E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora zbardh edhe Sarandën e Delvinën

Kanë zbardhur dje nga dëbora edhe Delvina e Saranda e periferitë e tyre. Flokë dëbore kanë rënë jo vetëm në kurorën e Mbidelvinës, por edhe brenda në qytetin e Delvinës e madje edhe në Sarandë. Me ndryshimin se në qytetin e Sarandës, dëbora ka qenë më shumë në trajtë reshjesh, ndërsa në Metoq, vetëm 2 km larg saj, ajo u ka dhënë fëmijëve kënaqësinë e lodrimit me topa bore. Për të rriturit, rënia e dëborës së parë është marrë si shenjë mbarësie. Dëbora e fundit mbahet mend të ketë rënë në Sarandë në dimrin e vitit 1998. Dëbora është e bukur për ta parë si pjesë të peizazhit natyror, apo për të luajtur me të e për ta marrë si një parathënie mbarësie. Por, duke qenë një dukuri e rrallë natyrore për ekstremin jugor të vendit, ajo është shoqëruar edhe me problematikë të veçantë, sidomos për drejtuesit e automjeteve. Dëbora e parë, që për Sarandën pritet të jetë edhe e fundit për këtë vit, ka vënë në vështirësi të reja qarkullimin e automjeteve në rrugët kryesore. Ashtu si Qafa e Llogorasë, edhe ajo e Muzinës ka qenë e pakalueshme për disa orë para dhe pas mesditës së të enjtes, sipas njoftimeve të policisë. Sipas shefit të qarkullimit rrugor në Komisariatin e Sarandës, Muharrem Ago, disa akse rrugore kanë paraqitur vështirësi, sidomos në zonën e Volloderit, në kilometrat e para të aksit Sarandë-Vlorë, ku nuk mund të ecej me më tepër se 5 km në orë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›