E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali i Verës 2010, freskia e verës në bregdet

Një trupë me balerinë, këngëtarë, instrumentistë, aktorë dhe moderatorë së bashku në një festival veror

Ritme muzikore, balet, performanca artistike, lojëra sportive, ekspozita këto do të ofrojë këtë sezon Festivali i Verës 2010 (Festivalbar Albania). Ky festival, i cili zhvillohet për herë të parë në vendin tonë për tre muaj do të gjallërojë jo vetëm bregdetin shqiptar, por dhe më gjerë.

Organizatorët e festivalit, i cili ngre siparin më datë 18 qershor zhvilluan dje në Golem, në Durrës konferencën për shtyp për Festivalbar Albania, që do të nisë të premten më 18 qershor dhe që do të zhvillohet për 2 muaj e 10 ditë, çdo ditë në Golem. Në konferencën për shtyp udhëheqësi artistik i këtij eventi, Gjergj Leka u shpreh se: ky aktivitet së pari ka qëllim të promovojë talentet nga të gjitha fushat, muzika, aktrimi, baleti, sporti e së dyti të argëtojë gjithë të pranishmit, me një program që nis nga mëngjesi deri në mbrëmje. Festivalbar Albania synon të jetë një aktivitet i përvitshëm, që do të afrojë rreth vetes të gjithë artdashësit në stinën më të nxehtë, dhe ku për hir të së vërtetës aktivitetet duhet të jenë edhe më të shumta. Ndërkaq regjisori i shfaqjes, Alfred Trebicka vuri theksin tek sipërmarrja e një trupe të madhe artistësh të rinj, që prej muajsh janë aktivizuar për të sjellë një program maratonë, e njëherazi për të zhvilluar sa më shumë jetën kulturore në qytetin e Durrësit, pikërisht gjatë sezonit veror. Po punojmë dhe premtojmë që do të sjellim një spektakël, që do të ketë elementet e një show artistik të vërtetë, por këtë herë gjithçka do të sillet nga artistët e rinj, që fatkeqësisht në Shqipëri e kanë të vështirë të ecin dhe depërtojnë për të zhvilluar karrierën artistike. Këtë herë iniciativën për ta çuar më tej talentin dhe punën e tyre, nuk e ka marrë përsipër ndonjë televizion, por një grup njerëzish të mbledhur në kompaninë Hëna Variete, që jo vetëm do t'i lançojë por edhe do të sjellë çdo ditë spektakle me një tematikë të caktuar, u shpreh Trebicka. Spektaklet do të organizohen kryesisht në skenën qendrore të krijuar enkas për këto evente. Në ambientin e Hëna Resort, është ndërtuar edhe paserela e sfilatave të modës, si dhe një pistë vallëzimi për rininë. Artistët pohojnë se organizata e tyre artistike është një shoqatë jo fitimprurese, ndaj ata i drejtohen të gjitha institucioneve shtetërore dhe private për sponsorizime të ndryshme, lidhur me këtë aktivitet kaq të rëndësishëm për artin dhe turizmin shqiptar. Prezantues do të jenë Gjergj Leka dhe Nigela Ruka. Koço Devole, Bujar Kapexhiu, grupi Ali Pash Tepelena etj, por dhe shumë artistë të huaj do të vijnë për publikun.


Festivali i Verës 2010, një event që synon traditën
Për herë të parë në Shqipëri organizohet ky event artistik i verës. Një trupë profesioniste e përbërë nga balerinë, këngëtarë, instrumentistë, aktorë dhe moderatorë. Trupa e përbërë nga 30 artistë profesionistë së bashku me artistë të ftuar nga brenda dhe jashtë vendit, për tre muaj rresht do të performojnë në skenat e reja të ngritura posaçërisht për këtë event. Ky festival do ti shërbejë më së miri edhe imazhit të turizmit shqiptar, kaq i rëndësishëm për promovimin e bukurive natyrore dhe siteve arkeologjike të vendit tonë. Gjate tre muajve të verës, nuk do të ketë vetëm aktivitet koncertal në orët e mbrëmjes, por programacioni për pushuesit shqiptarë dhe të huaj do të fillojë që orët e para të mëngjesit me një program të studiuar mirë nga stafi drejtues. Aerobi në det për të gjitha grup moshat, lojëra dhe surpriza për fëmijët, kurse kërcimi në pistën e ngritur buzë detit, hitet e muzikës shqiptare tradicionale, karaoke party, hipizëm dhe shëtitje me kuaj në breg të detit, zhytje sportive etj, do të vijnë për të gjithë ata që do të jenë të pranishëm në këtë festival. Ekspozite fotografike e shoqëruar me video me sitet më të rëndësishme turistike shqiptare, aktivitete kulturore dhe projektet do të jetë ndër aktivitetet e para. Një përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të shpjegojë dhe informojë pushuesit shqiptare dhe te huaj për gjithçka lidhur me turizmin shqiptar dhe kulturën tradicionale. Në stafin organizues veç Gjergj Lekës dhe Alfred Trebickës janë edhe koreografia Kozeta Bakiu dhe Dorian Lamko.

Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Marte, 15 Qershor 2010 10:20

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›