Bode: Gati t‘i trajtojmë financiarisht banorët
Ministri i Financave, Ridvan Bode, iu bashkua dje deklaratave të zyrtarëve të ndryshëm të qeverisë mbi skandalin e Jalit. "Qeveria shqiptare mbetet e hapur për të trajtuar sipas ligjeve shqiptare të gjithë ata individë të cilët pretendojnë që ndërtimet e tyre janë prishur në dhunim me ligjin shqiptar", tha Bode. Edhe Kryeministri Berisha foli në lidhje me këtë temë dy ditë më parë dhe tha se nuk do të pranonte trajtim të privilegjuar të disa banorëve". Ministri Bode u ofroi banorëve të Jalit ndihmë ekonomike. "Qeveria mbetet gjithashtu e ndjeshme edhe ndaj rasteve që kanë pasur pasoja dhe kanë çuar familje në varfëri", tha ai. Sipas tij, qeveria shqiptare e ka pranuar planin e Bankës Botërore për të paguar avokatë që do të kenë për detyrë të mbrojnë banorët e Jalit. Paneli i Inspektimit dhe reportazhe nga televizione e gazeta gjatë ditëve të fundit vunë në dukje se banorët e fshatit të shkatërruar nga ndërtimorët janë të varfër, jetojnë në shtëpi gjysmë të shembura dhe mbijetojnë me blegtori, peshkim dhe mbledhje bimësh mjekësore, pavarësisht se jetojnë në një vend me resurse të jashtëzakonshme turistike. Bode deklaroi për të disatën herë se Banka Botërore është përgjegjëse për rrafshimin e Jalit dhe se BB e ka kërkuar kontrollimin dhe ndalimin e ndërtimeve pa leje në projekt që në fillim të projektit në vitin 2004. Proceset ligjore që do të nisin, do të vlerësojnë "nëse në procesin e dëmtimit, prishjes së ndërtimeve pa leje është zbatuar me rigorozitetet kuadri ligjor shqiptar apo jo", tha Bode. Burime jozyrtare shpjegojnë se qeveria synon të fshihet pas faktit se në fund të fundit, ndërtimet në Jal qenë pa leje dhe se procedura e shembjes së tyre nga policia ndërtimore qe e ligjshme. Qeveria nuk ka bërë publike dosjen përkatëse të prishjes së ndërtimeve pa leje në Jal, rrugën e identifikimit të tyre, zyrtarët përkatës që i identifikuan dhe arsyet që çuan në vendimet e shembjeve. Vetë Bode thotë se nuk ka një çështje Jali dhe se ajo është shpikur nga gazetarët.