lyp mëshirë. Përballë paaftësisë së shtetit e të shoqërisë sonë për ta mbrojtur të birin e saj, ajo hesht duke vuajtur dhe vuan duke heshtur. Vuan për të birin, për të tashmen e sidomos për të ardhmen e tij pas vdekjes së saj. Ajo nuk pret më asgjë nga askush. Madje edhe mua ma kishte ndaluar ti botoja këto radhë. Por unë po i botoj sepse vuajtja e saj është edhe e imja. Se djali i saj është edhe i imi. Në fund të fundit, pse jo, edhe i yti, o lexues i ndjeshëm e i edukuar i rubrikës sime të së dielës! O lexues që duhet patjetër të marrësh anën e Glorias! E Glorias që nuk kërkon lavdi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›