Kartolina shqiptare fiton çmim në Francë
“Stop ndërtimit në kurriz të natyrës”, është kartolina Maniacard, fituese e çmimit të Publikut “Cannes Act Tribute” për kategorinë Free Cards gjatë Lions Advertising Festival 2010, i mbajtur në Cannes të Francës. Kartolina fituese është pjesë e një serie prej tri kartolinash, konceptuar dhe dizenjuar nga agjencia publicitare “Mandarina Communication” në mbështetje të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), e ideuar për të sensibilizuar mbi ndryshimet klimatike dhe ndërhyrjet njerëzore të cilat sjellin rritjen e nivelit të detit, shpeshtimin e përmbytjeve dhe zgjatjen në kohë të tyre, erozionet intensive të zonës bregdetare që rrezikojnë direkt habitatet në lagunën e Kune -Vain dhe të Patokut, duke e shtruar këtë edhe si problem global që kërkon një reflektim të thellë nga publiku. Kartolina u prezantua një vit më parë në “Carta Bianca 2009 by Maniacard”– mes 12 koncepteve të tjera nga agjencitë e ndryshme të vendit tonë. Maniacard tërhoqi vëmendjen e publikut prezent në festivalin e publicitetit të Cannes, duke marrë vlerësimin maksimal për kategorinë “Free card advertising”, në konkurrim nga të gjitha vendet e botës.
#