E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bodani; formacion, 85 minuta lojë dhe fitore me Kievon

Albania Sport (AS) - Erion Bogdani ka bërë dje një debutim në përgjithësi të suksesshëm me fanellën e skuadrës së tij të re, Kievos, e cila ka arritur një fitore të rëndësishme, 2-1 në fushën e saj përballë Katanias së vendit të katërt. 15 minutat e para të ndeshjes ishin të barabarta në lojë dhe aksione, por paskëtaj, do të jetë skuadra e trajnerit Luixhi Del Neri ajo që do të marrë frenat e lojës në dorë dhe Bogdani do të godasë diagonalisht në minutën e 25-të, por topi do të përfundojë jashtë, jo shumë larg kuadratit të portierit mik, Pantaneli.
Dhjetë minutat në vazhdim flasin vetëm për skuadrën veroneze dhe mbrojtësit miq kanë probleme me sulmuesin shqiptar, Bogdanin, në luftën në ajër, dhe shpesh ndëshkohen me goditje dënimi në përpjekje për të neutralizuar shtatlartin. Gjithsesi, pjesa e parë do të mbyllet, përkundër rrjedhës së lojës, me epërsinë e miqve, pas golit të shënuar në minutën e 40-të nga Stovini. Dhe 45 minutat e dyta shohin Kievon më të rrezikshme në lojë dhe kjo konkretizohet në minutën e 58-të, kur Semioli shënon dhe barazon rezultatin për vendasit.
Kievo është ringjallur tashmë dhe, vetëm 4 minuta më vonë, Sardo pengon në zonën Samarkon dhe Pelizier kthen në gol 11-metërshin e akorduar nga gjyqtari. Pavarsisht nga përpjekjet e miqve nga Katania për të barazuar rezultatin, skuadra e Kievos administron lojën dhe Bogdani largohet nga fusha e blertë pesë minuta para përfundimit të kohës së rregullt, duke u zëvendësuar nga Kosato, në këtë debutim të tij me skuadrën e Kievos.
Në përfundim të ndeshjes, Bogdani është vlerësuar me notën e kënaqshme, 6, nga specialistët italianë, të cilët theksojnë se ai e pagoi disi faktin që debutonte dhe luante për herë të parë me skuadrën e Kievos. Mesfushorët veronezë e kërkuan shpesh me pasime dhe ai zhvilloi një betejë për t'u admiruar me mbrojtësit kundërshtarë, për të mos i shkuar dëm këto pasime.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›