Humbi Glover, fitoi GrosrukNga Skënder MinxhoziE njëjta gjuhë, të njëjtat konkluzione. Si në 1992, si në 2001, 2005, 2007 apo dikur tjetër në trajektoren e çuditshme kohore të demokracisë shqiptare. Bashkësia ndërkombëtare e dha më në fund notën e sa
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Humbi Glover, fitoi GrosrukNga Skënder MinxhoziE njëjta gjuhë, të njëjtat konkluzione. Si në 1992, si në 2001, 2005, 2007 apo dikur tjetër në trajektoren e çuditshme kohore të demokracisë shqiptare. Bashkësia ndërkombëtare e dha më në fund notën e saj për zgjedhjet e 28 qershorit, me gojën e ODIHR-it. E bëri duke i dalë në krah, ashtu si në të gjitha rastet e mësipërme, atyre që kanë fituar zgjedhjet. Një ide komode adoptimi me situatën, e cila fiton mbi tendencën e evidentimit dhe të theksimit të anëve të errëta të procesit elektoral. Raporti i sapo publikuar na tregoi edhe një herë, në rast se e kishim harruar, se Shqipëria dhe shqiptarët janë të destinuar të shihen në Perëndim si një popull dhe si një zonë gjeografike ku ideja e stabilitetit do t’i lerë edhe për shumë kohë mënjanë standardet dhe kërkesat që vendet demokratike kanë për administrimin e votës.
Këto zgjedhje s’kanë qenë si të tjerat nga pikëpamja aritmetike. ODIHR bën sikur s’e kupton këtë, duke servirur në raportin e tij të njëjtin metër gjykimi shabllon dhe thellësisht skematik, edhe në kushte tejet specifike, kur palët i ndanë veçse një grusht votash. Është thënë dhe stërthënë këto muaj të nxehtë, se rezultati i 28 qershorit ishte unik dhe i papërsëritshëm në llojin e tij. Kur mes bllokut opozitar dhe atij qeveritar vendoset shenja e barazimit numerik (70 mandate secila palë), sa dhe si kanë influencuar problemet dhe defektet që nënvizon raporti, për ta anuar gjilpërën e peshores (dhe të pushtetit) nga njëra anë tek tjetra?! Kjo duket pyetja delikate, të cilën raporti nuk e merr parasysh, duke u fshehur pas fotografimit formal dhe teknik të procesit zgjedhor.
Raporti final i zgjedhjeve na thotë se këto votime ishin më të mira se të mëparshmet. Një përcaktim i nënkuptuar qysh në krye të herës. Në një pikëpamje të përgjithshme, e cila lidhet me linjat e mëdha të organizimit dhe mbajtjes së një procesi zgjedhor, këto zgjedhje s’mund të ishin veçse më të mira se ato të mëparshmet. Mjafton të shohësh që u adoptua regjistri kombëtar i zgjedhësve dhe që votuesit u pajisën me letërnjoftime elektronike, për të kuptuar se procesi ishte qysh në fillim i destinuar për t’i tejkaluar standardet e zgjedhjeve të mëparshme, që bazoheshin mbi sistemin e dështuar të certifikatave. Në këtë aspekt, të krahasosh këto zgjedhje me ato paraardhëset, është njëlloj si të krahasosh trenat me avull, me linjat e shpejtësive të mëdha.
Çështja e vërtetë që fshihet pas këtij kapërcimi real pozitiv, është të shihet se a krijoi një qeverisje legjitime votimi në kushtet e reja? A i shmangu ai pretendimet për blerje, vjedhje dhe manipulim të votës? A janë shifrat që na dhanë këto zgjedhje fryti real i vullnetit të shqiptarëve? Në këtë pikë problemi merr formën e një rrethi vicioz, pasi akuzat e opozitës (të djathtë dhe të majtë) ndaj qeverisë, konsistonin në faktin se vetë ndryshimet pozitive që u kryen në infrastrukturën zgjedhore në muajt e fundit, u përdorën nga PD dhe Berisha për të manipuluar nën rrogoz rezultatin. Mjafton të kujtohen rastet e shtetasve që shkonin për të votuar dhe që mësonin se kishin votuar një herë, ose akuzat për shpërndarje kartash identiteti jashtë sistemit.
Nëse e shohim kështu, raporti i ODIHR që marrim në dorë, është ai që ka qenë. Pra një dokument kompromisi, ku standardet vlejnë vetëm relativisht dhe ku ideja e stabilitetit me çdo kusht duket si qëllimi kryesor dhe i vetëm. Pra, më mirë më standarde të munguara, por me qeverisje stabël, sesa e kundërta. Një qëndrim i dyzuar dhe një ide e vjetër, të dyja të dëmshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Teksti i raportit që sapo ka parë dritën e publikimit, është një ushtrim perfekt ekuilibri dhe kompromisi, nga ata që dinë të bëjnë vetëm organizmat e mëdha ndërkombëtare. I gjen aty të gjitha, edhe vërejtjet për përdorimin e administratës dhe nxënësve në mitingjet e qeverisë, edhe manipulimin me inaugurimet e veprave të infrastrukturës, edhe kërcënimet për heqje nga puna, edhe faktin që kutitë e votimit nuk u rinumëruan, paçka se këtë e kërkonte Kodi Zgjedhor. Por gjen edhe përcaktime ngjyrë rozë, që të thonë se në përgjithësi punët shkuan mirë dhe se nuk u regjistruan probleme. Mjafton të shohësh dyzimin e çuditshëm që të ofron raporti, mes përcaktimit se “në 22 nga 66 qendrat e numërimit të votave, procesi i numërimit u përcaktua si i keq apo shumë i keq” dhe frazës pasardhëse se “nuk pati prova për numërime të parregullta apo për manipulime”. Ky lloj baleti i vështirë dhe madje i shëmtuar është kontributi më i keq që OSBE dhe ODIHR mund të japin për vijimësinë normale të klimës politike në Shqipëri, sepse formulime të tilla ambigue dhe të mjegullta krijojnë amulli dhe kaos, më shumë sesa sjellin elemente racionale për të gjykuar për zgjedhjet e 28 qershorit. Zgjedhjet ku një e treta e votave janë numëruar “keq ose shumë keq” nuk mund të jenë as të rregullta dhe as të ndershme. Ato janë numerikisht të devijuara, pasi vetëm kështu mund të jetë një rezultat, i cili është numëruar me defekte në 33% të tij.
Nga ana tjetër, të falenderosh Ministrinë e Jashtme dhe KQZ për mikpritjen dhe ndihmën e dhënë ndaj misionit të OSBE-ODIHR është natyrisht një formulë e gatshme mirësjelljeje, që e gjen në të gjitha dokumentet e këtij lloji. Por ama ajo që ka ndodhur pikërisht me këto dy institucione të shtetit shqiptar, kur u përpoqën zyrtarisht dhe hapur që të largonin kreun e misionit vëzhgues, është diçka që nuk e gjen as në dokumentet dhe as në precedentët elektorale të OSBE. Të paktën jo në këtë pjesë të botës dhe jo në Shqipëri, qysh nga mbajtja e zgjedhjeve të para pluraliste.
Në bazë të raportit final të OSBE-ODIHR, zgjedhjet e qershorit ishin edhe të mira, edhe të këqija, edhe të numëruara keq, edhe të pamanipuluara, edhe të dominuara nga përdorimi i pushtetit qendror dhe i parasë publike, edhe të ndershme. Si të thuash për shembull, se një supë me lëng mishi është shumë e mirë, edhe pse i ke hedhur brenda një lugë vajguri. Duke i hedhur një sy tekstit të raportit, nuk mund të mos vëresh se në luftën e padukshme mes atyre që kanë pasur (dhe ndoshta kanë sërish) rezerva mbi sinqeritetin dhe transparencën e kryeministrit aktual, dhe atyre që këtë të fundit e konsiderojnë si një mik që duhet ndihmuar dhe mbështetur me çdo mjet, fituan këta të dytët. Si të thuash se në hartimin e faturës finale të zgjedhjeve shqiptare humbi Glover, britanikja që Berisha deshi ta përzinte dhe fitoi Grosruk, babaxhani austriak që ende mendon, ndër të tjera, se votimet e vitit 1996 ishin perfekt.