Lena: Tiranën e shlyejnë dy fitore radhazi në shtëpi
Mesfushori i dalluar i kuqezinjve ua vë syrin pikëve maksimale në ndeshjet me Pogradecin dhe Vllazninë, në Vlorë
Në katër javët e luajtura deri më tani, zv.kapiteni dhe mesfushori i Flamurtarit, Nijaz Lena, është aktivizuar me kohë të plotë. Jo vetëm për këtë, por për shumë cilësi futbollistike që zotëron, ai cilësohet një nga lojtarët më të rëndësishëm në ekipin vlonjat.
Pavarësisht faktit se përballë Tiranës, ndeshje e cila ende nuk është harruar, një testi mjaft domethënës, kuqezinjtë zhgënjyen në lojë dhe rezultat, Lena shprehet optimist për vijimësinë e kampionatit. Sipas tij, Flamurtari do të kthehet shumë shpejt tek fitorja.Të mos flasim më për Tiranën, – shprehet mesfushori Nijaz Lena, – por të mendojmë për sfidat e radhës, që na presin. Javën e ardhshme luajmë përballë Pogradecit dhe pas tij, sërish në shtëpi, ndaj Vllaznisë.
Pra, janë dy takime, të cilat i luajmë në fushën tonë dhe ku duhet të marrim maksimumin, pa asnjë diskutim. Duke e bërë këtë gjë, jemi në rregull edhe me tifozët tanë. Marrja e 6 pikëve në dy ndeshjet në fjalë do të shërbente si autokritika më e mirë për zhgënjimin ndaj Tiranës. Sidoqoftë, për momentin duhet të mendojmë e përgatitemi për Pogradecin, sepse ndeshjet në një kampionat të gjatë duhen marrë një nga një.
Ky kundërshtar i radhës në kampionat ka bërë paraqitje të mira në katër javët e para të garës, kështu që meriton vlerësimin tonë maksimal. Pavarësisht kësaj, unë jam i bindur se Flamurtari do të rikthehet tek fitorja javën e ardhshme. E them këtë, sepse besoj tek vlerat dhe potenciali që ka grupi ynë, tek dëshira e madhe e secilit për ti vënë kapak zhgënjimit me Tiranën përmes pikëve maksimale në sfidat e radhës.
Pavarësisht se çfarë do të kërkojë Pogradeci në Vlorë, se si do të luajë, për ne ka vetëm një objektiv: fitore. Asnjë rezultat tjetër nuk mendohet dhe nuk na lejohet në këtë sfidë, nënvizon shqiptaro-maqedonasi i nënkampionëve të vendit.
Një dorashkë e hedhur kjo e njërit prej lojtarëve më të spikatur të Flamurtarit, që adresohet për liqenorët e trajnerit Ylli Çekiçi. Të cilët duhet ti bëjnë mirë llogaritë për javën e pestë, duke u pajtuar me faktin se shanset e tyre për të marrë diçka në Vlorë janë të pakta.
Megjithatë, deri atëherë ka ende kohë, do të ketë një test tjetër jozyrtar para ballafaqimit me Pogradecin, sepse të shtunën kuqezinjtë do të luajnë një miqësore. E cila do të orientohet totalisht në funksion të Pogradecit, me qëllimin e vetëm kolaudimin e grupit kuqezi, për të marrë tri pikët përpara sportdashësve të zjarrtë vlonjatë.