Blushi: Prioriteti ynë, indeksimi i plotë i pensioneve

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se, varfërimi progresiv i pensionistëve shqiptarë vijon me ritme dramatike.
Në një deklaratë për mediet, Blushi u shpreh se, “pensionistët shqiptarë janë sot më të varfërit e kontinentit, sepse të ardhurat e tyre minimale janë 6 herë më të ulta se mesatarja evropiane, por ata përballen me çmime sa 91% te çmimeve te mesatares evropiane”.
Sipas tij, pensionistët shqiptarë sot janë më të varfër edhe se në vitin 2013.
“12 vite më parë masa e pensionit mesatar të pleqërisë në qytet ishte 68 % e pagës minimale, ndërsa aktualisht masa e pensionit mesatar të pleqërisë në qytet është 47% e pagës minimale”, tha ai.
Blushi theksoi se, “nesër në qeverisje, prioriteti ynë madhor do të jetë indeksimi i plotë i masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë”.
Ai premtoi se “indeksimin e shpeshtë brenda vitit të masës së pensioneve në rastet e krizave apo pandemive për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve”.
Blushi gjithashtu premtoi, “mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistet dhe të përshkruara me recetë mjekësore. Mbulimin e të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për të pensionistët me probleme shëndetësore”.
Ai u shpreh se pjesë e programit është edhe “dhënia e shërbimit mjekësor me prioritet për pensionistët për evitimin e pritjeve të gjata në qendra shëndetësore apo spitale”.
Blushi premtoi edhe “sigurimin e shërbimeve mjekësore pa pagesë për rehabilitimin dhe fizioterapinë për pensionistët me sëmundje invalidizuese si dhe sigurimin pa pagesë të materialeve mjekësore të trajtimit të pacienteve pensionistë në banesë si dhe artikujve mjekësore, që mundësojnë lëvizjen dhe pavarësimin jetësor të pensionistëve”.
/a.f/