Blushi kërkon ndërprerjen e bojkotit, në emër të pesë deputetëve – Edvini nxjerr Klosin të kërcënojë kundërshtarët me përjashtim

Lëvizja e Ben Blushit dhe e Arben Malajt ka thelluar ndarjen nga linja zyrtare e Edvinit në PS, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të bojkotit, pasi ky qendrim po e cënon imazhin e PS-së dhe po e lehtëson qeverisjen e dyshes Berisha-Meta. Në një konferencë të përbashkët shtypi, Ben Blushi ka lexuar deklaratën zyrtare në emër të Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, në emër të pesë deputetëve, ku rreshtohen edhe Arben Malaj, Kastriot Islami, Marko Bello e Andis Harasani. Në deklaratë i bëhet thirrje grupit parlamentar të PS-së të ndërpresë bojkotin parlamentar duke përshtatur kështu qëndrimin e vet politik me të të institucioneve ndërkombëtare. "Të shqetësuar se bojkoti cenon rëndë imazhin e PS-së duke e kthyer atë në qëndrime të vjetra e të tejkaluara; të bindur se bojkoti i parlamentit po kushtëzohet e imponohet kryesisht nga zgjedhjet brenda PS-së; të sigurtë se sot vendi ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë në parlament përballë një qeverie, e cila nuk garanton reforma dhe proces të shpejtë të integrimit të vendit, ne i kërkojmë grupit parlamentar të PS-së të lexojnë me qetësi e realizëm të gjitha qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjet, dhe kërkesën e tyre unike për praninë opozitare në Kuvend. Së dyti, të ndërpresë në një kohë sa më të shpejtë bojkotin e parlamentit duke përshtatur qëndrimin e vet politik me atë të institucioneve ndërkombëtare". Në deklaratat e mëtejshme për shtyp, Blushi dhe Malaj e lidhën bojkotin e Parlamentit me zgjedhjet brenda PS-së ndërsa shtuan se anëtarët e PS-së pro bojkotit po intimidohen për të mos u futur në Parlament. "Qeveria ka një luks të cilin ne nuk duhej t’ia kishim garantuar. U miratua programi i qeverisë dhe nuk u dëgjua qëndrimi i PS-së mbi këtë program sepse PS-së nuk është në parlament, por duke bredhur nga një takim në tjetrin, duke intimiduar anëtarët e PS të cilët kërkojnë që PS të futet në shinat që ka përcaktuar ky sistem" – ka deklaruar për mediat deputeti Ben Blushi, i cili ka lënë të kuptohet se së afërmi do të thyhej edhe vendimi politik për bojkotin, pasi s’mund të vijohet me veprime politike kamikaze.
Dalja kërcënuese e Blendi Klosit, në emër të Edvinit
Por brenda pak minutash, Edvini ka kryer lëvizjen e vet, duke nxjerrë Blendi Klosin për të konfirmuar se bojkoti nuk do të ndërpritet, të paktën derisa të mbarojnë zgjedhjet brenda PS-së dhe të mundësohet përjashtimi i 5 deputetëve nga radhët e grupit parlamentar. Në një dalje pa pyetje mediash në poltronën e PS-së, deputeti Blendi Klosi, kërkoi zbardhjen e së vërtetës së 28-qershorit. “Dje qytetarët shqiptarë panë me sytë e tyre një shfaqje të turpshme të një qeveri të re të politikës së vjetër. Një shfaqje hipokrite të degradimit të tejskajshëm, jo vetëm për shqiptarët që votuan përsëri në shumicë që Sali Berisha të mos e qeveriste më këtë vend, dhe të shkonte në pension politik, por dhe për të gjithë ata njerëz të ndershëm që kërkojnë që ky vend të qeveriset nëpërmjet votës së lirë. Dita e djeshme për qytetarët shqiptarë qe një ditë tjetër e shpresës së vrarë nga Sali Berisha dhe shpura e tij që pasi plaçkitën katër vjet Shqipërinë grabitën në mënyrë të paturpshme dhe zgjedhjet” deklaroi Klosi. Sipas Klosit, Sali Berisha është i paaftë dhe i painteresuar për të dhënë zgjidhje halleve të qytetarëve, ai dëshmoi dhe njëherë se nuk do të qeveris dot ndryshe, por do të vazhdojë mjeshtërisht pasurimin e oborrit të tij personal pavarësisht patericave të reja që i ofroi Ilir Meta me votat e marra falë një mashtrimi të madh publik. “Sali Berisha me ministra të kërkuar nga drejtësia dhe me ministra që mashtruan popullin opozitar nuk mund të qeverisë dot në mënyrë demokratike vendin dhe prandaj Partia Socialiste është çdo ditë dhe më e vendosur të vazhdojë misionin e saj historik, atë të rezistencës demokratike në plotësim të standardeve të munguara. Sali Berisha i trembet së vërtetës së kutive të votimit të cilat i mban peng në mënyrë të kundraligjshme” tha më tej deputeti i PS-së.
...