E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: SPAK, nuk e besoj kurrë se Trump mbështet prokurorinë si krah politik

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot gjatë konferencës për shtyp me gazetarët se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është një prokurori politike dhe nuk legjitimohet kurrë.

Berisha komentoi rikthimin e ekspertëve amerikanë në Shqipëri pranë institucioneve të posaçme. Ish-kryeministri u pyet nga gazetarët nëse rikthimi i ekspertëve është mbështetje e administratës Trump për institucionet  e drejtësisë. “Unë nuk mund të pohoj këtë. Kjo mund të jetë një përpjekje për të luftuar korrupsionin, por unë mund të pohoj edhe njëherë, se një prokurori politike nuk legjitimohet kurrë në një vend”.

“Besoj se, Skapi kështu siç është, ka faktuar shqiptarëve dhe botës se është një kah i armatosur politik i drejtësisë i Edi Ramës. Meqenëse e shtron këtë çështje theksoj: vendi që ndëshkon më rëndë korrupsionin sot, nga ato që lexoj unë, është Republika Popullore e Kinës. Në Kinë e kanë ligjin dënim me vdekje. Dhe e vërteta është që ekzekutohen për korrupsion”, vijoi Berisha.

“Por, prokuroria kineze dënon dhe ndëshkon dhe për motive politike. Dhe ata të cilët pranojnë një prokurori si krah politik, unë nuk besoj kurrë se Presidenti Donald Trump, që po atakon me forcën më të madhe, pikërisht shndërrimin e drejtësisë në armë politike, ose mbështet një gjë të tillë. Jo! Kurrë, ai nuk e mbështet”, thekson Berisha.

“E mbështetën më parë, po e provoi dhe vetë me Letezian, Alen Bragun, e provoi vet se çfarë janë prokurorët politikë. Ndaj dhe jo, nuk kam asnjë lloj shqetësimi për atë qëllim që e imagjinon ti. Jo, nuk mund të jetë kjo një përkrahje për prokurorinë politike”, u shpreh Berisha.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›