E Diel, 1 Nëntor 2026

Mema: Mungesa e financave po na pengon në rrugën tonë

Nga Erjon Hamitaj

Me keqardhje drejtori i Shkollës së Mjeshtërisë së Futbollit Loro Boriçi pranon se mungesa e financimeve ka çuar në bllokimin e disa ideve

Gjashtë muaj më parë në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive Loro Boriçi u kryen disa rinovime. Aty drejtor i shkollës u vendos Sulejman Mema, i cili premtoi  shumë. Si fillim, ndryshimet erdhën nga terrenet deri tek ambientet e shkollës. Më pas u fol edhe për hapjen e disa sektorëve të rinj brenda mjeshtërisë meqë mundësitë ishin të shumta.

Si fillim për këtë vit të ri shkollor për nxënesit e Loro Boriçit u krye një testim, ku trajneri i U-17, Xhemal Mustedanagiç, dhe drejtori Mema i kaluan  në sitë këta nxënës që kërkuan të ishin pjesëtarët e rinj të shkollës. 55 nxënës gjithsej u pranuan nga një numër i madh që kërkonin të bëheshin pjesë e shkollës.

Më pas u fol dhe u dhanë dy seminare arbitrimi nga Sokol Jareci, por gjithçka mbeti në letër, pasi mungojnë fondet, sepse bashkëpunimet dhe dëshira e madhe për të krijuar një grup nga këta të rinj për arbitrim nuk mungon. Ajo që pengon gjithçka dhe mbahet peng janë paratë, pra fondet të cilat nuk miratohen, pasi nuk ka para mjaftueshmërisht për të përballuar koston që kërkohet.

Krahas arbitrimit, pjesëtarët e shkollës u munduan që pjesa tjetër e nxënësve të shkollës që nuk mund të luajnë në ekipet U-17 dhe U-19 që përfaqësohen në kategorinë superior të moshave, të luajnë në kategorinë e parë të moshave, por prapë  si pasojë e mungesës së parave nuk u  plotësua as kjo kërkesë e drejtuesve të shkollës. Mbi të gjitha, drejtori i këtij institucioni sportiv, Sulejman Mema, thotë për Sportin shqiptar këto fjalë:

Dëshira jonë për rinovime është e madhe, por mundësitë janë të pakta. Kemi filluar nga përzgjedhja dhe aty kemi thithur elementet më cilësorë të moshave 14-15-vjeçare që na janë paraqitur. Këtë punë e kam bërë së bashku me teknikun boshnjak Mustedanagiç. Paraqitja e sotme e djemve është e mirë, por jo atje ku duhet, sepse ata kanë ardhur në fillim të gushtit në stërvitje. Mundohemi tu japim kulturë për sportin dhe nuk kërkojmë rezultate patjetër prej tyre.

Pohoj se kam rreth 11 portierë në shkollë dhe më duhet një stërvitës portierësh. Gjithashtu kemi dashur të krijojmë dhe një klasë sportive kryesisht për gjykimin, kemi pasur mundësi të mëdha bashkpunimi me FSHF-në dhe Institutin e Fiskulturës Vojo Kushi, por mungesa e fondeve na ka bërë që ti lëmë në letër të gjitha. Donim të krijonim një grup futbollistësh për kategorinë e parë të moshave, por sërish fondet na frenuan.

Për sa u përket ndryshimit të trajnerëve, them se kushdo e meriton të drejtojë një ekip të superiores për mosha në këtë shkollë dhe kushdo i ka mundësitë. Këto ndryshime që kam bërë në stafin trajnues nuk janë përgjithnjë, por do të ketë sërish zëvendësime. Në ditët që vijnë shpresoj që të jenë sa më të mira për ne, pasi presim që gjithçka që kemi patur në plan të mos mbetet thjesht në letër, por të realizohet, sepse kështu do të ecim më mirë me futbollin e luajtur, gjykimin, – përfundon Mema.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›