E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bocetet në garë për Monumentin e Pavarësisë

TIRANË - Tre krijime nga artistë shqiptarë dhe 2 nga të huaj, janë përzgjedhur si më të mirët mes të cilëve do të zgjidhet fituesi për Monumentin e Pavarësisë.
Pesë bocetet e artistëve, Thoma Thoma, Pjerin Kolnika, Blerta Xhomo & Ilirjan Shima, Visar Obrija & Kai Kiklas si dhe Jorg Plickat, u bënë publike sot në Galerinë Kombëtare të Arteve, nga ministri i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi dhe drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima.

Ministri Bumçi tha se pas përfundimit të kësaj faze të parë, në fazët e dytë të përzgjedhjes së fituesit do të bëhet vlerësimi edhe nga publiku i cili do të mund të shikojë bocetet në GKA dhe të votojë aty apo në internet. Bumçi u shpreh edhe në lidhje me sheshin se ku do të vendoset monumenti, i cili ende nuk është vendsur dhe ky fakt ka hapur shumë debat. 

“Vepra nuk vjen nga sheshi, nuk është ai që e përvakton monumentin, por 100 vjetori i Pavrësisë. Vepra qëndron më vete për atë që duhet të prezantojë, sheshi është dytësor”, tha Aldo Bumçi. Ministri shprehu edhe bashkëpunimin me pushtetin vendosr pasi, sipas tij, edhe veprat e tjera veç fitueses, meritojnë të jenë pjesë e qyteteve të Shqipërisë pasi secila prej tyre ka të mishëruar mesazhe të fuqishme. 

Thoma Thomai është ndër të përzgjedhurit. I frymëzuar nga imazhi i flamurit ai ka ideuar një flamur në valvitje në një strukturë modern, në materialin prej bronxi shkëlqimi i të cilit do t’i ndryshojë pamje monumentit në varësi të dritës që do të reflektojë peisazhin përreth në të.

Skulptori Pjerin Kolnika prezanton një vepër monumentale të lartë, një mbivendosje e 100 shtresave mermeri të bardhë që krijojnë edhe zig-zake që simbolizojnë ndryshimet në historinë e Shqipërisë. Në trupin e kolonës së formuar shfaqen edhe 10 kuba anësorë që simbolizojnë 10 dekadat e këtij njëqindvjeçari.

Ndërsa boceti i tretë shqiptar është një bashkëpunim mes Blerta Xhomos dhe Ilirjan Shimës të cilët propozojnë një variant të stilizuar të shqiponjës dykrerëshe. Shqiponja përbëhet nga dy pjesë të shkëputura në pjesën e sipërme që bashkon në poshtë në qendër për të dhënë idenë e rrotullimit duke marrë një formë harkore. Në qendër të skulpturës është menduar të vendoset një pishtar zjarri.

Një tjetër bashkëpunim i përzgjedhur është ai mes një artisti nga Kosova, Visar Obrija dhe atij gjerman, Kai Roman Kiklas. Frymëzimi i tyre ka ardhur nga banesat tradicionale shqiptare si symbol i qëndrësës në shekuj. Idenë e tyre e kanë shprehur përmes një banese të hapur si dy gjysma kubi ku njëra gjysëm mbas çatinë e tjetra platformën, mes të cilave qytetarët mund të kalojnë. Në faqet e brendëshme të saj do të gdhëntet shqiponja dhe Deklarata e Pavarësisë.

Një tjetër fitues është autori i skulpturës së Lojrave Olimpike në Pekin, Jorg Plickat i cili propozon një monument lehtësishtë të kuptueshëm, dy hallka të hapura zinxhiri që simbolizojnë çlirimin e popullit.

Kryetari i jurisë ndërkombëtare, Rubens Shima i cilësoi 5 bocetet e përzgjedhura si shumë përfaqësuese dhe prurjet më interesante që solli ky konkurs, të përzgjedhura nga një system pikësh i cili do të bëhet public më vonë për të mos ndikuar në votimin e publikut. Pas votimit të publikut dhe vlerësimit me pikë të jurisë, Komisioni Shtetëror i Festimeve do të përzgjedh monumentin fitues.

Ky është konkursi i dytë ndërkombëtar në Shqipëri, ku korën pjesë 61 artistë shqiptarë e të huaj, pas atij në vitin 1937 i shpallur nga Monarkia e Shqipërisë për figurën e Skëndërbeut mbi kalë që nuk u realizua për shkak të pushtimit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›