Blushi: Me Europën nuk na dallon më raca, gjuha, ideologjia dhe feja, por paligjshmëria
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, në një analizë të botuar në të përditshmen Panorama, thotë se me Europën nuk na ndan më raca, feja apo ideologjia, por vetëm paligjshmëria.
Në përgjithësi ne jemi një vend që nuk e zbaton ligjin, shkruan Blushi.
Sipas tij, në Shqipëri këto dy dekada ka pasur pluralizëm, por nuk ka pasur demokraci.
Me fjalë të tjera, ka pasur shumë parti, por ato nuk e zbatojnë ligjin.
Po ashtu Blushi thotë se kemi pasur ekonomi, por jo zhvillim, duke theksuar se nuk prodhojmë shumicën e gjërave që konsumojmë.
Në këta 20 vjet ne kemi pasur shtet të pavarur, por nuk kemi pasur shtet të së drejtës, shkruan ai.
Sipas Blushit, nuk qëndron arsyetimi se jemi vend i vogël dhe për këtë BE nuk na ka ndihmuar.
Ky është thelbi i këtij bashkimi. Europa është bashkësia e vendeve të vogla, shkruan Blushi.
Deputeti socialist thotë se kufijtë e Europës janë afruar shumë.
Ne nuk mund ti largohemi Europës edhe sikur të duam.
Ndër ne europianët fituan mbi antieuropianët dhe gjithmonë do fitojnë.
Në fund ai e mbyll shkrimin: Çfarë duhet të bëjmë ne që të bashkohemi me Europën? Shumë e thjeshtë. Duhet të zbatojmë ligjin. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Çdo gjë më shumë do ishte teprim dhe çdo gjë më pak do ishte teprim./ep