Kodheli: Berisha, reagim turpërues
Socialistët thanë dje se ju vjen turp për reagimin, sipas tyre të shëmtuar, sa qesharak, aq dhe rrëqethës, të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së Bankës Botërore. "Turp për nivelin mizerabël me të cilin kjo qeveri e korrupsionit e përfaqëson Shqipërinë në raport me botën e përkatësisht me Bankën Botërore", theksoi zëdhënësja e socialistëve, Mimi Kodheli. Sipas saj, qeveria jo vetëm nuk merr përgjegjësinë e saj të pambulueshme për menaxhimin skandaloz të projektit, por përpiqet të mbulojë mëkatin e vet duke akuzuar Bankën Botërore, madje edhe opozitën. "Menaxhimi skandaloz lidhet me qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha dhe me njësinë e menaxhimit të projektit të drejtuar nga dhëndri i Sali Berishës. Kush ka sy, shikon. Kush ka veshë, dëgjon", u shpreh ajo. Shqiptarët, siguroi Kodheli, jo vetëm shohin e dëgjojnë më mirë se ç‘kujton Sali Berisha që i gënjen çdo ditë, por edhe do votojnë më 28 qershor ashtu siç nuk ia rrok mendja Sali Berishës.