E Diel, 1 Nëntor 2026

Blutë me stërvitje të veçantë, fizioterapia në natyrë

Nga ANDI MATRAXHIU

Vazhdojnë kushtet skandaloze për një skuadër futbolli. Futbollistët e dëmtuar kurohen në fushën e stërvitjes

Duke përfituar nga pauza e kampionatit, gazeta Sporti shqiptar ka menduar të luftojë gjatë këtyre ditëve fenomenet negative në ish-kompleksin Dinamo, pikërisht lidhur me kushtet në të cilat skuadra 18 herë kampione e Shqipërisë stërvitet. Redaksia jonë nuk ka ndër mend të bëjë avokatin e askujt, por vetëm të lojës magjike, futbollit.

Duke qenë një gazetë sportive, na lind e drejta të mbrojmë interesat jo vetëm të Dinamos, të futbollit, por edhe të skuadrave dhe sporteve të tjera që ndodhen në kushte mjerane. Fuqia e gazetës është bërja publike e fenomeneve negative, ndërkohë që më pas shikojnë apo mbeten të verbra organet kompetente, mbetet ende në dorën e tyre. Por të shikosh se si është katandisur skuadra e Dinamos, është vërtet skandaloze.

Një ditë më parë është publikuar artikulli Dinamo si minatorët, duhen fenerë për stërvitje, pasi blutë nuk kanë mundësi të zgjedhin orarin e dëshiruar për të kryer seancën stërvitore, ata janë të imponuar nga Agjensia e Sporteve pranë MTKRS që ti startojnë përgatitjet në orën 17:00. Ndërkohë që një tjetër problem i hasur dje në seancën stërvitore kishte të bënte me dëmtimet dhe problemet e ndryshme fizike që futbollistët dinamovitë kalojnë ndeshje pas ndeshje.

Një dëshmi e tillë është edhe fotoja e këtij artikulli, e cila tregon qartë se ku masazhohen apo kurohen futbollistët blu. Në cepin e fushës me bar sintetik, në natyrë, duke përdorur kolinë e bidonave për të mbështetur këmbët e futbollistëve, fizioterapistët e Dinamos masazhojnë dhe kontrollojnë problemet e ndryshme të futbollistëve blu.

Dhoma e fizioterapisë në katin e dytë të ish-kompleksit Dinamo tashmë është kthyer në një magazinë. Aty mund të gjesh dokumente të bluve, kompjutera, kupa e gjithçka, por sigurisht smund të gjesh dot dhomën e fizioterapisë, e cila është kthyer në një bodrum për të futur gjërat e vjetra dhe në këto kushte sigurisht askush smund të punojë.

Kohë më pare, në këtë dhomë punohej gjërë e gjatë përpara seancave stërvitore, ku futbollistët relaksonin muskujt e tyre përpara seancave të ngarkuara. Tashmë turpi hahet me bukë, por kur edhe mensa e skuadrës mungon, palestra, lavanderia dhe gjithçka e mundshme, atëherë çfarë kërkojmë më shumë nga kjo Dinamo?

Futbollistët dalin nga fusha në përfundim të stërvitjes dhe ashtu të djersitur futen nëpër makinat e tyre dhe largohen për të bërë dush në shtëpitë e tyre. A mund ta quajmë këtë futboll?

Ky sport magjik që ka rrëmbyer zemrat e shumë sportëdashve, tashmë është kthyer në kushte skandaloze në Shqipëri, e kur flasim pikërisht për Dinamon, të vjen në mendje Federata Shqiptare e Futbollit, e cila për skuadrën kombëtare zgjedh hotelet më luksoze për stërvitje dhe akomodim, po Dinamo, siç duket, është e njerkës dhe të gjithë e lënë në mëshirë të fatit, në atë mëshirë që sot nuk po mendon për blutë, por i ka nxjerrë në mes të rrugës.

Dhe kur dimri të afrohet, lojtarët e Dinamos mund të ngrenë çadra kampingu brenda në fushë duke na kujtuar fiset e hershme që shtroheshin nga njëri shesh në tjetrin, duke kërkuar tokën e premtuar. Por kjo tokë e premtuar tashmë për dinamovitët është kthyer në të mallkuar dhe askush nuk po mendon për legjendën 61-vjeçare.

 

 

Blutë e vegjël, pjesë e kombëtares U-21

Veç trajnerit të portierëve, Ilir Bozhiqi, i cili është pjesë e kombëtares së Shqipërisë, në kampin blu ka pasur edhe mungesa të tjera ditën e djeshme. Kështu, edhe futbollistët e rinj Eni Imami, Antonio Marku dhe Andrea Kule i janë bashkuar përfaqësuseses Shpresa. Ndërkohë që edhe fizioterapisti Perli Rusi është pjesë e kombëtares së vogël kuqezi, e cila drejtohet nga trajneri Artan Bushati. Kujtojmë që një sezon më parë në përfaqësuesen e Shqipërisë ishin prezentë shumë lojtarë blu, tashmë të larguar në ekipe të tjera. Kështu Elis Bakaj, Gjergji Muzaka, Emiliano Vila dhe Isli Hidi gjithnjë kanë qenë pjesë e kuqezinjve. Por tashmë për vetë kushtet dhe aventurat që po kalon Dinamo, në grupin blu, duke veçuar ndonjë kokërr, ende nuk ka kontigjent të duhur për skuadrën kombëtare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›