E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Sindroma e Ramës kryeministër, hall në PS

 "Nuk kam pasur mundësi ta them këtë në publik dhe nuk kam dashur ta them. Por, Edi Rama nuk duhet të kishte kandiduar për disa arsye. Nëse ka një gafë politike është kandidimi i tij në Tiranë për herë të katërt", tha Blushi gjatë një interviste në emisionin "Top Story" . 

Blushi renditi arsyet se pse Rama nuk duhet të rikandidonte më 8 maj. "E para ai e kuptoi në vitin 2009 se duhet të kandidonte i pari në listën e PS-së. Kjo ishte një nga kritikat që iu bë atij. E përsëriti duke u thënë të gjithëve që “unë nuk pyes, më thoni çfarë të doni, nuk ka rëndësi për mua”. E dyta, u dha përshtypja se do më shumë pushtet nga çfarë i takon. Duke u futur për herë të katërt në Tiranë dhe duke kërkuar të futet prapë në vitin 2013, kur do të hyjë si kandidat për Kryeministër, u tha shqiptarëve se mund t’i bëjë të gjitha. Nuk mund t’i bëjë të gjitha. Koha e njerëzve që i bëjnë të gjitha ka ikur. Duke u futur vetë, tregoi një akt megalomanie. Tha që përveç meje në PS nuk ka kandidatë të tjerë. Është megalomane si teori që unë se pranoj as për vete", vijoi ai.

Deputeti i PS-së, Blushi, thotë se sindroma e Edi Ramës Kryeministër po kthehet në hall për socialistët.  Ai u shpreh se  arsyeja e ardhjes së PS-së në pushtet duhet të jetë qeverisja më mirë e vendit, dhe jo zgjedhja e kreut të saj në postin e Kryeministrit.  "Duket sikur PS-ja nga viti 2008 dhe në vazhdim ka vetëm një hall: si ta bëjë Ramën Kryeministër. E them këtë shumë qetë, Edi Rama do të jetë Kryeministër nëse PS fiton zgjedhje. Por ky nuk mund të jetë i vetmi qëllim. Ky po kthehet në një hall. Kjo nuk është arsye për të ardhur në pushtet. Arsyeja është që Shqipëria të qeveriset me meritë, të jetë një vend që të qeveriset më mirë”, u shpreh Blushi. /Start/

                                                                                             2011-12-02 11:15
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›