Bode: Gjobë kazanëve të rakisë, shtyhet ligji. Idrizi kundër

Ministri i Financave, Bode
Ligji i Financave, taksë fshatarëve që prodhojnë mbi 100 litra raki në shtëpi. Debatet në Kuvend pas letrës së biznesit.
Çuditë në ligjin e akcizave. Kush prodhon më shumë se 100 litra, do të paguajë akciza si fabrikat.
Ligji i Financave: 200 mijë lekë penalitet kush nuk i regjistron.
Kazanët e rakisë do të kenë numër shasie ose një dokument tjetër që certifikon regjistrimin e tyre në organet fiskale. Nenet e habitshme, të firmosura nga ministri i Financave, Bode, në ligjin e ri Për akcizat, i detyrojnë të gjitha familjet që prodhojnë raki në shtëpitë e tyre regjistrimin fiskal të kazanëve apo lambikëve të rakisë. Në të kundërt, ligji parashikon jo pak, por 200 mijë lekë gjobë. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të Bodes, organet doganore, të cilat ndjekin vjeljen e akcizës, mund të kontrollojnë shtëpitë e qytetarëve dhe të kërkojnë certifikatën e regjistrimit të kazanëve të rakisë. Ndryshe nga taksimi i prodhimit, i cili është i pavlerë për prodhimin për konsum vetjak, regjistrimi i kazanit të rakisë është detyrim ligjor.
Penalitetet
Nëse nuk prodhoni raki, por në shtëpi keni një kazan distilimi për pijet alkoolike dhe këto nuk i keni të regjistruara, do të përballeni me gjoba të majme. Në rast se në çastin e konstatimit gjenden vetëm pajisje ose pjesë të tyre të padeklaruara dhe të paverifikuara pa praninë e lëndëve të para, shkelësi dënohet me gjobë në shumën 200 mijë lekë. Përdorimi i paautorizuar i kazanëve për distilim, qoftë dhe për përdorim vetjak, dënohet me gjobë në shumën 200 mijë lekë, thuhet në projektligjin e Financave. Kategoria e atyre që do të gjobiten përfshin edhe ata që ndërtojnë, shesin apo japin në përdorim pajisje distilimi për qëllime tregtie dhe mbi kapacitetin për të cilin përfitohet përjashtim nga detyrimi për të paguar akcizë. Edhe për këtë kategori gjoba e parashikuar është po 200 mijë lekë. Të gjitha kontrollet dhe procedurat do të kryhen në terren nga administrata doganore, e cila do të jetë në vazhdim edhe administruesja e vetme për akcizën pasi deri më tani kjo taksë vilej pjesërisht nga Doganat dhe pjesërisht nga Tatimet.
Rakia
Por Bode ka menduar edhe për produktin, pra rakinë. Edhe kjo do të taksohet me akcizë. Kush prodhon 101 litra raki në shtëpinë e tij, do të duhet që të paguajë akcizë. Ministri i Financave është kujdesur që në projektligjin Për akcizat të përfshijë edhe limitet se sa raki duhet të prodhojnë individët pa iu taksuar dhe ku fillon taksimi. Çdo litër mbi 100-shen individëve do tu kushtojë ca para më shumë, që do të shkojnë në buxhet, edhe pse qëllimi final i prodhimit mund të mos jetë shitja. Nuk i nënshtrohet akcizës rakia e prodhuar nga individët privatë dhe e konsumuar nga vetë prodhuesit, nga familjarët dhe miqtë e tyre me kusht që mos jetë objekt i asnjë veprimtarie shitjeje dhe sasia e prodhimit mos të jetë më e madhe se 100 litra në vit. Për rakinë paguhet akcizë me tarifë bazuar në hektolitrin anhidër të produktit në temperaturën 20 gradë celsius, përcaktohet në nenin 66 të projektligjit. Tashmë individëve do tu duhet të maten mirë kur prodhojnë raki për vete dhe të kenë një parashikim të saktë rreth litrave që do të dalin nga fermentimi i rrushit që mund të kenë destinuar për këtë proces, pasi çdo litër tepër, përveçse do duhet të paguhet, do tu kushtojë edhe kohë. Në të kundërt, pra në rast se e gjithë rakia nuk konsumohet nga familjarët dhe të afërmit e tyre, atëherë ministri i Financave do ti taksojë me akcizë, njësoj si fabrikat.
Penalitetet per kazanet
Akciza për rakinë
1. Nuk i nënshtrohet akcizës rakia e prodhuar nga individët privatë dhe e konsumuar nga vetë prodhuesit, nga familjarët dhe miqtë e tyre me kusht që mos jetë objekt i asnjë veprimtarie shitjeje dhe sasia e prodhimit të mos jetë më e madhe se 100 litra në vit.
2. Për rakinë paguhet akcizë me tarifë bazuar në hektolitrin anhidër të produktit në temperaturën 20 gradë celsius.Penalitetet
1. Në rast se në çastin e konstatimit gjenden vetëm pajisje ose pjesë të tyre të padeklaruara dhe të paverifikuara pa praninë e lëndëve të para, shkelësi dënohet me gjobë në shumën 200 mijë lekë.
2. Përdorimi i paautorizuar i kazanëve për distilim, qoftë dhe për përdorim vetjak, dënohet me gjobë në shumën 200 mijë lekë.
3. Kushdo që ndërton, shet ose jep për përdorim pajisje distilimi për qëllime tregtie dhe mbi kapacitetet për të cilin përfitohet, përjashtim nga detyrimi për të paguar akcizë ose pjesë të saj pa deklaruar paraprakisht, dënohet me gjobë në shumën 200 mijë lekë.
Garancia për akcizën, Idrizi: E paarsyeshme
Ish-drejtori i Tatimeve dhe deputeti i maxhorancës, kundër ndryshimeve në ligjin e ri
Kryetari i PDIU: E padrejtë të kërkohet dhe akcizë, dhe garanci

Shpëtim Idrizi
Parapagimi i akcizës, edhe pse nga Ministria e Financave është cilësuar si një pikë që shkon në përputhje me direktivat e BE-së, nuk shihet si e tillë nga biznesi dhe jo vetëm. Një tjetër zë kundër garancisë si koncept në ligjin e ri vjen nga radhët e maxhorancës dhe këtë herë nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, aktualisht deputet dhe kryetar i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Në një prononcim për gazetën, ai vlerëson se pjesa që lidhet me parapagimin e akcizës nuk është e arsyeshme. Kjo praktikë e re që futet e rëndon biznesin pasi atij i duhet të paguajë edhe pullat e akcizës edhe garancinë, kur në fakt duhet të procedohet ose me njërën, ose me tjetrën. Me ndryshimet e reja janë magazinat tatimore që garantojnë pagimin e akcizës kur del prodhimi për shitje. Prodhuesit (me ligjin e vjetër) janë të detyruar të blejnë e stampojnë në prodhimin e tyre pullat e akcizës. Pra, duhet të qëndrojë ose blerja e pullave të akcizës, ose garancia për mallrat me regjim të përkohshëm në magazinën tatimore të prodhuesit. Kjo duket e paarsyeshme dhe e padrejtë, shprehet Idrizi. Kjo, sipas tij, është edhe pjesa e vetme ku projektligji Për akcizat nuk ka sens, ndërsa ndryshimi tjetër për kalimin e administrimit të akcizës në mënyrë të plotë nga Doganat është një lëvizje e drejtë dhe shumë pozitive. Administrimi i akcizës nga administrata doganore është një hap pozitiv drejt administrimit bashkëkohor; Kam parasysh faktin që doganat bashkëkohore kanë të tillë administrim për mallrat e akcizës, por me sa duket ligji i ri nuk reflekton tërësisht këtë ndryshim tërësor, duke rënduar barrën e biznesit të akcizës që edhe aktualisht është shumë i rënduar, tha Idrizi.
Pikat e debatueshme
Neni 21/ Garantuesi
1. Kur në përputhje me dispozitat e këtij ligji kërkohet dhënia e një garancie, me qëllim që të sigurohet pagesa e një borxhi, kjo garanci depozitohet nga depozituesi i miratuar, dërguesi i regjistruar, pritësi i regjistruar, ose nga përfaqësuesi fiskal.
Neni 23/ Masa e garancisë
1. Depozituesi i miratuar është i detyruar të depozitojë një garanci në masën 100% të detyrimit të akcizës të produkteve të depozituara.
2. Nëse garancia jepet nga subjekte të tjera, shuma e garancisë së dhënë nga depozituesi i miratuar zvogëlohet në të njëjtën shumë.