E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Nishani takon ambasadoren çeke, Bronislava Tomashova

TIRANË - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani gjatë një takimi sot me Ambasadoren e re të Republikës së Çekisë në vendin tonë, Bronislava Tomashova shprehu gatishmërinë e plotë të Ministrisë së Brendshme për të forcuar më tej bashkëpunimin me ambasadën dhe autoritetet çeke.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Ministrisë së Brendshme, në takimin me ambasadoren Tomashova Ministri Nishani theksoi se, "Çekia ka dhënë një mbështetje të fuqishme në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë dhe në këtë kontekst, Ministria e Brendshme dhe agjencitë e saj janë të gatshme për të bashkëpunuar ngushtësisht edhe në drejtim të një prej prioriteteve kryesore në rrugën e integrimit, luftën kundër krimit të organizuar".

"Shkëmbimi i informacionit, trajnimet dhe operacionet e përbashkëta, janë fusha ku ne mirëpresim dhe jemi të angazhuar të bashkëpunojmë me homologët çekë", u shpreh Nishani.

Ministri Nishani dhe Ambasadorja Tomashova diskutuan gjerësisht në takim edhe për klimën e rendit dhe sigurisë në Shqipëri dhe gjatë bisedës u evidentua fakti se vetëm vitin e kaluar, Shqipërinë e vizituan afro 4 milionë turistë, mjaft prej tyre çekë, dhe nuk u regjistrua asnjë rast i vetëm i kërcënimit të sigurisë së tyre. Ministri Nishani u shpreh se, "Shqipëria ka garantuar standarde të larta në kontrollin kufitar, duke mos lejuar që shtetas të vendeve të treta të përdorin vendin tonë si tranzit për të kaluar në vendet e BE".

Ministri Nishani dhe Ambasadorja Tomashova ranë dakord që të përgatiten modalitetet për nënshkrimin në një kohë sa më të afërt të marrëveshjes së ripranimit mes dy vendeve, marrëveshje që është nënshkruar tashmë nga Shqipëria me pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Europian.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›