E Diel, 1 Nëntor 2026

Solana dhe BallkaniNga Augustin PalokajVizita e Javier Solanës në Kosovë mund të jetë edhe lamtumirë, nëse kemi parasysh se në vjeshtë ai largohet nga posti i përfaqësuesit të lartë të BE për Politikë të përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Konfirm

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Solana dhe BallkaniNga Augustin Palokaj

Vizita e Javier Solanës në Kosovë mund të jetë edhe lamtumirë, nëse kemi parasysh se në vjeshtë ai largohet nga posti i përfaqësuesit të lartë të BE për Politikë të përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Konfirmimi i Solanës se do të largohet nga ky post dhe nuk do të kërkojë rizgjedhje ka hapur debatet në Bruksel se kush do ta zëvendësojë në këtë post, i cili në fakt nëse hyn në fuqi Traktati i Lisbonës do të jetë post i ri me më shumë fuqi, përfshirë edhe postin e nënkryetarit të Komisionit Evropian.

Vizita në Ballkan është një rast që të përkujtojmë lidhjet e emrit të Solanës me këtë rajon ende më të izoluar dhe më të prapambetur në Evropë. Vetë Javier Solana ka ditur të thotë se “Ballkani e ka përcjellë gjatë tërë karrierës“. Emri i tij në Ballkan ka filluar të lakohet që në vitin 1992, kur si ministër i Jashtëm i Spanjës në Këshillin e BE jepte deklarata lidhur me pavarësinë e Sllovenisë dhe të Kroacisë e më vonë edhe për situatën në Ballkan. Ishte ajo koha kur Evropa dështoi në Ballkan, kur dështoi në mënyrë aq tragjike, saqë para syve të saj ndodhi gjenocidi në Srebrenicë dhe krimet serbe në Vukovar, shkatërrimi i Dubrovnikut dhe vrasja e Sarajevës, ndërkohë që në mënyrë të heshtur në Kosovë sundonte Aparteidi serb.

Më pas Solana u bë sekretar i përgjithshëm i NATO-s, që për një aktivist të mëparshëm studentor në Spanjë, i cili argumentonte pse vendi i tij nuk duhet të hyjë në NATO, ishte një konvertim i pabesueshëm. Por kjo dëshmoi se sa pragmatik në jetë ka qenë Javier Solana. Ishte në krye të NATO-s në periudhën më historike të kësaj Aleance. Nën kryesimin e Solanës NATO për herë të parë pranoj si vende anëtare tri ish-vende komuniste. Për herë të parë NATO u bë partnere edhe me Rusinë, për herë të parë nisi një mision të vendosjes së paqes, atë në Bosnjë-Hercegovinë dhe për herë të parë ajo ndërhyri me fushatë ajrore për të sulmuar regjimin e Millosheviçit në Serbi për të çliruar Kosovën dhe për të ndalur spastrimin etnik.

Përfundimi i luftës në Kosovë shënoi edhe fundin e mandatit të Javier Solanës në krye të NATO-s, por Ballkani e përcolli edhe në postin e ri. Solana u bë personi i parë i emëruar si “përfaqësues i lartë për Politikë të Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE”. Në këtë post vazhdon të jetë edhe sot dhe në këtë cilësi u mor me Ballkanin në mënyrë intensive. Ballkani ishte tema numër një e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE. Ishte një zonë ku BE bënte eksperimentet e saja të para në këtë fushë. Në Ballkan BE ndihmoi në largimin e Millosheviçit nga pushteti në Serbi. Në Ballkan BE-ja ushtroi politikën e saj të parandalimit të konflikteve. Në Ballkan BE nisi misionet e saja të para policore (në Maqedoni) dhe ushtarake (në Bosnjë-Hercegovinë). Solana ishte një lloj kumbare në martesën e çuditshme të Serbisë dhe Malit të Zi e madje edhe në caktimin e rregullave për shkurorëzimin e kësaj lidhjeje duke caktuar formulën për shumicën e nevojshme për pavarësimin e Malit të Zi. Solana është formalisht edhe në krye të angazhimit të BE në Kosovë, edhe për misionin e EULEX, por edhe të Zyrës së Përfaqësuesit të Posaçëm të BE për Kosovën. Të gjitha këto vazhdojnë të jenë eksperimente të llojit të vet.

Ballkani sot është i ndryshëm nga koha para 18 vjetësh, kur Solana filloi të merret me këtë rajon. Se sa kanë ndryshuar gjërat dëshmon edhe fakti se Solana në Beograd tash do të takohet me Ivica Daçiçin, dikur ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sllobodan Millosheviçit e sot zëvendëskryeministër i Serbisë dhe ministër i Punëve të Brendshme. Ballkani është më i qetë, por ende ka tensione. Serbia është më e qetë, por larg nga një Serbi, e cila do të pranonte përgjegjësinë për krimet në Srebrenicë, Kroaci dhe Kosovë. Vendet e tjera janë stabilizuar po ashtu, por kjo zonë ende ngec ndaj pjesës tjetër të Evropës. Në fakt, Ballkani ka mbetur si enklavë e rrethuar nga vendet e BE dhe po rritet dyshimi, nëse mund të ketë ndonjë integrim më të shpejtë të këtij rajoni në BE apo jo.

Solana tash, kur ka bërë të qartë se në vjeshtë largohet nga posti i shefit të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE, flet më hapur. Në një fjalim të mbajtur në Londër tha se në Ballkan ka lindur Politika e Jashtme e BE dhe se BE nuk mund t’i lejojë vetes të mos ketë sukses në Ballkan.

Solana në këtë fjalim tha se “nuk është kryer puna në Ballkan” dhe përkujtoi se “përderisa ne i trajtojmë sikur të ishin në gjysmë rruge brenda në BE, ata kanë perceptimin se mungesa e progresit po i largon nga zgjerimi”. Solana thotë se dikur ka qenë dilema evropiane për Ballkanin “përfshirja në zgjerim apo protektorati i llojit të vet”, ndërsa tash, sipas tij, vazhdon të jetë strategji e drejtë ajo për të përfshirë këtë zonë në procesin e zgjerimit të BE. Solana thotë se “është investuar tepër në këto 15 vjet, saqë të lejohet që këto vende të largohen nga tërheqja evropiane”.

Por në Kosovë po dëshmohet se nuk mund të ketë politikë të përbashkët të jashtme të BE, nëse dallimet mes shteteve anëtare për një çështje evropiane janë aq të mëdha, saqë Solana për shkak të postit që ka nuk guxon as të përgjigjet në pyetjen se “çfarë është Kosova”. Solana vjen në “Kosovë”, por në Beograd takon edhe “ministrin për Kosovë dhe Metohi” në qeverinë e Serbisë. Nuk është me rëndësi çfarë mendon Solana si person për statusin e Kosovës, por në postin që ka ai duhet të jetë “neutral”, sepse kështu i ka detyrat.

Disa me të drejtë parashtrojnë pyetjen se sa mund të jetë suksesi i BE në ndërtimin e një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, për të luajtur rolin udhëheqës në botë apo së paku të jetë e barabartë me Shtetet e Bashkuara, kur në Kosovë, që konsiderohet si çështje evropiane, disa vende të BE, përfshirë edhe Spanjën e Solanës, janë rreshtuar krah Rusisë, Libisë, Iranit, Venezuelës e të tjerave që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Kështu këto shtete nuk solidarizohen jo vetëm me Kosovën por as me 22 shtetet që paraqesin shumicën e vendeve anëtare të BE. Formalisht njohja e një shteti është e drejtë e një shteti tjetër, por politikisht kjo dëshmon se ekzistojnë kufijtë deri ku mund të shkojë politika e përbashkët e jashtme e BE, dhe kufiri është ai që e pati Solana, pra si baraspeshë mes qëndrimeve individuale të vendeve anëtare. As pasardhësi i Solanës në këtë post nuk do të mund të ndryshojë shumë në këtë drejtim. Por ajo që mund të parashikohet me siguri të madhe është që ai person do të merret me Ballkanin shumë më pak sesa Solana, dhe kjo do të jetë mirë edhe për të, edhe për Ballkanin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›