PD-LSI, aleanca qeverisëse për katër vitet e ardhshme
Ndërtimi i shumicës së thjeshtë në Parlament dhe akordi i negociuar për sigurimin e mbi 71 votave për të ndërtuar qeverinë e re konkretizoi bashkëpunimin Berisha-Meta. Në fushatën elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit, LSI kërkoi votën për të larguar Berishën nga pushteti, ndërkohë që Kryeministri Berisha duket se ishte i përgatitur për t‘i shtrirë dorën e bashkëpunimit, Ilir Metës pas zgjedhjeve. Kjo edhe pse gjatë fushatës, ai i sulmoi të gjithë kundërshtarët, ndërkohë që nuk tha asnjë fjalë kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ishte Meta, ai që përpara zgjedhjeve paralajmëronte protesta kundër puçeve Berisha-Rama, por Kryeministri Berisha u mundua ta kalonte të gjithë situatën në qetësi. Rezultati i 28 qershorit, ndryshoi edhe kursin politik të Partisë Demokratike e cila për herë të parë pranoi kushtet e një force politike të vogël, për t‘i zgjedhur vetë postet ministrore në ekzekutiv. LSI ka në Kuvend 4 votat e mjaftueshme për të formuar kabinetin qeveritar. Dalja publike e kreut të PD-së në selinë e partisë për të ftuar kreun e LSI-së në qeverinë e tij të re, turbulloi kampin socialist dhe i solli vendit një qeveri të përbërë nga të djathtë dhe të majtë për herë të tretë në historikun e pluralizmit në Shqipëri. Në pikëpamje të parë, duket se bashkëpunimi PD-LSI do të jetë jetëgjatë për shkak se Lëvizja Socialiste për Integrim ka përfituar në qeveri tre postet më të rëndësishme në rang ministrash. Po kështu, LSI do të këtë edhe përfaqësuesit e saj në rang zv/ministrash, ku Transportet, Kultura dhe Puna janë tri dikasteret ku LSI pritet të përqendrojë kontributin e radhës në kabinetin "Berisha". Gjithsesi, e gjithë kjo do të ketë një kosto për LSI-në, e cila duhet t‘i bindet Kryeministrit Berisha për vendimmarrjet më të rëndësishme, në të kundërt, Berisha ka të hapur firmën e "divorcit", të cilën e ka lënë të kuptohet ditën ku ka bërë publikë emrat e anëtarëve të qeverisë. "Aty, Berisha theksoi se ky është vetëm fillimi, duke e lidhur me përfaqësimin e vetëm një gruaje ministre ndër 15 anëtarët e qeverisë", tha Berisha. Sipas tij, korrigjimet janë një opsion i hapur. Një tjetër arsye që të çon të besosh se bashkëpunimi Berisha-Meta do të jetë jetëgjatë është fakti se megjithëse portofolat ministrorë ishin ndarë dy muaj përpara formimit të qeverisë, emrat e tyre janë mbajtur sekret për opinionin publik nga dy liderët Berisha dhe Meta. Prova më decizive në marrëdhënien midis dy partive do të jenë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lëvizja Socialiste për Integrim do të duhet të futet për herë të parë në koalicion me të djathtët. Veprim që mund të tkurrë mbështetjen e saj në elektoratin e majtë.