E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Nëse Rama nuk njeh zgjedhjet, nuk ka pse jep dorëheqjenNga Opinion, TV KlanAnëtari i Kryesisë së PS, Ben Blushi, nuk pranon se është në garë akoma. Ai thotë që ishte një nga hartuesit e listës së deputetëve dhe se ishte PS dhe jo Rama që larg

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Blushi: Nëse Rama nuk njeh zgjedhjet, nuk ka pse jep dorëheqjenNga Opinion, TV Klan

Anëtari i Kryesisë së PS, Ben Blushi, nuk pranon se është në garë akoma. Ai thotë që ishte një nga hartuesit e listës së deputetëve dhe se ishte PS dhe jo Rama që larguan Metën. Blushi thotë se, pse Fevziu ka mik Berishën, nuk do thotë që edhe ai e ka mik

Në raportin paraprak të vëzhguesve thuhet se ka pasur probleme me numërimin, votime të parregullta etj. Si i vlerësoni këto probleme, ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve?

Këto zgjedhje kanë pasur defekte. Defekte që përgjithësisht janë pjesë e kulturës sonë të administrimit të votës prej vitesh. Në çdo zgjedhje, ka palë që ankohen, komisionarë që prishin, kuti të panumëruara. Unë nuk po i komplimentoj këto zgjedhje, por nuk hyj as tek ata që mendojnë se ishin këto zgjedhje që na e mohuan ne fitoren si të majtë. Unë kam qenë në një qark që u nda në mënyrë të balancuar fitorja. Në Korçë, për shembull, e kam të vështirë të gjej evidenca të vjedhjes së votës.

Ju mendonit të merrnit 71 vota, ku dështoi PS?

Unë hyj tek ata që besoja se për shkak të ndryshimeve që bëmë në 2005, që zgjodhëm një kryetar të ri dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, do të kishim marrë një rezultat më të mirë. Por, pavarësisht kësaj që unë besoja, rezultati ishte ndryshe. Nuk mund të mos jem realist dhe të mos përkthej se si votoi shqiptari më 28 qershor. Ne nuk arritëm të bënim koalicionin fitues, ndaj nuk fituam. Sepse zgjedhjet bazoheshin në koalicion në bazë të sistemit. Kjo është arsyeja. Përse nuk e patëm këtë koalicion, e kam të vështirë ta them, por ne nuk e patëm. Për shembull, në Korçë, ka një komunë që quhet Liqenas, me 4% të popullsisë. Aty është një parti minoritare maqedonase, që hyri në koalicion me PD, dhe aty fitoi e djathta. Koalicioni i djathtë ishte më inteligjent se ai i yni.

Pse gaboi Partia Socialiste? Rama gaboi me LSI, ashtu siç gaboi dhe Nano në vitin 2005. A ju pyeti Rama për LSI para zgjedhjeve parlamentare?

Historia me LSI është shumë e ngatërruar. Në dy palë zgjedhje, ne humbën për të njëjtën arsye, përçarjen me LSI. Edi Rama, me zgjedhjen në krye të selisë rozë, premtoi bashkim në të ardhmen, por nuk e bëri. Tentuam bashkim me LSI në zgjedhjet lokale të 2007-tës dhe pati efekt pozitiv. Pas këtij viti, u konfliktuam sërish. Ndaj, ne në këto zgjedhje kërkuam qeverisje autonome, pa koncesione, pra pa koalicion. LSI nuk na dha garanci të mëdha pas vitit 2007, gjuha e tyre ishte shumë e ashpër ndaj nesh. Ajo që ndodhi më 28 qershor, ishte edhe për shkak të LSI. E mora shembull Liqenasin, për të thënë se deri ku shkoi koalicioni i djathtë për të fituar edhe 400 vota. Rama s’e dinte që na duheshin votat e liqenasve, por votat e LSI na duheshin. Konfliktualiteti ka qenë i dyanshëm. Nuk arritëm dot të kishim një raport besimi, për shkak të raportit të vështirë mes Ramës dhe Metës. Ka një raport që ndryshoi dhe u vështirësua në 2007, mes Ramës dhe Metës. Dy miq të vjetër që kanë bashkëpunuar dhe bashkëqeverisur nuk arritën dot të ishin bashkë në këto zgjedhje.

Pas analizës që bëtë, duhet të qëndrojë Rama apo jo?

Procesi i administrimit të zgjedhjeve s’ka mbaruar, por ai politik ka mbaruar. Nëse Rama duhet të pyesë sot, duhet të jap dorëheqjen apo jo, duhet t’i thosha jo. Kjo sepse procesi administrativ nuk është mbyllur dhe duhet ta çojë deri në fund. Rama duhet të zbatojë statutin e PS. Ai thotë, kur nuk vjen në pushtet partia, jep dorëheqjen.

Rama nuk pranon humbjen, ai bën deklarata të forta opozitare. Ju ndaheni këtu, sepse ai thotë, u grabitën, ndërsa ju thoni që s’kemi fituar. Si do e zgjidhni këtë situatë?

Do ta zgjidhim duke menduar ndryshe. Ka shumë gjëra që unë dhe Rama nuk i mendojmë njësoj. Ka patur një mbledhje Kryesie, kur ne e bëjmë këtë bisedë. Duhet të tregohemi seriozë, s’duhet të ngremë alibira.

Sipas statutit, Rama duhet të japë dorëheqjen, por mund edhe të kandidojë përsëri. ǒmendim keni, nëse ndodh kjo?

Nëse Rama dhe PS, e cila ka 60 mijë-70 mijë anëtarë, nuk pranojnë zgjedhjet, ai s’ka pse jep dorëheqjen. Nëse po, e dha dorëheqjen, ai tregon se pranon humbjen dhe se bie programi i tij. Për këtë arsye s’mund të jetë më kryetar i PS dhe s’mund të rikandidojë.

Keni ndonjë projekt nga ana juaj për të kandiduar për kryetar të PS?

Nuk ka garë në PS, unë nuk jam një kandidat tani që po flasim. Z. Malaj mund të jetë në garë, unë nuk jam. E kam kundërshtuar në Kryesi mosnjohjen e zgjedhjeve dhe bojkotin e parlamentit. Jemi të detyruar t’i njohim zgjedhjet edhe me ndonjë parregullsi. Zgjedhjet mund të kenë defekte, po nuk na i kanë vjedhur.

A ka shpresë që Nano të kthehet në PS pas rezultatit?

Sot që flasim, qoftë Nano, qoftë Rama, ndonëse janë të ndryshëm në shumë aspekte, janë të barabartë në faktin se kanë humbur nga një palë zgjedhje. Unë them që Rama nuk duhet të rikandidojë, kur jep dorëheqjen. Dhe kjo nuk do të thotë të kthehet Nano, është e njëjta gjë. Do të ishte kthim mbrapa për PS.

Në PS, sa herë ka një problem, ka gjithmonë një palë që thotë se je me Saliun. Unë jam një mik i vjetër me Fevziun dhe se ai është mik me Saliun, nuk është problemi im, është një faturë që duhet ta paguajmë. Ne nuk i kemi fituar zgjedhjet, por as Berishën nuk e kanë inkurajuar. Ai ka marrë një votë të rezervuar nga shqiptarët, për reformat, korrupsionin, integrimin, Gërdecin.

Mendoni që cilësia e listave pati rëndësinë e saj në rezultatin e PS?

Nuk mund të më shihni në pozicionin e njerëzve që bën gjëra me shokë dhe thotë s’i kam bërë. Unë kam pas dijeni për listat, kam pas influencën time sidomos për qarkun e Korçës dhe nuk mund të ankohem.

Mendoni se në këtë rezultat ka pas ndikim edhe qëndrimi i Ramës në bashki dhe mos-dalja e tij si kandidat në lista?

Mund të ketë krijuar një ambient pasigurie. Një nga arsyet që ne nuk morëm diferencën e duhur për fitore, ishte edhe mënyra se si Rama zgjodhi të performonte në fushatë. Do të ishte mbase rezultat tjetër, nëse Rama do dilte drejtpërdrejt me Berishën. Duhet të dilte në një debat me të. Nuk ka zgjedhje pa debat liderësh në asnjë vend të botës, sepse krijohet kontrast. Nuk duhet t’i kishte ikur debatit, duhet ta kërkonte vetë. Unë e kam mbrojtur punën e Ramës në bashki, sepse ky njeri ka fituar tri herë në Tiranë. Besoj se Bashkia e Tiranës kishte arsye të shfaqej si një model suksesi. Duhej betejë kokë më kokë, pse duhet të dija unë me Ridvan Boden dhe pse jo të tjerët. Shumica e kandidatëve kanë bërë debat dhe ky ishte një standard. Një debat Rama-Berisha do na kishte dhënë më shumë vota.

Si e gjykoni koalicionin PD-LSI?

Ky koalicion mund të jetë i padrejtë, por është legal. Çdo socialist mund të hakmerret me mua se si ka mundësi që s’i them Berishës dhe Metës, maskara, kjo s’është gjuhë politike. Di një gjë, nëse ne do të kishim marrë të paktën një mandat më shumë se Sali Berisha, historia e pas 28 qershorit do të ishte më ndryshe. Meta ka bërë një zgjidhje pragmatiste. Ne shpresonim që do të kishim mbi 71, humori elektoral ndryshon dhe sidomos ne që jemi në garë e ndjejmë dhe ne besuam që mund t’i merrnim 71 mandate. Por kishte njerëz që mendonin se s’do të merrnim aq shumë, por detyrimi jonë ishte të merrnim një mandat më shumë se Sali Berisha.

Për sa i përket së ardhmes, ka një fitore historike në parlament, 65 mandate. Pra, kemi një sfidë për ta mbajtur kompakt këtë grup. Si e shikoni që nga ky moment PS?

Varet se si do ta administrojmë këtë, të kemi një frymëzim të domosdoshëm për të bërë opozitë. Një nga gjërat që do të korrigjojmë është që të ndryshojmë ato që s’i bëmë në 4 vitet e kaluara. Një nga kostot që kemi marrë është se opozita jonë nuk ishte gjithmonë bindëse. Ju thatë një opozitë e jashtëzakonshme, kjo është për shkak të sistemit. Shumëkush nuk e dinte se kush do të fitonte, por dihej që do të ishte një qeveri shumë e ngushtë dhe një opozitë shumë të madhe. Kjo gjë është një fitore e vogël. Kemi një fitore në mes të një humbjeje. Kemi një opozitë me 65 mandate.

Si do ta bëni opozitën, kur lideri mungon? Ka një vendim për të mos hyrë në parlament dhe për të mos njohur zgjedhjet, cili është mendimi juaj?

Unë jam kundër mosnjohjes së zgjedhjeve. Jam kundër daljes së PS nga parlamenti. Kjo mund të ketë një kosto tjetër, mund të na kushtojë më shumë nga ajo që mendohet, pasi po afrohen zgjedhjet lokale. Kemi krijuar imunitet që kryetarin të mos e kemi në parlament, nuk e di çfarë vendimi do të marrë ai në të ardhmen.

Aleatët janë shprehur të pakënaqur, si do të unifikoheni?

Unë nuk jam për një federatë të majtë. Për sa i takon partive të vogla aleate, unë e kuptoj zhgënjimin e tyre, kjo mund të ketë kosto apo luhatje, por besoj që këto janë gjëra që rregullohen rrugës. Ne do të mbetemi të interesuar për të zgjeruar koalicionin. Përtej të majtës dhe të djathtës nuk ka funksionuar. PS duhet të kthehet majtas, Shqipëria ka nevojë për një të majtë që e sheh Shqipërinë nga këndvështrimi i vet. Kjo është arsye pse nuk bënë ndarje midis PD dhe PS, pasi u ndanë votat në mes. Unë kam besuar se kjo gjë s’do të funksiononte. Ne jemi të majtë dhe Shqipëria mund të ketë një recetë më të mirë ekonomike për t’u qeverisur majtas.

* Marrë me shkurtime nga emisioni “Opinion”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›