E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjarjet më të rëndësishme: transplanti i veshkave, ndërhyrjet e vështira, virusi pandemik

Shëndetësia, për një vit me radhë, ka bërë hapa përpara, por nga ana tjetër ka pasur edhe shumë ndryshime. Projekte, iniciativa ambicioze, janë mbajtur shënim në kalendarin e vitit 2009.Inaugurimi i Masterplanit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mobilizimi për përballimin e përhapjes së virusit pandemik AH1N1, inaugurimi i laboratorit të virologjisë, por edhe një sërë punësh të tjera janë realizuar përgjatë një viti në sektorin e shëndetësisë. Sigurisht, në lëmin e ngjarjeve më të rëndësishme do të veçonim vetëm disa prej tyre.
Në krye të shëndetësisë këtë vit kanë udhëhequr politikat shëndetësore dy ministra. Anila Godo dhe më pas Petrit Vasili, i cili vazhdon të jetë numri i një i Ministrisë së Shëndetësisë. Këtë vit janë vendosur disa piketa për sa i takon reformës në shëndetësi, privatizime, shërbime të dhëna me koncesion, bashkëpunim mes sektorit publik e atij privat. Ndër më të rëndësishmit këtë vit, një ngjarje e cila ka hyrë në historinë e shëndetësisë, por edhe në historinë e Shqipërisë.
Transplanti i parë i veshkave
Në mars të këtij viti përfundoi me sukses transplanti i parë i veshkës. Operacioni u realizua nga mjekë shqiptarë me asistencë edhe të specialistëve italiane, pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Transplantin e parë të veshkës e bëri pacientja 19-vjeçare, Matilda Gode. Ndërhyrja zgjati më shumë se katër orë dhe përfundoi me sukses. Sipas mjekëve, kjo është ndërhyrja e parë kirurgjike e këtij lloji në Shqipëri dhe është shumë e mirëpritur nga dhjetëra pacientë që çdo vit preken nga sëmundjet e rënda të veshkave.
Transplanti koklear
Në dhjetor të këtij viti për herë të parë u realizua një operacion tepër i vështirë, i cili kthen dëgjimin e personave që e kanë humbur atë. Spitali Amerikan në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, realizuan dje implantin koklear të veshit. Tashmë kanë dëgjim të plotë dy pacientë, një 4-vjeçare dhe një 57-vjeçar. Dy implantet, kostot e të cilave kapin shifrën 70 mijë euro, janë fryt i punës së gjatë të ekipit të këtij spitali në bashkëpunim me klinikën e ORL pranë QSUT. Një kontribut të veçantë në realizimin e kësaj ndërhyrjeje ka firma austriake MED–EL që ka dhuruar për këta dy pacientë aparaturën e posaçme.
Defribilatori i implementuar
Tri operacione të vështira janë kryer gjatë këtij viti nga reparti i hemodinamikës në spitalin “Nënë Tereza”. Pajisja e defribilatorit të implementuar është një aparaturë e krahasueshme me një bateri, e cila si një "gjenerator" shërben për të dhënë impulse elektrike. Kjo aparaturë u vendoset pacientëve, të cilët vuajnë nga sëmundjet e vështira të zemrës dhe mund të jenë në rrezik nga vdekja e befasishme kardiake apo rrahjet e shpeshta të këtij organi. Kjo pajisje ndihmon zemrën për mbajtjen e ritmit dhe i jep jetë asaj, duke u kujdesur për proceset normale që duhet të kryejë ky organ.
AH1N1
Gripi i derrave AH1N1, u evidentua në korrik të këtij viti në Tiranë. Pacienti ishe një 20-vjeçar nga Gjirokastra, por që banonte në Qytetin Studenti. Ndërkohë që viktima e parë në vend u shënua në muajin dhjetor të këtij vit, një pacient nga Sukthi, i cili vuante edhe nga sëmundje të tjera kronike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›