E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, replika mes pozitës dhe opozitës për Jalin

Abuzimet me projektin e Bankës Botërore për të investuar në Jal kanë qenë kryefjala e diskutimeve të djeshme në sallën e Parlamentit. Mazhoranca dhe opozita kanë replikuar ashpër, duke drejtuar gishtin drejt njëra-tjetrës si fajtore për këtë skandal. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ju drejtua opozitës, duke i thënë se duhet të kërkojë falje për akuzat e ngritura ndaj qeverisë, ndërkohë që u kujtoi të gjithëve se tashmë pas raportit të BB-së, ky debat është i mbyllur. Por nuk kanë qenë në të njëjtin mendim me ministrin Olldashi deputetët e opozitës, Erion Braçe dhe Taulant Balla. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se skandali dhe abuzimet e bëra në projektin e Bankës Botërore në zonën e Jalit sapo kanë nisur të publikohen, dhe qeveria duhet të japë llogari deri më një. Numri dy i grupit parlamentar akuzoi drejtpërsëdrejti qeverinë Berisha për mungesë serioziteti në lidhje me projektin e Bankës Botërore. Sipas Braçes, me veprimet me të fundit që po bën qeveria për të dalë e larë nga ky korrupsion, vetëm sa do të humbin besimin e Bankës Botërore dhe të investitorëve të tjerë të huaj që duan të investojnë në vendin tonë. Gjatë fjalës së tij, Braçe theksoi se "është tërësisht e papranueshme që të humbim ndihmën nga Banka Botërore për bregdetin e Jugut". Pas deklaratës së Braçes, i menjëhershëm ishte reagimi i ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi. Teksa mbrojti institucionin që ai drejton, Olldashi theksoi se asnjë nga zyrtarët e qeverisë nuk është nën hetim për projektin e Bankës Botërore. Ai theksoi më tej se opozita nuk sjell asnjë fakt konkret në lidhje me këtë që ajo e konsideron abuzim, por thjesht hedh baltë mbi qeverinë dhe këtë e bëjnë për vetë faktin se drejtor i këtij projekti është dhëndri i Kryeministrit Berisha. "Prisja ndjesë publike për gjithë akuzat që qëllimisht hodhën baltë në këtë sallë dhe jashtë saj. Zotëria bën mirë që të citojë nga raporti i Bankës Botërore këtë pikë ku thuhet se: askush nga zyrtarët e qeverisë nuk është hetuar dhe nuk hetohet për korrupsion. Dhe pasi ta lexonte këtë, të thoshte ju kërkoj ndjesë që ju rashë në qafë", nënvizoi Olldashi në sallën e Parlamentit. Sakaq, deputeti i PS-së, Taulant Balla, kërkoi që për projektin e Jalit të nisë një hetim i mirëfilltë, sepse, ka theksuar ai, Paneli i Inspektimit i Bankës Botërore është thjesht një strukturë që bën vetëm inspektimin. Dy ditë më parë, tha Balla, Banka Botërore mori përgjegjësitë e veta në lidhje me parregullsitë e bëra në emër të saj. Por, vijoi ai, qeveria shqiptare dhe Sali Berisha dje kanë mbetur të zbuluar dhe u munduan të fshehin të gjitha pisllëqet që janë bërë përmes këtij projekti, duke akuzuar në ajër njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me këtë çështje. Sipas deputetit socialist, përgjegjës për koordinimin e projektit të financuar nga Banka Botërore është Jamarbër Malltezi, me një zyrë në Ministrinë e Punëve Publike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›