Rama në Durrës: Statuti i partisë mund të ndryshojë
Rezistencë demokratike për t‘i shkurtuar ditët pushtetit që e shndërroi shtetin e të gjithëve në mekanizëm për të siguruar mbajtjen e pushtetit, duke ricikluar veten. Kjo ishte esenca e fjalimit të kreut në detyrë të Partisë Socialiste, në takimin e qytetit të Durrësit, ku u zhvillua turi elektoral për garën brenda selisë rozë. Kryetari aktual i opozitës rikonfirmoi qëndrimin kundër futjes në Parlament të deputetëve socialistë deri në plotësimin e kushteve. Në sallën e teatrit të Durrësit, ku socialistëve u mungoi entuziazmi i para 28 qershorit për të pritur liderin që u premtoi fitoren e sigurt, kandidatët Maqo Lakrori dhe Edi Rama prezantuan platformat dhe qëndrimet e tyre për të siguruar votat në zgjedhjet e përgjithshme brenda partisë. Shumë emra të njohur të PS-së në Durrës kanë munguar në këtë takim, duke dhënë mesazhin e kundërshtimit të kandidaturës së Ramës për postin e kryetarit dhe mospranimit të humbjes e analizës reale të saj. Rama tha se zgjedhjet janë të cenuara dhe të kontestuara e s‘kanë të bëjnë me zgjedhjet demokratike të një vendi anëtar të NATO-s. "Ne dolëm të parët në zgjedhje, me gjithë deformimet që pësoi rezultati. Ne nuk i fituam dot zgjedhjet se Sali Berisha dhe pushteti i tij e kthyen shtetin e të gjithëve në një makineri që ushtroi presion mbi qytetarin dhe e manipuloi votën e tij", theksoi Rama, i cili premtoi se pas zgjedhjes së kryetarit, në parti do të nisë një proces për vlerësimin e ndryshimeve në statutin e PSSH-së, duke synuar atë që më së shumti u kritikua gjatë mandatit të tij të parë në krye të partisë, mospërfshirjen e anëtarësisë dhe strukturave të partisë në bazë, në zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë të pushtetit vendor dhe deputetë. E duke u ndalur te situata në parti, Rama tha se PS është në krye të zhvillimit të emancipimit të partive politike në vend, duke e argumentuar me demokracinë brenda saj. Sipas Ramës, kjo demokraci shfaqet dhe në debatet e brendshme dhe procesin për zgjedhjen e kryetarit, ku çdo anëtar mund të votojë kandidatin që do. Përveç rezistencës demokratike, Rama nuk sheh asnjë rrugë tjetër për të ndalur revanshin e së djathtës në pushtet drejt mbajtjes së qeverisjes në një cikël të mbyllur ku fituesit dhe humbësit janë gjithnjë të njëjtët, për shkak të shfrytëzimit të mekanizmave shtetërore në mënyrë antiligjore. Nxjerrja në pah e abuzimeve të bëra me funksionet dhe fondet publike, bërja transparencë për votat e kyçura në kuti, zbardhja e hapjes joligjore të dyerve të burgjeve për kriminelët që mbështetën pushtetin, do të jenë, sipas tij, beteja e opozitës me të shkuarën që nuk duhet të jetë e ardhme. "Kjo, për të mundësuar zgjedhje demokratike e me standarde, ku çdo votë të numërohet e pacenuar nga trysnia antiligjore e pushtetit që përdor ndihmën sociale, vendet e punës, perspektivën e shkollimit të fëmijëve etj., për të marrë votat e qytetarëve", u shpreh Rama.