E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha dhe Meta u betuan, pasi kanë shkelur çdo betim të bërë para shqiptarëveNga TemaDeputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, tha dje se kryeministri, Sali Berisha, dhe zëvendësi i tij, Ilir Meta, u betuan dje, pasi kanë shkelur të gjitha b

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

PS: Berisha dhe Meta u betuan, pasi kanë shkelur çdo betim të bërë para shqiptarëveNga Tema

Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, tha dje se kryeministri, Sali Berisha, dhe zëvendësi i tij, Ilir Meta, u betuan dje, pasi kanë shkelur të gjitha betimet e bëra përpara popullit shqiptar.

“Sali Berisha u betua se do të luftonte korrupsionin dhe bënte zgjedhje të lira e të ndershme, në fakt u bë mbreti i korrupsionit dhe bëri zgjedhje që nuk ishin as të lira e as të ndershme. Ilir Meta u betua se do të nxirrte në pension Sali Berishën dhe do të hiqte nga kurrizi i shqiptarëve qeverinë e Gërdecit, në fakt mbajti në punë Sali Berishën dhe hipi edhe vetë në kurrizin e shqiptarëve duke u bërë pjesë e qeverisë së Gërdecit”, - tha Xhaçka.

Ajo tha se kjo qeveri do të thellojë krizën e demokracisë në vendin tonë.

“Kjo qeveri është shëmbëlltyra e deformimit të rëndë të moralit të politikës e të qeverisjes në Shqipëri dhe pushteti i saj, i prodhuar me manipulime e korrupsion elektoral nga Sali Berisha, si edhe me vota të trafikuara nga e majta në të djathtë nga Ilir Meta, është një pushtet që do të thellojë krizën e demokracisë, të shtetit të së drejtës e të ekonomisë së vendit, do të rrisë varfërinë e papunësinë, por padyshim do të rrisë edhe përfitimet e paligjshme të këtij grupi interesash familjare e klanore që do të ndeshë në rezistencën e palëkundur të opozitës”, - theksoi deputetja socialiste.

Xhaçka tha se PS do të hyjë në Kuvend, vetëm kur të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Sali Berisha kërkon që opozita të hyjë në Kuvend, ne jemi gati ta bëjmë që nesër, në qoftë se na jepet e drejta legjitime e demokratike të bëjmë transparencë të plotë për zgjedhjet e 28 qershorit duke hapur kutitë e votimit përpara popullit shqiptar. Këtë të drejtë na e jep ligji elektoral i shkelur me këmbë dhe pa u vënë në vend kjo e drejtë, vetë procesi i ligjvënies humbet vlerën e tij. Sali Berisha kërkon që ne të hyjmë në Kuvend për të bërë reforma të mëdha, por ne do të hyjmë në Kuvend, kur, përmes pranimit të kërkesave tona, të bindemi se reformat e mëdha të materializuara në ligje nuk janë copa letrash që hidhen tutje, siç u hodh ligji zgjedhor, ku shkruhet e zeza në të bardhë e drejta jonë e mohuar për të hapur kutitë e votimit. Sali Berisha kërkon që ne të hyjmë në Kuvend për të bërë opozitën e qeverisë së dytë të Gërdecit, por e sigurojmë atë vetë, bashkë me Ilir Metën, se opozitën do ta gjejnë përballë në çdo hap të tyre, përditë e më të vendosur për t’i dhënë fund shëmtirës që kjo qeveri të pandehurish e të kërkuarish mishëron në mes të Evropës, duke u mohuar shqiptarëve zgjedhje të standardeve vërtet evropiane dhe duke i shkelur kundërshtarëve liritë e të drejtat e tyre themelore”, - tha Xhaçka.

“Partia Socialiste nuk shitet dhe nuk i shet zgjedhjet e 28 qershorit, ashtu siç nuk shet as të gjithë ata mbështetës të saj që Sali Berisha dhe Ilir Meta po i heqin përditë nga puna për të instaluar në Shqipëri një regjim kusarësh që do të gjejë atë që meriton: Reagimin më të ashpër të mundshëm të Partisë Socialiste”, - vijoi më tej deputetja e re e PS.

Meta: Opozita e ka detyrim atdhetar bashkëpunimin konstruktiv

Kryetari i LSI, Ilir Meta, që tanimë flet nga foltorja e ministrit të Jashtëm, tha se opozita duhet të ushtrojë me konstruktivitet përgjegjësitë e saj. Meta, që së fundmi përdor sa herë që flet fjalën “përgjegjësi ndaj atdheut”, tha se është kjo e fundit që e detyron opozitën të bashkëpunojë për reformën zgjedhore. Edhe kur justifikoi bashkëpunimin me Berishën, Meta tha se këtë ia kërkonte atdheu.

“Dua të përshëndes vlerësimet shumë pozitive të konfirmuara sot, në Këshillin e Përhershëm të OSBE, nga përfaqësuesit e Presidencës suedeze të BE dhe SHBA, lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, të cilat evidentojnë qartë arritjet dhe progresin e dukshëm në shumicën e objektivave për standardet e këtyre zgjedhjeve. Vota e 28 qershorit shpreh në mënyrë të qartë dhe të pakontestueshme vullnetin e popullit shqiptar.

Edhe sot përfaqësuesit e Presidencës suedeze të BE dhe SHBA vlerësuan në Këshillin e Përhershëm të OSBE se raporti final i OSBE-ODIHR konstaton qartë se Shqipëria ka përmbushur shumicën e angazhimeve të OSBE-ODIHR dhe konfirmon arritje substanciale në procesin e regjistrimit të votuesve, kuadrin ligjor, procesin e votimit, numërimit dhe zgjidhjes së ankimimeve.

Qeveria e integrimit evropian falënderon OSBE-ODIHR, si dhe partnerët tanë kryesorë, BE dhe SHBA, për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe permanente që japin për progresin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ajo rikonfirmon se do të bashkëpunojë ngushtë në të ardhmen me këta partnerë për të adresuar vërejtjet dhe rekomandimet e tyre, në mënyrë që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë tërësisht i standardeve më të larta demokratike, siç i takon një vendi evropian.

Me këtë rast dua të ftoj edhe njëherë dhe sinqerisht opozitën të ushtrojë përgjegjësitë e saj në mënyrë konstruktive dhe atdhetare për reformën e ardhshme zgjedhore”, - tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›