Bob Dylan dhe Qenia e tij në erë

Muzika e Bob Dylan mbi të gjitha është zë i perëndive që ndëshkuan njerëzit dhe u vranë mes vete. Shpirti i tij i parehatshëm është simboli i reflektimit monstruoz mbi qenien tonë kaq të frikshme. Bob Dylan është rojtar i kopshtit tonë me pemë të egra. Ai i ruan dhe i qëllon demonët e lig. I qëllon me këngë. Dhe nuk i vret. I bën të bukur. Dhe në pidh' t' samës komandanti i tyre. Dylan mendon se shtegu i vetëm i tij në këtë gjendje lufte, mbetet vetëvrasja. Ngase në trurin e komandantit ladron gjaku i keq. I panevojshëm. I sëmurë.
Muzika e Bob Dylan mbi të gjitha është pamja e trishtimit të dashurisë, është jehona e ëndrrave tona të shuara në duart e Zotit, është fishkëllima e trenit që na merr të gjithëve dhe na çon në çlirimin e panjohur e hyjnor-shpirtëror, është kthimi madhështor tek vetja jonë, rrënuar nga bombat e luftërave të përditshme. Muzika e Bob Dylan mbi të gjitha është strehëza e fundit e atyre që mezi po qëndrojnë në këmbë para kësaj makinerie të pistë botërore. Dhe këta njerëz janë të paktë. Muzika e tij është strehëza e fundit e atyre që kanë dorëzuar flamujt e tyre të bardhë, është strehëza e fundit e kalamajve jetim, është strehëza e fundit e të gjallëve, e të vdekurve dhe e jotja.
Muzika e Bob Dylan mbi të gjitha është fryma e bimëve. Ajo të futet në gjoks dhe ta shkatërron lëkurën si acid. Muzika e tij është helm për të padrejtësinë dhe ithtarët e saj marramendës, është shpresë. Shpresë e bërë copë-copë për drejtësinë dhe ithtarët e saj të zhgënjyer. Ajo pushton imazhet e dëshpëruara të kafshëve. Zhurma e harmonikës është zhurma e ekzistencës me tensione fatale. Dhe jo vetëm kaq. Muzika e tij ndershmërisht është vrasëse. Ajo vret realitetin e vrazhdë të qenve. Dhe burgoset në mes grilave të zemrës sonë. Zemrës sonë që lutet të mos shpërthejë.
Bob Dylan është njeriu i fundit që i besoj. Jo vetëm asaj që e thotë por edhe asaj që e ndjen. Poemat e tij të kacavjerrura në degët e ditëve tona të zymta, zgjojnë brenda nesh thirrje. Thirrje të heshtura. Thirrje vetjake. Dylan është udhërrëfyes pa fener në duar. Pa fytyrë magjike. Ai është udhërrëfyesi ynë me rrudha. Udhërrëfyesi ynë normal i kësaj përralle pabesueshmërisht çmendurake. Njeriu i vogël me vështrim të thellë. Ai është shpëtimtari ynë i madh. Megjithëse nuk tha asnjë fjalë atë natë kur pëllumbat ishin djersitur, ai mbetet shenjë e pashlyeshme e përpjekjes sonë të përbashkët për ta çarë në dysh të keqen dhe të gjithë foletë e zogjve në të.