E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramës nuk i lejohet dorëheqjaNga Dr. Panajot BarkaMesazhet e Perëndimit dhe realiteti politik shqiptar Mesazhet e fundit të përfaqësuesve të BE dhe SHBA në Shqipëri drejtuar Kolegjit Zgjedhor treguan edhe një herë vendosmërinë e Perëndimit për rën

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ramës nuk i lejohet dorëheqjaNga Dr. Panajot Barka

Mesazhet e Perëndimit dhe realiteti politik shqiptar

Mesazhet e fundit të përfaqësuesve të BE dhe SHBA në Shqipëri drejtuar Kolegjit Zgjedhor treguan edhe një herë vendosmërinë e Perëndimit për rëndësinë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Vërtetojnë se ato përshkohen nga deformime që duhen rregulluar dhe se procesi duhet përfunduar sa më shpejt që të përvijohet në vend një qeveri legjitime. Këto “direktiva” duhen zbatuar konkretisht, nëse është e vërtetë aspirata e deklaruar e politikës shqiptare për t’u bërë pjesë e Evropës. Faktori ndërkombëtar tregon gjithashtu se në kërkesat e tij kërkon edhe aleatë të brendshëm, siç janë institucionet legjitime dhe votuesi shqiptar.

Realiteti politik shqiptar tregon tjetër gjë. Vendin kryesor e zë aplikimi i teorisë së faktit të kryer dhe spostimi i vëmendjes nga testi bazë dhe elementar i demokracisë që janë zgjedhjet, te ngjarje të dorës së dytë. Nuk bëhet fjalë për rastësi. Janë veprime të mirëprovuara të atij grupi njerëzish që kontrollojnë paketën e jetës politike në vend në periudhën e tranzicionit. Hapësira që shfrytëzohet në mënyrë abuzive ose hipokrite fillon te performanca civile e shoqërisë tonë dhe mbaron te marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar. Qëllimi po aq i qartë, ruajtja e paprekur e integritetit të këtij grupimi në raport me jetën politike në vend.

Teoria e faktit të kryer u vu re te nxitimi për të shpallur koalicionin e ri qeverisës. (Këtij akti i parapriu mobilizimi i të gjitha mjeteve, sidomos i medias për “të argumentuar” pse është i pamundur bashkëpunimi i LSI me Ramën dhe pse ishte e mundur shartesa me Berishën).

Së dyti, me funksionimin e qeverisë elektorale dhe postelektorale si një qeveri që ka marrë mandatin parlamentar.

Së treti, me “nxjerrjen” e dhëmbëve në bazë ndaj kundërshtarëve humbës.

Ndërsa si ngjarje të dyta, drejt të cilave po spostohet vëmendja politike, po përmendim përjashtimin nga e drejta për të lëvizur pa viza në Evropë, duhet apo nuk duhet të japë dorëheqjen Rama etj. Siç e thamë nuk bëhet fjalë për rastësi.

Zgjedhjet, lehtësimi i vizave dhe performanca civile e shoqërisë tonë

E para, vendimi i BE për të na lënë pas Serbisë në çështjen e lehtësimit të vizave përfshin brenda vetes aspiratën pragmatiste të shqiptarit të thjeshtë për integrimin e vendit në BE. Perëndimi, i afërt ose i largët, në të gjitha nivelet e artikuloi qartë. Rasti për liberalizimin e vizave u humb, se në zgjedhjet edhe kësaj radhe u shkelën standardet. Dhe logjika vazhdon po me kaq thjeshtësi. Është e vërtetë se votuesi i thjeshtë shqiptar e kreu misionin e vet. Votoi pa “eksese”. Por misioni i tij për Perëndimin nuk mbaron këtu, pasi votuesi shqiptar lejon administratorin e votës së tij t’i ndryshojë verdiktin. Është kjo arsyeja që kryeministri i zgjedhjeve, Sali Berisha, nxitoi të shkëpusë këtë vendim të BE, i cili cenon edhe shpresat apo interesat e votuesve dhe pasuesve të tij më të zjarrtë, nga standardi i zgjedhjeve.

Por BE bashkë me shuplakën që i jep politikës, i kumton edhe shoqërisë shqiptare se i duhen ato institucione dhe ajo infrastrukturë që të pengojë politikën të manipulojë deri edhe rezultatin e zgjedhjeve. Pra, Perëndimi kërkon te shoqëria shqiptare aleatin e brendshëm për fatin e zgjedhjeve të tij (!!!)

Megjithatë, kjo, sado e rëndësishme që të jetë (dhe është jashtëzakonisht shumë), është me më pak rreziqe sesa përpjekja e kësaj pakete kontrolluese të jetë politike në vend për të eliminuar faktorin tjetër politik (në rolin e opozitës ose jo, në rastin tonë të PS) dhe determinizimin e pluralizmit shqiptar nga interesat e ca pokerxhinjve politikë. Aq më keq, pasi Kodi i ri Elektoral provokoi një sistem politik bipartiak në vend duke provuar atë që dihej se shumë parti të vogla politike ishin fiktive.

Dorëheqja e kërkuar e Ramës dhe institucionet e pluralizmit shqiptar

E gjithë kjo lidhet me faktorin e dytë, me dorëheqjen e Ramës. Sipas analizës tonë, nuk është fjala për dorëheqjen e një politikani, por për një institucion me rëndësi, nga i cili varen pasojat që do të riciklojnë krizën e tranzicionit për një kohë edhe më të gjatë se ajo që shkoi.

ǒdo të thotë kërkesa për dorëheqjen e Ramës? Pse kjo kërkesë vjen më së shumti dhe më me intensitet nga faktorë jashtë PS? Pse kjo kërkesë eklipsoi totalisht kërkesën për qartësi dhe transparencë të procesit zgjedhor? Përse, sipas perëndimorëve, politika abuzon me pushtetin e vet për të penguar këtë transparencë? Përse kjo kërkesë nxiton dhe nuk pret të dalë rezultati përfundimtar i zgjedhjeve? Përse....???

Realizimi i kësaj kërkese do të thotë: Institucionalizimin e rezultatit të dëshiruar dhe jo faktik zgjedhor. Detyrimin e faktorit ndërkombëtar të “vërë re” parregullsi në standarde demokratike, por t’i pranojë zgjedhjet. Për më shumë do të thotë ri-institucionalizimin, si të pazëvendësueshëm, të po atyre faktorëve që përgjatë këtyre 20 vjetëve bënin sikur ziheshin në publik dhe për interesat e tyre të vogla merreshin vesh në prapaskenë dhe në çdo rast e shpërbënin këtë vend, madje edhe kur ia kishin njëri- tjetrit me të ngecur.

Pas dorëheqjes së Ramës, llogaritet që PS të merret totalisht me veten. Kështu do të hynte në ciklin e shpërbërjes së vet të mëtejshëm, (të nisur nga Meta). Forca politike e PS në parlament do të reflektonte interesat dhe rrymat të pushtetshme jashtë partisë, apo frymën e varësisë dhe “të meritës” politike nga persona konkretë. Pra, do të kemi eliminim të opozitës reale dhe një pakufi pushteti prej qeverisë se re, heqjen e mundësisë së PS për të marrë pushtetin edhe në të ardhmen, kontrollin e PS nga e njëjta paketë kontrolluese e politikës në vend.

Në Shqipëri, janë të tepërta analizat për këto fenomene. Kjo, pasi si historia e largët partiake në vend, para monizmit dhe gjatë tij, ashtu edhe ajo pluraliste postkomuniste, është tepër e pasur me eliminime politike dhe e dhimbshme për nga mënyra e realizimit. Këtë përvojë e përjetoi edhe PD në periudhën 1996-1999. Mbijetoi, se lideri i saj S. Berisha, me të mirat dhe të këqijat e veta, jo vetëm që e shpëtoi atë nga shpërbërja, por shumë shpejt e ktheu sërish në pushtet.

Berisha, Meta, Nano dhe dorëheqja e Ramës

Nga ana tjetër, secili nga ata që mund t’i quajmë tani për tani eksponentët e paketës kontrolluese të jetës politike në vend kanë arsyet e tyre personale për të kërkuar dhe dëshiruar dorëheqjen e Ramës.

Dihen arsyet përse e kërkon Berisha. Do të mund të formojë qeveri, do të qeverisë me duar të lira dhe këmbë të forta. Do të sigurojë qeverisjen edhe për një mandat tjetër, kësaj here pa Metën (të cilin, nëse Rama jep dorëheqjen, mund ta detyrojë të largohet nga koalicioni. Mund të mos i duhet më, se ka shokët e Nanos të mbetur në PS)

E do patjetër edhe Meta. Ai e di dhe praktika e ka provuar zvogëlimin deri në zhdukje të partive të vogla në koalicione të tilla qeverisëse, aq më keq me ngjitje të sforcuar e që pa filluar shkaktoi reagime të ashpra dhe përçarje në gjirin e vet dhe në të gjitha nivelet. Meta është i ndërgjegjshëm se perspektiva është akoma më e zymtë me një PS të fortë.

Pavarësisht se pa kujtesë votuesi i majtë shqiptar nuk harron se më 2005 ai ishte faktori determinant i dukshëm që i dha pushtetin Berishës. E rikuperoi imazhin politik me 2007. Bashkëpunimi me PS i dha të majtës fitoren në zgjedhje lokale. Por pa kaluar shumë kohë Meta e kaloi forcën e vet politike në pushtetin vendor në shërbim të PD. Tani i mashtroi sërish. Por votuesi është si Perëndia, që fal, kur duhet dhe mund të vonojë, por nuk harron (kur të dënon). Dhe PS me Ramën nuk mund të bëhet porti i strehimit të tij nga stuhitë e pritshme.

E do dhe Nano. Vërtet që ka shumë arsye politike personale të kërkojë tatëpjetën e Ramës. Por kërkesa e tij shikohet edhe si një shërbim i ri ndaj Berishës për ta bërë atë president. Nga ky pozicion të kontrollojë pastaj edhe PS. (Në Shqipëri ky model presidenti ka treguar se është personalisht më efektiv se modeli Moisiu apo i Topit). Pastaj Nano e njeh mirë Berishën. Në të gjitha marrëveshjet politike që bënë midis tyre që nga viti 1992 (dhe nuk janë pak) rrallë ka përfituar prej tyre Nano. Kështu që kjo kërkesë, veç arsyeve të përbashkëta, është një kusht, qoftë edhe i pathënë, për ambiciet e Nanos.

Kryetari i PS, Rama, në raport me pluralizmin shqiptar

Në aspektin e politikës globale dhe pluraliste në vend pozicioni dhe roli institucional i Ramës si kryetar i partisë më të madhe në vend, në këto momente është i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm. Ai nuk mund të gjykohet tani për gabimet. Atij duhet t’i jepet mbështetja e duhur për të ruajtur baraspeshën e pluralizmit në vend.

Në aspektin politik personal, pozicioni i tij është dramatik. Duhet të mbajë personalisht mbi vete betejën për të vërtetën e zgjedhjeve. (Duket se edhe bashkëpunëtorë të tij në çështje taktike zgjedhore, po e lënë, ose se duan të shpëtojnë kokën, ose shpresojnë se PS do t’i vijë një kokë e re). Atij po i ngarkojnë peshën e humbjes, (jo pa qëllim dhe pa dashakeqësi). Brenda partisë delfinët me nxitim të komanduar nga faktorë ekstrapartiakë, hapën kacekët e pasioneve të fshehura për të marrë frenat e PS. (Ndoshta kështu mund të shpjegohet dhe gëzimi i heshtur i tyre për humbjen e mundshme të Ramës në zgjedhje apo dhe rezultatet e tyre zgjedhore të ulëta). Ka për të përballuar, faktorë të stërkonsumuar dhe të dalë mode në PS, të mënjanuar prej tij, ose të vetëpërjashtuar, të cilët shpresojnë se u erdhi sërish ora. Ka për të përballuar aleatët e koalicionit që humbjen e tyre duan t’ia faturojnë Ramës. Ka për të përballuar koalicionin qeverisës si pjesë e dukshme e paketës kontrolluese të politikës shqiptare dhe pjesën e skemës së tyre që nuk duket akoma, por po ndihet e përvijuar qartë dhe duket se mosdorëheqja e Ramës (kur pritej e shpejt) po e zbulon, e pengon dhe e prish atë. Ka për të përballuar zhgënjimin e dhjetëra-mijëra votuesve që e besuan atë me shpresën e ndryshimit dhe tani do të vuajnë edhe ekspozimin e peshës së tyre.

Dorëheqja e Ramës, e palejueshme, edhe sikur vetë ta kërkonte

Në këto rrethana, i mirë apo i keq, Ramës nuk i lejohet dorëheqja. Nuk është e justifikueshme as në planin individual. (Në këtë aspekt dorëheqja për të do të ishte shumë komode). Dorëheqja vërtet është një çështje e moralit të brendshëm të çdo faktori. Por gjithmonë në raport të drejtë me mënyrën e funksionimit të jetës politike në vend. Nuk mundet që kur gjithë rruga është me gropa, të fajësohet makina që s’ecën. Kjo ka vlerë edhe në rastet kur shprehet në mënyrë taksative rregullatori statutor i një forumi apo partie. Dihet vërtet se në PS është i njohur institucioni i dorëheqjes, i “aplikuar me sukses” nga Nano. Po, por Nano jepte dorëheqjen, ose si një mundësi shlyerjeje të fajit për t’u rikthyer dhe për të bërë të njëjtin faj, por me mënyra të tjera (rasti i shtatorit 1998), ose për të arritur personalisht një ambicie tjetër politike (Rasti i 2005-s që i dha mundësi Berishës për të marrë pushtetin në këmbim të postit të presidentit).

Nga ana tjetër një analizë më e gjerë dhe më gjakftohte na thotë se, pavarësisht nga humbja e PS, (ende e pa vërtetuar), e cila i faturohet Ramës për shkak të evidentimit të individualitetit të vet në zgjedhje, në këtë proces ai ka merita dhe vlera, të cilat PS i kishte të domosdoshme.

Së pari, Rama e nxori PS nga makthi i ndërgjegjes së vetë politike se ajo nuk mund ta marrë pushtetin (veçanërisht kur e ka Berisha), pa ia dhënë të tjerët, por mund ta dorëzojë, edhe kur ia vjedhin, edhe kur ia shesin për interesat të karrierës private. (PD, përjashto 1992-shin, i humbi të gjitha zgjedhjet dhe e mbajti pushtetin me shumë se e majta, që i fitoi realisht ato)

Së dyti, ai ndërmori një fushatë, në të cilën u mëshoi idealeve. Nuk e di sa të qartë e kishte se kundërshtar në këtë betejë do të kishte, jo vetëm pushtetin e Berishës, por edhe mentalitetin e interesaxhinjve të politikës meskine dhe të ryshfetxhinjve banalë që shesin interesat e forcës politike që përfaqësojnë për 100 euro.

Së treti, kjo ishte situata që garantonte një humbje shumë të thellë. Flasin për këto dy fakte. Berisha, përdori për fitoren e tij të njëjtën taktikë si më 2005, por më të sofistikuar. P.sh., PD, si më 2005, ashtu edhe në 2007 (zgjedhje lokale), “korri” fitore në fshat dhe humbi në qytete, që do të thotë se fshatari shqiptar është i djathtë (!!) dhe qytetari shqiptar i majtë (!). Realisht duhet lexuar se fshati ishte me pak i kontrolluar ndaj manipulimeve dhe se fshatari (praktik nga natyra) pranoi ato pesë pará në dorë, (sa ishte çmimi i caktuar i votës së tij) sesa premtimin e Ramës për vezë të arta.

Po ashtu, në këto zgjedhje pati një rritje të pjesëmarrjes në votim në masën 8-10%. Logjika elektorale kërkon që këto vota të shkojnë për opozitën dhe jo për qeverinë, e cila, sido që të jetë, ka një konsum politik që sjell reagimin e kundërt, pra të mospjesëmarrjes. Në këto zgjedhje ndodhi e kundërta (!?)

Një konkluzion

Ajo që duhet të bëjë tani PS është të mbrojë të vërtetën e zgjedhjeve, të mbrojë zgjedhësit e vet nga abuzimi partiak i pushtetit qeverisës, të bëjë analizat e zgjedhjeve, të ngrejë strukturat partiake si një gërshetim të jetës tradicionale të PS me frymën e re perëndimore dhe të synojë marrjen e pushtetit. Ndryshe do të jetë një opozitë rakitike me apo pa Ramën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›