Ndërkombëtarët: Numërimi dhe nxjerrja e rezultatit u politizuanNga Tema Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, përmes një deklarate të Përfaqësueses së tij në Këshillin e Përhershëm të OSBE, në Vjenë, znj. Carol Fuller, ka për
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ndërkombëtarët: Numërimi dhe nxjerrja e rezultatit u politizuanNga TemaMisioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, përmes një deklarate të Përfaqësueses së tij në Këshillin e Përhershëm të OSBE, në Vjenë, znj. Carol Fuller, ka përshëndetur raportin e ODIHR për zgjedhjet parlamentare në vendin tonë. Në deklaratën e saj thuhet se aspektet teknike të procesit, si numërimi i votave, u politizuan.
“Shtetet e Bashkuara përshëndesin qytetarët dhe qeverinë shqiptare për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009. Qeveria e Shqipërisë ka meritë për progresin e mirëfilltë në shumë fronte në këto zgjedhje dhe qytetarët e Shqipërisë meritojnë lavdërime për pjesëmarrjen në numër të madh në votim dhe për zhvillimin paqësor dhe me rregull të zgjedhjeve. Rezultati i votës përfaqëson qartë vullnetin e popullit shqiptar.
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR vuri re se zgjedhjet, ndërkohë që nuk shfrytëzuan potencialin e plotë të Shqipërisë, megjithatë arritën shumicën e angazhimeve të OSBE dhe demonstruan përmirësime thelbësore në procesin e regjistrimit të zgjedhësve, kornizën ligjore, në votim, numërim e votave dhe gjykimin e ankesave paszgjedhore. Qeveria e Shqipërisë ka bërë një punë të besueshme në zhvillimin e instrumenteve të nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dispozitat e Kodit të ri Zgjedhor, të miratuar në fund të vitit 2008, patën vlerë në reformimin e procesit zgjedhor. Nxjerrja e listave të zgjedhësve nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile ishte gjithashtu një zhvillim domethënës dhe pozitiv. Gjithashtu duhen lavdëruar përpjekjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përgatitur dhe administruar zgjedhjet me profesionalizëm dhe transparencë.
Megjithatë, disa prej këtyre përmirësimeve nuk rezultuan plotësisht në një klimë të përmirësuar besimi, që patën si synim të çonin përpara procesin. Kjo qe veçanërisht e vërtetë në fushën e njëanshmërisë së medias dhe politizimin e aspekteve të votimit. Politizimi i aspekteve teknike të procesit, përfshirë gjatë procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit, si dhe shkelje të vëzhguara gjatë fushatës, minuan besimin publik në procesin zgjedhor. Ne jemi dakord me ODIHR se zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet shumë në angazhimin e të gjitha partive politike për të respektuar germën dhe qëllimin e ligjit.
Ne kemi besim se qeveria dhe populli i Shqipërisë do të studiojnë me kujdes rekomandimet e gjithanshme të dhëna nga ODIHR në Raportin e tij Përfundimtar dhe do të promovojnë ndryshimet e nevojshme për Shqipërinë për të realizuar potencialin e saj për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike.
Në përfundim, ne do të donim edhe një herë të përshëndesnim OSBE, përfshirë ODIHR dhe Asamblenë Parlamentare, mbi një mision tjetër vëzhgimi zgjedhjesh të mirëmenaxhuar”, - tha Fuller.
Gjermania: Do shqyrtojmë raportin dhe do vendosim për aplikimin
Gjermania, nëpërmjet ambasadorit të saj në Tiranë, Bernd Borchardt, është shprehur se kërkesa e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, do të shqyrtohet pas vlerësimit të raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit.
“Lidhur me shqyrtimin e kërkesës për anëtarësim të Shqipërisë, ne, së bashku me anëtarët e tjerë të BE, jemi shprehur se kjo duhet të ndodhë pas përmbylljes së zgjedhjeve parlamentare dhe paraqitjes së një vlerësimi mbi zgjedhjet nga OSBE/ODIHR. Tani, ne, së bashku me partnerët tanë të BE, do të diskutojmë mbi raportin e ODIHR dhe më pas do të marrin një vendim lidhur me kërkesën për anëtarësim”, - u shpreh Borchardt gjatë ditës së djeshme, nëpërmjet një deklarate për shtyp. Në fakt, duke parë se raporti i OSBE/ODIHR ka qenë kritik për zgjedhjet, nuk dihet qëndrimi që Gjermania do të mbajë ndaj kërkesës së Shqipërisë. Duhet thënë se vetëm pak ditë pas zgjedhjeve, gjatë një interviste të dhënë për Deutsche Welle, ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borchardt, i cilësoi zgjedhjet si të deformuara. Borchardt u shpreh se, presionet e ushtruara dhe numërimi i votave dëmtuan rëndë procesin zgjedhor. Përveç kësaj, në një shkrim të botuar te Reuters, thuhej se Gjermania ka qenë bllokuesja e kërkesës për aplikim nga ana e Shqipërisë, gjë që në fakt nuk është mohuar nga ambasada gjermane në Tiranë. Por, pavarësisht kësaj, ambasadori gjerman është shprehur se vendi i tij do të vazhdojë që të mbështesë fuqishëm integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane. “Gjermania mbështet energjikisht integrimin e Shqipërisë në BE. Kështu, vitin e kaluar, ne kemi rritur deri në afro 100 milionë euro ndihmën gjermane për Shqipërinë, ndërsa për periudhën 2009/’10, pothuaj duke e dyfishuar atë. Volumi i përgjithshëm i kësaj ndihme arrin në afro 1 miliard euro”, - përfundoi deklaratën e vet ambasadori Bernd Borchardt.
Letra e Rehn: Të intensifikohet bashkëpunimi me opozitën
Në një letër dërguar kryeministrit, Sali Berisha, Komisionari Evropian për Zgjerim, Olli Rehn, ka uruar këtë të fundit për rizgjedhjen e tij në krye të qeverisë shqiptare. Gjatë letrës së urimit, Rehn është shprehur se duhet të vazhdojnë reformat, për të bërë të mundur integrimin e Shqipërisë në BE. Këto reforma, sipas Rehn, duhet të bëhen në bashkëpunim me opozitën. “Ju inkurajoj i dashur z. kryeministër, si edhe qeverinë tuaj të re, të punoni së bashku me opozitën në parlament në çuarjen përpara të axhendës së reformave evropiane. Shpresoj që të gjithë liderët politikë të sigurojnë zhvillimin e një dialogu politik konstruktiv, në mbështetje të këtyre reformave”, - thuhet në letrën e komisionarit. Ky i fundit ka kërkuar nga ana e Berishës që të plotësojë kushtet e vendosura, që do të bënin të mundur integrimin e vendit tonë në BE. Sipas Rehn, “progres i mirë është arritur në plotësimin e standardeve për liberalizimin e vizave, por nevojiten përpjekje të mëtejshme. Tani që zgjedhjet u përmbyllën, në përputhje më pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE, përpara keni sfida të rëndësishme, në mënyrë që të përparohet me axhendën e reformave. I takon Shqipërisë të tregojë aftësinë e saj në kalimin në fazën tjetër të integrimit në BE, në veçanti duke përmirësuar shtetin ligjor dhe fuqizimin e institucioneve demokratike. Sigurimi i pavarësisë së gjyqësorit, rritja e aftësisë administrative dhe vazhdimi i implementimit të mirë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, janë elementë të rëndësishëm për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët, afrimin e Shqipërisë me Evropën”, - përfundon letra e Rehn. Kryeministri Berisha ndërkohë gjatë ditës së djeshme ka marrë mesazhe urimi edhe nga Presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, kryeministri grek, Kostas Karamanlis, ministri i Jashtëm Francez, Bernard Kouchner etj.