E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Kosova angazhohen për bashkëpunim të mëtejshëm e të frytshëm në fushën e drejtësisë

Ministri i ri i Drejtësisë, Nishani, takon homologen kosovare, Kelmendi

TIRANE – Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani priti dje në një takim Ministren e Drejtësisë së Kosovës, Nekibe Kelmendi, nga e cila mori urimet më të përzemërta për detyrën e re. Kelmendi i paraqiti ministrit Nishani komplimentet e saj dhe i uroi atij suksese. “Jam shumë e kënaqur që jam e para që ju paraqes përgëzimet e mia për detyrën e re që keni marrë në kabinetin qeverisës Berisha 2”, u shpreh ajo.
Nga ana e tij ministri Nishani  pranoi përgëzimet e homologes së tij kosovare dhe shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim. Më tej takimi mes dy ministrave u përqendrua në bashkëpunimin e frytshëm që dy palët  do të kenë në të gjitha fushat e drejtësisë, si në fushën e hartimit të ligjeve, administrimit dhe të funksionimit të burgjeve, mjekësisë ligjore, noterisë etj.
Ministri i Drejtësisë, Nishani u shpreh i gatshëm për të ndihmuar si ministrinë e Drejtësisë së Kosovës dhe institucionet e saj të varësisë me eksperiencën shqiptare.
Në këtë takim Ministrja e Drejtësisë së Kosovës shoqërohej nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri,  Gazmend Pula dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, Florian Dushi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›