E Diel, 1 Nëntor 2026

Bluzat e bardha janë stimuluar në bazë të angazhimit në punë, por dhe nga të ardhurat dytësore

Bazuar në treguesit e performancës së mjekëve, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka përllogaritur masën e shpërblimit për qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Spitalet, do të përdorin 5% të fondit të planifikuar vjetor të pagave për dhënien e shpërblimeve në masën 15 mijë lekë për punonjësit me paga të ulëta dhe 10 mijë lekë për punonjësit e tjerë. “Falë udhëzimit të ISKSH-së për përdorimin e 30% të të ardhurave dytësore për shpërblime, i cili bazohet në vendimin e qeverisë për përdorimin e të ardhurave dytësore nga vetë spitalet, shuma që mund të përfitohet, mund të shkojë deri në një pagë mujore”, tha drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të
Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, në një konferencë për shtyp. Mbështetur në realizimin e treguesve të vitit 2009, rezulton se 415 qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor të përfitojnë edhe pagën e dytë shpërblim.
Me këtë pagë, shtuar edhe fondin e shpërblimeve të përdorura në fund të 6/mujorit të parë të këtij viti, rezulton se mbi 60% e Qendrave Shëndetësore kanë përfituar të plota dy paga mujore shpërblim, ndërsa pjesa tjetër kanë përfituar afërsisht 1 pagë e gjysmë. Sipas rajoneve rezulton se përfitojnë shpërblime afërsisht dy paga mujore, punonjësit e rajoneve të Tiranës, Korçës, Dibrës, Fierit, Beratit, Vlorës, Tropojës, të cilat kanë realizuar më mirë edhe treguesit e cilësisë e performancës.
Nga ky fond përfitojnë rreth 9300 punonjës të qendrat shëndetësore, nga të cilët rreth 2 mijë mjekë familjeje e të përgjithshëm dhe specialistë, 6600 infermiere dhe 700 punonjës të tjerë teknik, sanitare, shoferë, ekonomistë.
Nga ana e ISKSH-së, janë çelur për çdo spital, nëpërmjet degëve të thesarit, fondet e nevojshme për dhënien e shpërblimeve me rastin e fundit të vitit, në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave. Ky fond, i cili përbën 5% të fondit të planifikuar vjetor të pagave në total kap shumën e mbi 260 milionë lekëve.
Nga shumica e spitaleve është vepruar për shpërndarjen e këtij fondi, duke dhënë 15 mijë lekë për punonjësit me paga të ulëta dhe 10 mijë lekë për punonjësit e tjerë. Një burim tjetër financimi për spitalet për dhënien e deri një page shpërblim, janë edhe të ardhurat dytësore që realizohen nga spitalet. Kjo është bërë e mundur falë një udhëzimi të miratuar nga Këshilli Administrativ i ISKSH-së gjatë këtij viti, i cili u jep të drejtën spitaleve që 30% të të ardhurave që ata realizojnë t’i përdorin për stimulimin e punonjësve që kontribuojnë direkt në realizimin e të ardhurave, por edhe të punonjësve të tjerë mbështetës.
Nga ana e spitaleve janë realizuar rreth 300 milionë lekë të ardhura dytësore, 30% e të cilave do të mund të përdoret për shpërblime.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›