E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revokohet urdhri, Imami tërhiqet nga emërimi i kreut të Flotës Detare

TIRANE- Ministria e Mbrojtjes revokon urdhrin për emërimin e Ferdinand Kreshpanit si komandant të Forcave Detare, ndërsa sqaron se Komanda e Forcave Detare do të drejtohet nga Zëvendëskomandanti.

Nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar Presidencës, ministri Imami deklaron se për nxjerrjen e urdhrit të emërimit, Ministria e Mbrojtjes është mbështetur në praktikën e deritanishme të ndjekur nga ana e dy institucioneve. Në vijim të shkresës se tij, Imami thekson se Ministria e Mbrojtjes me shkresën nr. 1711, datë 13.3.2008, propozoi emërimin e një prej tre kandidaturave kolonelë në detyrën e Komandantit të Forcës Ajrore. Por sipas ministrisë nga ana e Presidencën nuk është proceduar për emërimin e një prej tre kandidaturave të propozuara.

‘Duke u nisur nga këto praktika dhe në zbatim të nenit 19, pika 13, të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Ministri i Mbrojtjes vendosi emërimin e Kapitenit të Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani në detyrën e Komandantit të Forcave Detare. ‘ – thuhet në shkresën zyrtare.

Më tej, ministria sqaron se është ngritur Komisioni i Veçantë i Karrierës i cili po shqyrton oficerët për grada madhore dhe më pas do t’iu përcillen kandidatët përkatës për gradim në gradën “Kundëradmiral” dhe emërimin në detyrë të Komandantit të Forcës Detare.

Në përfundim të shkresës thuhet se Ministria e Mbrojtjes po shqyrton përgjegjësitë administrative të personelit të Ministrisë së Mbrojtjes.
(ma.ar/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera Emërimet e Imamit, PS: I bën presidenti, u shkel Kushtetuta Topi-Imamit: Jep sqarime për emërimet në ushtri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›