E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: PS humbi sepse i mungonte kauza

Partia Socialiste i ka humbur zgjedhjet e 28 qershorit për shkak të mungesës së kauzës. Kjo është arsyeja thelbësore që gjen anëtari i Kryesisë së PS-së, Ben Blushi, për të shpjeguar rezultatin që mori kjo parti në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Blushi deklaroi se nuk është ndër ata persona që mendon se zgjedhjet apo KQZ ia mohoi fitoren Partisë Socialiste, por sipas tij ka një rezultat dhe pavarësisht ankimimeve, të cilat ai i mbështet, nuk mund të ndryshojë rezultati i marrëveshjes mes PD dhe LSI. "Zgjedhjet kanë mbaruar dhe përgjithësisht shumica prej nesh nuk kanë folur sepse, me gjithë ankimimet, është kuptuar edhe me ndonjë ndryshim siç është Fieri apo Berati nuk përmbyset ajo që është vendosur mes PD dhe LSI. Unë nuk mendoj që ne kemi humbur zgjedhjet për shkak të KQZ, apo komisionerëve. Zgjedhjet janë humbur për shkak të mungesës së kauzës sonë. Në Fier kishim një vendim kryesie për të pritur pastaj do bënim deklaratat tona për procesin. Pritja është e pranueshme", u shpreh ai.

I pyetur për natyrën e betejës së PS për të marrë më shumë mandate edhe përmes rrugës ligjore dhe ndikimit që mund të ketë te Kolegji Zgjedhor ky qëndrim, Blushi tha se ajo çka mund të ketë ndikuar te ky kolegj është marrëveshja PD-LSI, për të krijuar qeverinë dhe kurrsesi qëndrimi i PS-së.

"Kolegji Zgjedhor nëse ka një faktor politik që e ka dekurajuar mund të ketë qenë lidhja e marrëveshjes për të krijuar qeverinë. Asnjë prej qëndrimeve tona nuk ka se si të dekurajojë Kolegjin Zgjedhor. Janë ende dhe dy numërime. Administrimi i votës nuk më takon mua dhe çka bisedojmë ne në publik nuk mund të ndikojë në Kolegjin Zgjedhor", nënvizoi Ben Blushi

Sa i përket procesit zgjedhor dhe problemeve që u vërejtën në të,

Blushi pranoi se ka pasur probleme, por nuk janë zgjedhjet, sipas tij, ato që ia kanë mohuar të drejtën e fitores Partisë Socialiste. "Natyrisht këto zgjedhje kanë pasur defekte të cilat përgjithësisht janë pjesë e kulturës sonë të administrimit të votës. Në çdo palë zgjedhje ka palë që ankohen, komisionerë që konfliktohen. Unë nuk hyj tek ata që komplimentojnë zgjedhjet, por nuk hyj dhe tek ata që zgjedhjet na e kanë mohuar fitoren. Kolegë të mi kanë sjellë evidenca më të forta. E kam të vështirë të gjej evidencë të vjedhjes së votës. Duhet të flasim në bazë votash. Ne kemi pasur shumë vërejtje paraprake. Për tre muaj ne folëm për pamundësinë e shqiptarëve për të marrë kartë identiteti. Ka pasur shumë shqiptarë që ditën e zgjedhjeve thoshin që nuk kemi mundësi të votojnë. Sa i përket listave janë një problem kronik", u shpreh Blushi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›