E Shtunë, 31 Tetor 2026

Befas “specialiste” të gjithçkaje!



Befas femrat flasin për futbollin, janë bërë specialiste, sidomos nëse janë edhe politikane. Për të zbutur habinë e atyre që janë befasuar po kaq sa ne, kemi pyetur drejtuesin e emisionit në News 24, që jo pak herë është ndier i sikletosur nga përgjigja ‘As që e kam haberin’ e ‘opinionistes’. Dhe për t’a zbuluar edhe më, atë që po trajtohet si fenomen psikologjik, kemi pyetur psikologun Edmond Dragoti...

Mund të jenë fare pak ata që nuk e kanë vënë re. Kjo përqindje që nuk e ka ndjerë, ka të ngjarë që të mos e ketë prekur komandën e televizorit këto 25 ditët e fundit. Emisionet televizive që deri dje kishin në fokus kutitë, u përqendruan te të gjitha lëvizjet këndore e anësore të topit në fushë. Deri këtu, gjithçka ishte disi e kuptueshme. Performancat e meshkujve, që ju ç’aktivizohen të gjithë receptorët e tjerë dhe kanë në sy vetëm këmbë e top, ishin të para, nuk përbënte lajm, vetëm sepse këtë herë kampionati ishte në rang botëror. E reja e befasishme e kësaj ishte një tjetër garë, sigurisht e një rëndësie fare të papërfillshme. Femrat: politikane, këngëtare, balerina, rrobaqepëse...asnjë kriter përzgjedhjeje (domosdo që sa më i ‘mirë’ posti aq më e rëndësishme bëhej edhe pjesëmarrja). Të gjitha, sikur të kishin harruar sa hap e mbyll sytë të gjitha ankesat ndaj vonesave të burrave, ndaj marramendjeve të tij, ndaj mungesës së kujdesjes për to, u bënë, befas tifoze të çmendura të futbollit. Kush të dalë më shumë në kë kanal televiziv. Nëse deri dje shumica e femrave varnin turinjtë, kur shihnin në ekran specialistët e vërtetë të futbollit, sot do i dëgjonin me ëndje. Shfaqja e tyre sa po vjen e po zhduket sepse karriget e opinionistëve i ka zënë Xhilaga, Heta, Shahini, Lubonja, Bodinaku, Përnaska, Bulku...
Këtu nis gara tjetër; kush të ketë më shumë informacion. Dhe në fakt një farë diferencimi ka. Nëse Gerta hoqi dorë që me të parën, kur e pyeti drejtuesi i emisionit në News 24 vetëm me një ‘me thënë të drejtën nuk e kam idenë’, Lajla ishte ca më e informuar rreth gjendjes dhe si të gjithë, e niste bisedën në retrospektivë, me Italinë e ’82-shit. Natyrisht që argumentet në dukje bëhen më bindës në këtë rast, dhe atyre që as që e kanë jetuar shkëlqimin e Italisë së atyre viteve, ju merren mendtë nga tepria dhe dobishmëria e gjithë këtyre të dhënave, kështu fare kollaj, me një të lëvizur të gishtit.
është vetëm një pyetje që ka po kaq nevojë për përgjigje sa dhe formacioni i Italisë a Brazilit në vitet ’80. “Përse ndodhet në studio zonjusha, kur nuk ka asgjë për të thënë?!”
Për të na shuar kureshtjen ne kemi pyetur drejtuesin e emisionit, Denis Minga.
Ndërsa burime për gazetën tregojnë që është sa e sa lista e femrave në pritje për t’u shfaqur për këtë temë, duhet të pritet vetëm rasti që të korrespondojë disi edhe personazhi me ndeshjen. Sepse nuk do kishte kuptim që znj. Bulku, tifoze e Gjermanisë, të fliste ashtu kot (si rrallë herë), për shembull, për Argjentinën. E me qenë që radha rezulton të jetë e gjatë, dalim në një tjetër dukuri që e nxori në pah gazetarja Briseida Mema. Nevoja e këtyre femrave për t’u shfaqur, ndryshimet psikologjike që ndodhin te to sapo njoftohen për t’u shfaqur në kamera. Mema nuk e kanalizoi problemin vetëm në këtë rast, e shihte si një dukuri me përmasa më të gjera, por duke qenë që ne ishim të përqendruar në rastin konkret, mbetëm më gjerë këtu. E pikërisht për këtë pyetëm edhe psikologun. çfarë ndodh me to psikologjikisht në të tilla raste. Edmond Dragoti jep versionin e tij.

Angela Merkel Tifozja nr.1 e gjermanise

Kancelarja gjermane Angela Merkel teksa ndiqte ndeshjen Gjermani-Argjentinë në tribunën VIP, përkrah presidentit afrikano-jugor Zuma. Përgjatë ndeshjes Merkel ka lënë mënjanë për pak kohë petkun e politikanes, duke u entuziazmuar nga spektakli që dhuroi skuadra gjermane. Momente e gëzuara, ankthin, por mbi të gjitha lumturinë për ‘djemtë’ e saj, të cilat fituat kundrejt Agjentinës me rezultatin 4-1, tifozja numër 1 e Gjermanisë, nuk i ka fshehur edhe pse aparatet fotografikë ishin fokusuar përreth 90 minuta në veprimet e saj. Precedentë të ngjashëm me këtë rast ka qenë edhe ai i vitit 1982. Presidenti i Republikës Italiane, Sandro Pertini, në stadiumin “Santiago Bernabeu” të Madridit, gjatë Botërorit ishte ndër tifozët më të flaktë të ‘Azzurro-ve, pikërisht pas finales me Gjermaninë. Gjithsesi, Angela mbetet e para femër drejtuese shteti që bën tifo e shpenguar nga blicet e paparacëve.

Tendenca BaShkekohore: Femrat Të përmbysim stereotipet

Paçka se rrezikojnë, asnjëra prej tyre me sa duket nuk e mendon kështu. Sipas psikologut Edmond Dragoti, ajo e femrave, është një tendencë bashkëkohore (që në Shqipëri po shfaqet vetëm tani por që në botë është vënë re me kohë) për të ndryshuar stereotipet gjinore. “Në këtë femrat janë më të avantazhuara sepse për shembull ato mund të veshin rrobat mashkullore, mund të përfshihen në aktivitete mashkullore, siç është tani rasti i futbollit dhe mund të përfshihen gjithashtu në vendimmarrje politike. Nuk mund të ndodhë e njëjta gjë edhe me një mashkull. Asnjëri nuk do mund të vishte fustan, apo taka”.
Pra ato janë të gatshme ta bëjnë këtë edhe në rastin që peshorja anon nga dështimi?
Nevoja e madhe e grave që identiteti gjinor të jetë i zhvilluar, i bën ato shpesh të mos gjykojnë kështu por të shtyhen vetëm nga kjo nevojë. Duke pasur një status inferior në shoqëri, femra kërkon të përshtatet me statusin mashkullor që e sheh dhe do vazhdojë ta shohë si më të lakmuar.
Sipas kësaj, nuk është e rastësishme shumica e femrave që kërkojnë të jenë pjesë mediatike dhe që janë të gatshme në çdo rast të jenë përpara kamerave, janë politikane?
Padyshim sepse nuk është as e rastësishme, nëse e keni vënë re, që janë pikërisht femrat politikane ato që janë më agresivet ndaj meshkujve politikanë. Kërkojnë me çdo kusht që të hyjnë në çdo fushë të territorit të tyre. Konkretisht, futbolli, është njëra prej tyre.
Po a nuk është e tepruar e gjithë kjo tendencë për të qenë në qendër të vëmendjes?
Ajo është nevoja e gjithsecilit prej nesh për të qenë në qendër të vëmendjes. Ajo e femrave për t’u përfshirë në statusin e burrave pastaj është pak më e tepruar.

“Të tërheqim vëmendjen femërore”

Drejtuesi i emisionit sportiv në televizionin News24, Denis Minga, përpiqet të përgjigjet prerazi se prania e femrave në studio, është vetëm qëllim i tyre për të tërhequr pranë ekranit audiencën femërore. Ku i dihet nëse këtë vit të gjithë televizionet nuk kanë rënë dakord me njëri-tjetrin që të kenë të njëjtin synim e të njëjtat rezultate. Ai pohon gjithashtu se, edhe kur gjendet përpara përgjigjes së thatë të së ftuarës së radhës që i thotë “ sinqerisht, nuk e di”, nuk ndihet fare në siklet për pauzën e shkurtër por domethënëse që krijohet në studio. “Qëllimi ynë nuk është që të ftojmë femra specialiste të futbollit por t’i japim nuanca femërore emisionit duke ftuar edhe femra në studio. Ndërsa pas emisionit kemi zgjedhur që të vendosim disa minuta nga kuzhina tradicionale e njërës prej skuadrave që ka luajtur atë ditë”. Kjo pjesë po që i takon kryesisht femrave. Parafytyroni për shembull një tifoze të Italisë që tek lan domatet e sallatës së darkës bën edhe tifo!
Përzgjedhja e personazheve të pranishëm thuajse çdo mbrëmje të këtyre 25 ditëve të fundit, zgjidhen nga e gjithë pjesa organizative e emisionit. Sepse siç u shpjegua më lart, asnjëri nuk ka synim të dijë që ndonjëra prej të ftuarave ka parë ndonjëherë ndonjë ndeshje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›