E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdoani-Obamës: E latë Irakun në duart e Iranit

25-03-2012 / “Zaman”

Një këshilltar i një zyrtari të lartë të shtetit turk citoi kryeministrin turk, Rexhep Tajip Erdoan, t’i ketë thënë Presidentit të SHBA-ve, Barak Obama, pas tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku në dhjetor të vitit të kaluar se: “Ju (SHBA-të) e latë Irakun në duart e Iranit me t’u tërhequr nga vendi”. Me fjalë të tjera, Erdoan po reflektonte pakënaqësitë e tij lidhur me rritjen e influencës së Iranit në Irak pasi SHBA-të tërhoqën trupat nga vendi. Kjo histori e shkurtër të cilën këshilltari e ndau me mua, po ashtu lë të kuptohet një divergjencë mendimesh mes kryeministrit Erdoan dhe ministrit të Jashtëm Davutoglu, arkitektit të politikës kontraversiale mbi Iranin. Në një artikull të publikuar me 16 nëntor të vitit të kaluar, unë kam argumentuar se politika aktuale e Turqisë në lidhje me Iranin, e cila mund të përmblidhet si tepër mbështetëse ndaj këtij vendi kundër p.sh. presionit ndërkombëtar të ushtruar mbi Teheranin lidhur me programin e supozuar të zhvillimit të armëve bërthamore, është problematike nga perspektiva të ndryshme. Në të njëjtën kolonë unë thashë se ministrit turk të Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Taner Yaldez, thuhet si i ishte sosur durimi gjatë një takimi të kabinetit në të cilin ai ishte ankuar për Iranin, duke e akuzuar se ishte mosmirënjohës ndaj gjesteve të Turqisë. Po ashtu thuhet se ai ka kritikuar Davutoglunë për mënyrën se si e trajtonte regjimin e Teheranit. Yaldez, i cili prej kohësh ka qenë i shqetësuar lidhur me politikën e Iranit që kërkonte tepër nga gazi që i siguronte Ankarasë, njoftoi me 14 mars se Turqia kishte vendosur që ta dërgonte këtë shtet të Gjykatën Ndërkombëtare të arbitrazhit lidhur me çmimin e gazit natyral iranian, pasi Teherani refuzoi të ofronte ulje. “Çmimi i paguar për importimet e gazit nga Irani është mbi pazarin ndërkombëtar”, theksoi Yëldëz. Turqia importon çdo vit 10 miliardë metër kub gaz nga Irani, çka e bën atë furnizuesin e dytë më të madh pas Rusisë. Megjithatë, Yëldëz mohoi që vendimi i Turqisë për ta paditur Iranin në gjykatë do të ketë ndikim negativ në marrëdhëniet në përgjithësi mes dy vendeve. Tani më thuhet nga një këshilltar i një zyrtari të lartë se kryeministri Erdoan po ashtu nuk shihet sy-më-sy me Davutoglunë kur vjen puna tek Irani. Pakënaqësia e Erdoanit me Teheranin, sipas këshilltarit, u bë edhe më e dukshme pasi Turqia në vitin 2010 votoi kundër sanksioneve të vendosura nga Kombet e Bashkuara mbi Iranin lidhur me planet e pretenduara të zhvillimit të armëve bërthamore, çka bëri të ngrihet pyetja nëse Turqia ishte bërë hallka më e dobët në NATO-s duke marrë anën e Iranit. Erdoani thuhet se dëshironte që Turqia të abstenonte në vend të vendosjes së vetos kundër sanksioneve ndaj Iranit. Por, dëshira e Davutoglusë për vendosjen e vetos ishte më e fortë se zgjidhja e Erdoanit për të abstenuar. Erdoani thuhet se në përgjithësi nuk ia zë besën Iranit dhe nuk është i kënaqur me influencën e Teheranit në Irak dhe Siri, apo mbi regjimin e Asadit. Turqia ia ka vënë vizën Presidentit të Sirisë, Bashar Al-Asad, një herë e një kohë mik i mirë i Ankarasë, qëkur ai urdhëroi ushtrinë e tij të shtypte opozitën. Shumica dërrmuese e popullsisë së Turqisë është suni, teksa e Iranit është shii. Kjo ndarje sektariane është zgjeruar që prej fillimit të konflikteve në Lindjen e Mesme vitin e kaluar, teksa kryengritjet popullore kundër regjimeve autokratike vijuan në një sërë vendesh në rajon. Ankaraja, ndërkohë, beson se Irani ka qenë pas përkeqësimit të fundit të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Irakut. Kryeministri i Irakut, Nouri al-Maliki, shii i afërt me Iranin, kritikoi ashpër Turqinë me 14 Janar për atë që ai e quajti “ndërhyrje të papritur” në punët e brendshme të vendit, duke deklaruar se roli i Ankarasë mund të sjellë fatkeqësi dhe luftë civile në rajon - diçka nga e cila do të vuante edhe vetë Turqia. Ankaraja beson se Irani e ka motivuar Malikin për të bërë deklaratat kritike për Turqinë, të cilat sipas burimeve diplomatike, janë të pabaza. Disa burime diplomatike turke pranojnë se, për momentin, marrëdhëniet turko-irakiane janë mjaft të këqija. Ministri i Punëve të Jashtme Davutoglu, po ashtu, është në dijeni të armiqësisë së Iranit kundrejt Ankarasë. Megjithatë, ai akoma është i qepur pas një politike dialogu me Teheranin, ndonjëherë duke paguar si haraç zemërimin e Erdoanit dhe të një sërë ministrash të tjerë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›