Numri i të prekurve me AH1N1 i kalon 370 persona, ulje të fluksit të gripit të zakonshëm
Pas vdekjes së vajzës shtatzënë me dy binjakët e saj, për shkak të komplikacioneve nga AH1N1, janë edhe katër raste të rënda të cilët ndodhen në gjendje stacionare në dy spitalet e vendit, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe spitalin Universitar të sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”.
Sipas mjekëve të katër pacientët aktualisht ndodhen në gjendje të rëndë dhe stacionare, as nuk janë përkeqësuar gjatë këtyre ditëve as nuk janë përmirësuar. Ndodhen në terapi intensive, ndërkohë që grupi i mjekëve që monitorojnë gjendjen e tyre shëndetësore raporton dhe vëzhgon ditë pas dite, orë pas ore.
Instituti i Shëndetit Publik vazhdon të marrë mostra ekzaminimi nga i gjithë vendi, kryesisht nga rastet e rënda. Analizat janë të kufizuara për këtë shkak nuk mund të thuhet se sa është numri i saktë i të gjtihë shqiptarëve të infektuar me grip derri, pavarësisht se sipas të dhënave të ISHP-së mendohet të jenë rreth 60 mijë persona të prekur nga format e ndryshme të këtij virusi. Sasi të medikamentetit Tamiflu, një produkt i cili lufton virusin AH1N1, janë shpërndarë në të gjitha spitalet kryesore të vendit. Madje sasi të konsiderueshme u janë dhënë në inventar edhe poliklinikave e qendrave shëndetësore në qytetet kryesore të vendit. Por mjekët e kryeqytetit si dhe nga raportimet e Ministrisë së Shëndetësisë, ky produkt nuk përdoret në masë nga mjekët nga gjithë vendi pavarësisht direktivave, udhëzimeve e madje dhe urdhrave nga instancat më të larta. Të ndodhura në këto kushte, ministria e shëndetësisë dje ka raportuar se do të nisë edhe një herë “haber” që mjekët nga i gjithë vendi, në rastet e gripit të zakonshëm, me simptoma të rënda apo shenjave klinike të gripit të derrit, të përdorin menjëherë tamiflu.