E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Zgjedhjet lokale? Rama s‘do të hyjë

Lëvizja për Mendimin Ndryshe, e drejtuar nga dy figura tanimë kundër frymës së kryetarit në detyrë, vë alarmin se Shqipëria rrezikon të mbetet pa opozitë. Në takimin e parë të kësaj lëvizjeje, që u zhvillua dje në kryeqytet dhe ku ishte i pranishëm edhe ish-presidenti Rexhep Meidani, u shpall synimi u saj i shfaqur edhe në slogan: Jo bojkotit të Parlamentit. Pikërisht në këtë pikë u ndalën pothuajse të gjithë aktorët e kësaj lëvizjeje. Ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, u shpreh se bojkoti e dëmton mjaft PS-në. Duke bërë një analizë të humbjes së PS-së, ai tha se Rama nuk është i vetmi përgjegjës për këtë rezultat, edhe pse ai shpreh se nuk e di ku është libri i rekomandimeve që ai i dorëzoi kryetarit para se të niste fushata elektorale. Ben Blushi, një ndër drejtuesit e këtij grupimi, deklaroi se qeveria sot është më e fortë se kurrë, pikërisht sepse mungon opozita në Parlament. Nisur nga kjo, ai paralajmëroi jo vetëm bojkotin e Kuvendit, por sipas tij kështu siç e ka nisur kryetari në detyrë i kësaj partie, rrezikohet të mos hyhet as në zgjedhjet lokale të 2011-ës. "Pyetja për secilin prej nesh është pse jemi mbledhur këtu sot. Ne jemi këtu, sepse PS nuk po shkon mirë, se Shqipëria rrezikon të jetë pa opozitë, sepse forumet herë pas here na e kanë mbyllur derën, sepse besojmë tek e majta, sepse duam që PS të ndryshojë", tha Blushi. Ai vërejti se njerëzve u duhet thënë e vërteta, që PS humbi në zgjedhjet e 28 qershorit dhe se kjo parti duhet ta kuptojë mirë mesazhin që i është dhënë.

"Ka shumë njerëz që na pyesin pse nuk fitoi e majta. Unë mendoj se t‘u thuash njerëzve të vërtetën, është detyrim dhe një kusht. Shqipëria ka dy muaj që pret që PS t‘u thotë të vërtetën, që është mohuar dhe është fshehur. E vërteta u mat me numra. Kongresi u detyrua të votojë kundër të vërtetës. PS nuk erdhi në pushtet, jo vetëm për cilësisë së zgjedhjeve. Ato mbeten një mundësi e humbur. Kutitë duhet të zbardhen dhe vetëm Parlamenti është vendi i duhur për t‘i zbardhur", theksoi Blushi. Në këndvështrimin e tij, e majta nuk mori votat më 28 qershor dhe shqiptarët i thanë së majtës se nuk je gati për të na qeverisur. "Unë hyj tek ata që mendojnë se e majta duhet të ndryshojë. PS nuk po gëlltit dot mesazhin e 28 qershorit", vërejti ai. Sipas tij, janë shumë mangësitë që i duhen thënë kësaj qeverie dhe kjo mund të bëhet vetëm në Parlament e jo nga oborri i Partisë Socialiste.

Sakaq, një prej themeluesve të PS-së, Moikom Zeqo, foli për sloganet politike të shpallura nga selia rozë. "E ardhmja personale e Edi Ramës nuk është PS. Kriza e partisë është kriza e së majtës demokratike shqiptare, e militantizmit politik. Emancipimi i së majtës është i rëndësishëm, sepse ndikon edhe tek emancipimi i së djathtës. Nuk ka politikë të vjetër dhe të re, ka politikë ose institucionale, ose diletante provinciale", tha Zeqo. Ndërsa ish-deputeti, Ylli Bufi, vuri në dukje se PS-së i mungon programi politik dhe është i nevojshëm rishkrimi i tij. Bufi paraqiti para të pranishmëve platformën me dhjetë pika që synon ndryshime statutore. Sipas tij, kjo platformë synon drejtimin kolegjial të PS-së. Ndërsa një tjetër drejtues i kësaj lëvizjeje, Arben Malaj, tha se sfidat e PS-së kanë më shumë rëndësi se kurrë ndonjëherë, ndërsa theksoi se PS ka tendenca radikalizuese. "Ky model drejtimi dhe këto tendenca radikalizuese nuk synojnë fitoren, të mendosh se vetëm me konsumimin e mazhorancës të vish në pushtet është gabim, të bojkotosh është gabim. Çdo përpjekje kundër mendimit ndryshe e zgjat më shumë krizën në PS. Jemi përballë jush për një vizion ndryshe se si mund të vijnë socialistët në pushtet. Ne duhet ta mundim ballë përballë këtë mazhorancë", tha Malaj. Në takim ishin të pranishëm mjaft deputetë dhe ish-drejtues të PS-së, si Ylli Bufi, Raimoda Stefa, Eva Allushi, Bardhyl Agasi etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›