E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjitja e AAK në fronin e opozitësNga Armand ShkullakuNuk është e zakontë që një parti me një përqindje të ulët elektorale të shndërrohet në polin më të rëndësishëm opozitar në vend. Kjo po ndodh me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradin

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ngjitja e AAK në fronin e opozitësNga Armand Shkullaku

Nuk është e zakontë që një parti me një përqindje të ulët elektorale të shndërrohet në polin më të rëndësishëm opozitar në vend. Kjo po ndodh me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt, e cila, ndonëse në zgjedhjet e fundit parlamentare ka dalë me rreth 8 për qind të mbështetjes popullore, aktualisht po faktorizohet si e vetmja balancë e pushtetit të fortë PDK-LDK. Në pamundësi për t’i pasur numrat kërcënues në Kuvendin e Kosovës, AAK po e kompenson rolin opozitar me një aktivitet të dendur politik, shumë herë edhe kaotik, me qëllimin e vetëm të mbledhë rreth vetes gjithë pakënaqësinë popullore për mënyrën se si po qeveris koalicioni në pushtet. Dhe për këtë AAK duket se ka një strategji të saktë, së cilës pa dashur po i vinë në ndihmë edhe faktorë të tjerë.

Në radhë të parë, është e qartë se grupimi politik i Haradinajt ka zgjedhur të jetë superaktiv. Drejtuesit dhe deputetët e kësaj partie reagojnë menjëherë për gjithçka që ndodh në Kosovë, që nga tenderi i mishit e deri te çështjet e politikës së jashtme, që nga zgjedhja e rektorit e deri te problemet me korrupsionin. Është e pamundur të mos ndeshesh çdo ditë me zërin e AAK si alternativë, si anën tjetër të medaljes, si kundërpeshë të të gjitha nismave qeveritare. Diskutime në parlament, konferenca shtypi, intervista në media, shkrime gati të përditshme në gazeta, debate me shoqërinë civile - AAK po mbush kështu nevojën për opozitë që ka një shoqëri. Përballë pasivitetit të grupimeve të tjera, energjia e AAK është imponuar në kampin opozitar duke lënë në harresë deri diku përqindjen e ulët në zgjedhjet e 17 nëntorit 2007.

Nga ana tjetër, pikërisht për të rikuperuar sa më shumë pikë te zgjedhësit, AAK nuk po tregohet aktive vetëm në angazhimin publik. Ajo po tenton, me shumë vështirësi, të bëjë ndryshime edhe në strukturat e saj. Zgjedhja e Blerim Shalës si nënkryetar i parë, hapja e partisë ndaj pjesëve të tjera të shoqërisë, pranimet e figurave politike nga partitë e tjera, etj., janë një lëvizje e mirë në këtë drejtim. AAK po përpiqet, në fakt me shumë vështirësi, të marrë pamjen e një partie moderne, kombëtare dhe t’i japë vetes rolin e alternativës së vetme të mundshme të pushtetit. Rruga është e vështirë, jo vetëm për shkak të bazës elektorale, por edhe se ndryshimet e reja në parti ngjajnë ende me një shartim artificial dhe jo me një proces natyral. Vetë lideri i kësaj partie duket se kalon një mundim të madh, kur artikulon fjalime me tone tolerante dhe rrjedh natyrshëm kur i rikthehet gjuhës së ashpër. Megjithatë AAK po provon dhe e ka të qartë strategjinë e saj.

Pjesë e kësaj strategjie, gjithnjë për të fituar peshën kryesore opozitare kundrejt përqindjes së vogël elektorale, është edhe sjellja e AAK në raport me koalicionin PDK-LDK. Në një situatë kur ka pothuajse gjithçka nën kontroll, numrat në parlament, marrëdhëniet me LDK, situatën brenda vetë PDK, marrëdhëniet me të huajt dhe përgjithësisht me mediet, agresiviteti i AAK e bën nervoz kryeministrin Hashim Thaçi. Ai e shfaq hapur se nuk e suporton dot opozitarizmin e AAK që i del kudo përpara syve - në parlament, në media, në rrugë. Thaçi nuk ia përmend emrin Ramush Haradinajt dhe duke dashur kështu të bëjë sikur e injoron, e faktorizon edhe më tepër. Ai nuk del vetë t’u japë përgjigje akuzave të AAK, por në reagimet e njerëzve të PDK lexohet qartë nervozizmi i tij. Rastet e fundit e dëshmojnë këtë. Në këtë mënyrë, ndonëse shifrat nuk janë në favor të AAK, qëndrimi i pushtetit e vendos atë automatikisht në skajin tjetër, në opozitë, dhe e legjitimon si të vetmin kundërshtar serioz. Kjo është ajo që AAK synon.

Në raport me LDK, strategjia e Haradinajt ndryshon disi. Ai nuk është agresiv, nuk është kundër aleancave me të, siç është kategorik me PDK, por, sa herë i jepet rasti, e tregon me gisht se partia e lavdishme e Rugovës ka përfunduar në shtojcë të Hashim Thaçit. Qëndrimi kritik deri në bojkot ndaj Presidentit të Republikës është shembulli më i qartë për këtë. AAK kërkon të tregojë se LDK mund të ketë qenë parti e madhe, por ajo nuk mund të jetë parti opozitare. Se elektorati i saj, nëse është i pakënaqur nga qeverisja e vendit, nuk mund të gjejë shpëtim te LDK, sepse ajo është bashkëfajtore për këtë qeverisje.

AAK nuk i duhet shumë mund për këtë, vetë qëndrimi i LDK ia lehtëson punën. Kjo e fundit po shkon drejt zgjedhjeve lokale pa e ditur në ç’mënyrë - si pjesë e pushtetit apo si pjesë që kërkon ta ndryshojë atë. Duke shpresuar ta kthejë në avantazh të vetin tretjen e identitetit të LDK, partia e Haradinajt synon t’i pushtojë hapësirat opozitare të mbetura bosh, jo vetëm me retorikë, por edhe me shifra.

Se sa do ia arrijë qëllimit, prova mbeten zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Tani për tani, AAK ka realizuar njërën pjesë të strategjisë së saj hiperaktive.

Është opozita e vetme në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›